Maqedonia e Veriut importon 1/3 e energjisë elektrike dhe është vendi më i varur nga importi në rajon.
Mbi 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga qymyri, ndërsa e gjithë energjia elektrike në Shqipëri është nga burime të rinovueshme. Mali i Zi më së shumti prodhon energji elektrike nga era. Bosnja dhe Hercegovina është e vetmja që ka energji elektrike edhe për eksport.
Situata me prodhimin e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut është e zymtë, si për nga kuptimi themelor i fjalës, ashtu edhe në kuptimin figurativ. Nga njëra anë nuk prodhohet mjaftueshëm rrymë, ndaj vendi blen nga jashtë me çmime shumë të larta. Ndërkohë, pjesa më e madhe e energjisë elektrike, e cila prodhohet në Maqedoninë e Veriut është nga qymyri, i cili ndot mjedisin.
Maqedonia e Veriut, vendi më i varur nga importi i energjisë elektrike
Me prodhimin e energjisë elektrike nuk mund të mburret as Kosova. Edhe ky shtet nuk prodhon mjaftueshëm rrymë. Madje, edhe atë sasi rryme që prodhon, është nga qymyri, në termocentrale që janë ndotës të mëdhenj të mjedisit.
Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi janë pothuajse në zero. Ata prodhojnë aq sa konsumojnë.
Bosnja dhe Hercegovina është i vetmi vend në rajon që ka energji për eksport.
E gjithë energjia elektrike që e prodhon Shqipëria është nga burimet e rinovueshme të energjisë, në pjesën më të madhe nga hidrocentralet.
Mbi 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga qymyri.
Mali i Zi është lider absolut në rajon për prodhimin e energjisë nga era. Pothuajse 9 për qind të energjisë elektrike e prodhon nga centralet me erë.
Serbia prodhon më së shumti, por edhe konsumon më shumë.
Shqipëria konsumon më së paku energji elektrike për banor, ndërsa Mali i Zi më së shumti.
Prodhimi i energjisë elektrike në centralet diellore në rajon është i papërfillshëm.
I gjithë rajoni në masë të madhe është i varur nga qymyri për prodhimin e energjisë elektrike.
Të gjitha vendet eksportojnë kur kanë teprica dhe importojnë kur ju duhet, por Maqedonia e Veriut është importuesi më i madh i energjisë elektrike.
Maqedonia e Veriut, me 1.8 milion banorë, importon një të tretën e energjisë elektrike që i nevojitet, tregojnë të dhënat e Komisionit Rregullator për Energjetikë. Në vitin 2021, në Maqedoninë e Veriut janë konsumuar 7.906 gigavat orë energji elektrike, ndërsa janë prodhuar 5.285 gigavat orë.
Prodhuesi më i madh është termocentrali REK Manastir, i cili së bashku me termocentralin Osllomej prodhoi 2.078 gigavat orë. Që të dy, energjinë elektrike e prodhojnë nga qymyri.
Më pas radhitet prodhuesi privat TE-TO me 1.503 gigavat orë. Centrali i kombinuar i gjenerimit prodhon energji termike për qytetarët e Shkupit dhe energji elektrike nga gazi natyror.
Në hidrocentrale, shtetërore dhe private, janë prodhuar 1.454 gigavat orë energji elektrike. Nga dhjetori i vitit të kaluar është kyçur edhe TEC Negotina, e cila prodhon rrymë nga mazuti. Më pak se dy për qind e energjisë elektrike prodhohet nga era, ndërsa më pak se 1 për qind nga panelet diellore.
Në Maqedoninë e Veriut ka një rënie të ndjeshme nën 22 për qind të prodhimit vendor të energjisë elektrike në dekadën e fundit, respektivisht nga 6.744 gigavat orë në vitin 2010 në 5.284 gigavat orë në vitin 2021. Prodhimi i energjisë elektrike nga SHA EEM, në vitin 2021, është përgjysmuar në raport me vitin 2011.
