Murtezaj: Ka raste kur këngëtarë me renome kanë deklaruar të hyra vetëm 500 euro për një ndejë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se shumë shpejt do të fillojë aktivitetin për të evidentuar aktivitetet për veprimtarin gastronomi/hoteleri, këngëtar, si dhe sallonet e bukurisë në sezonin e verës.

Në një konferencë për medie të mërkurën, drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka thënë se kanë informata se shumë persona kanë deklaruar më pak se të hyrat në realitet.

“Nga inspektimet që kemi bërë, ka rezultuar se sektori i gastronomisë është njëri ndër sektorët që bën rreziqe në mospërmbushje të obligimeve tatimore. Në kuadër të kësaj, ne fillimisht kemi filluar me inspektime në terren dhe njëkohësisht kemi siguruar fakte e informata të cilat e kompletojnë dosjen qoftë person fizik ose person afarist me ç’rast kemi ardhur në përfundim gjithnjë duke menduar që të minimizojmë çdo mundësi çdo mundësi biznes ose person fizik të shmang pagesat tatimore”, tha ai.“Kjo mospërputhje sigurisht se do të reflektojë me veprimet tona dhe pastaj pas afateve të rregullta ne do të jemi të detyruar që fillimisht të bëjmë krahasimin e tyre me të dhënat që ne i kemi, ne do të vazhdojmë me procedurat tona ndëshkimore”.

Reklama e sponzorizuar

Murtezaj ka thënë se ka raste kur një këngëtar me emër ka deklaruar se në një ndejë apo dasmë ka fituar vetëm 400-500 euro, por në fakt dihet se fitimet në ngjarje të tilla mund të shkojnë deri 10 mijë euro. Ai ka thënë se ka edhe këngëtar që kanë deklaruar