Shkaqet e rënies janë defektet dhe ndërprerjet e punës së REK Manastir, zvogëlimi i gërmimit në miniera dhe cilësia më e dobët e thëngjillit, afrimi i fundit të jetëgjatësisë së termocentraleve dhe investimet joadekuate, thuhet në raportin e Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Hidrocentralet prodhojnë energji elektrike varësisht nga sasia e ujit. Prodhimi në vitet me thatësirë është në mënyrë drastike më i ulët. Në vitin 2010, për shembull, prodhimi ka qenë 2.200 gigavat orë maksimale, ndërsa më 2017 janë prodhuar vetëm 816 gigavat orë minimale, pra një diferencë prej 2.5 herë.
Për të parandaluar mungesën e energjisë elektrike dhe për të siguruar funksionimin e qetë të termocentraleve Manastir dhe Osllomej, Qeveria blen thëngjill nga jashtë, ndërsa furnizon mazut për funksionimin e TEC Negotinë, i cili ishte mbyllur për një dekadë të tërë. Me çmimet aktuale të energjisë elektrike, edhe prodhimi i energjisë elektrike nga mazuti bëhet ekonomikisht i justifikuar.
Shqipëria – tërësisht me energji të gjelbër
Shqipëria, me 2.8 milionë banorë, është i vetmi vend në rajon që prodhon tërësisht energji të gjelbër. I gjithë prodhimi vjen nga burime të rinovueshme, shumica nga hidrocentrale të mëdha.
Problemi në rast të mbështetjes tërësisht në hidrocentrale është se prodhimi varet nga sasia e ujit që është në dispozicion. Në vitet me thatësira më të mëdha, Shqipëria nuk arrin të plotësojë nevojat e saj, por në vitet e mira hidrologjike ka edhe për eksport.
Sipas të dhënave nga Enti për Statistika i Shqipërisë, në vitin e kaluar ky vend ishte eksportues i energjisë elektrike. Janë prodhuar 8.962 gigavat orë energji elektrike, ndërsa konsumi ishte 8.414 gigavat orë.
Burimet më të mëdha energjetike janë kataraktet e lumit Drin në veri të Shqipërisë, respektivisht hidrocentralet e Komanit, Fierzës dhe ai i Vaut të Dejës. Vetëm këto tri hidrocentrale të mëdha prodhojnë mbi 4.000 gigavat orë energji elektrike në vit, që është tre herë më shumë se të gjitha hidrocentralet në Maqedoni së bashku.
Problemi qëndron në atë se prodhimi ndryshon shumë nga viti në vit, varësisht nga kushtet hidrologjike. Sipas të dhënave të Kompanisë Shtetërore të Prodhimit të Energjisë Elektrike KESH, në vitin 2010 këto tri termocentrale kanë prodhuar mbi 7.000 gigavat orë energji elektrike, por për shembull në vitin 2017 kanë prodhuar rreth 3.000 gigavat orë, që është pothuajse 2.5 herë më pak se maksimumi.
Shqipëria ka edhe një termocentral prej 97 megavatesh në Vlorë, por ka probleme dhe nuk është në funksion. Ai termocentral është me naftë, por mund të kalojë edhe me gaz.
Për të parandaluar mungesën e energjisë elektrike, Qeveria shqiptare ka marrë me qira dy termocentrale që do të ankorohen në detin Jon pranë Vlorës dhe do të prodhojnë energji elektrike nga nafta. Qeveria shpreson që në funksion do të jetë edhe termocentrali i Vlorës.
Serbia pothuajse në zero, prodhimi më i madh nga qymyri
Serbia, me rreth 7 milionë banorë, është vendi më i madh në rajon. Ajo është prodhuesi më i madh dhe konsumatori më i madh i energjisë elektrike. Sipas të dhënave të Agjencisë serbe të Energjetikës, vitin e kaluar në këtë vend janë prodhuar 35.656 gigavat orë energji elektrike, ndërsa konsumi ka qenë vetëm pak më i lartë se prodhimi. Të dhënat e dekadës së fundit tregojnë se Serbia prodhon shumë afër nevojave të saj. Ndonjë vit pak më shumë, ndonjëherë pak më pak.
Mbi 60 për qind e energjisë elektrike prodhohet në termocentralet me qymyr, rreth 34 për qind nga hidrocentralet dhe tre për qind nga centralet me erë. Pjesa tjetër është nga centralet e kombinuara me mazut ose gaz, si dhe nga termocentrale më të vogla me lëndë tjera djegëse.
Prodhuesi më i madh në vend është kompleksi i termocentralit Nikola Tesla afër Beogradit. Kompleksi përbëhet nga katër termocentrale me 14 blloqe me kapacitet të instaluar prej mbi 3.400 megavatesh. Bëhet fjalë për prodhuesin më të madh të energjisë elektrike në Evropën Juglindore, me një prodhim vjetor mbi 16 mijë gigavat orë.
Hidrocentralet Gjerdap I dhe Gjerdap II, në lumin Danub, pikërisht në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Rumanisë, prodhojnë mbi 7.000 gigavat orë energji elektrike në vit. Kjo do të thotë se vetëm pjesa serbe e këtyre hidrocentraleve prodhon më shumë energji elektrike sesa të gjitha kapacitetet energjetike në Maqedoninë e Veriut së bashku.
Mali i Zi, lider në prodhimin e energjisë nga era
Vitin e kaluar, Mali i Zi prodhoi energji elektrike për të plotësuar nevojat e veta, madje pak edhe për eksport. Sipas të dhënave të zyrës së tyre të statistikave, vitin e kaluar janë prodhuar 3.776 gigavat energji elektrike për orë, ndërsa konsumi ka qenë 3.606 gigavat orë.
Mbi 60 për qind e energjisë elektrike në vendin më të vogël të rajonit, me rreth 620 mijë banorë, prodhohet nga burime të rinovueshme, kryesisht nga hidrocentrale të mëdha dhe një pjesë më e vogël nga turbinat me erë, të cilat në prodhim marrin pjesë me 8,5 për qind.
Objektet më të mëdha energjetike në Mal të Zi janë termocentrali i Plavës në veri të vendit, afër kufirit me Kosovën dhe hidrocentrali i Peruçicës afër Nikshiqit në pjesën qendrore të vendit. Vetëm ky hidrocentral prodhon energji elektrike, pothuajse aq sa të gjitha hidrocentralet në Maqedoninë e Veriut.
Bosnja dhe Hercegovina prodhon energji edhe për eksport
Bosnja dhe Hercegovina është i vetmi vend në rajon që prodhon shumë më tepër energji elektrike sesa i nevojitet. Sipas të dhënave të Komisionit Rregullator të Energjetikës atje, ky vend, me gati 3.3 milionë banorë, vitin e kaluar ka prodhuar mbi 17 mijë gigavat në orë energji elektrike, ndërsa konsumi ka qenë mbi 12 mijë gigavat orë.
Mbi 57 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga qymyri. Të dhënat tregojnë se mbi 9.800 gigavat orë prodhohen në termocentralet me qymyr, ndërsa mbi 6.300 gigavat orë janë nga hidrocentralet. Pjesa tjetër është nga centralet me erë, centralet diellore dhe hidrocentralet e vogla.
Bosnja ka pesë termocentrale të mëdha me qymyr. Më i madhi, në Tuzël, prodhon mbi 3.100 gigavat orë energji elektrike në vit.
Bosnja ka edhe rreth 15 hidrocentrale të mëdha, ndër to më i madhi është Vishegradi në lumin Drina, i cili prodhon rreth 1.000 gigavat orë në vit.
Kosova pothuajse gjithë energjinë elektrike e prodhon nga qymyri
Mbi 93 për qind e energjisë elektrike të prodhuar në Kosovë vjen nga qymyri në termocentralet Kosova A dhe B, pranë kryeqytetit Prishtina.
Sipas të dhënave të Komisionit Rregullator të Energjisë të Kosovës, vendi me 1.8 milion banorë vitin e kaluar ka prodhuar mbi 6.200 gigavat orë energji elektrike dhe ka konsumuar gati 6.900 gigavat orë, pra gati 10 për qind e energjisë elektrike është importuar.
Kosova ka potencial modest hidroenergjetik dhe vitet e fundit ka investuar në centrale me erë dhe diell./REL/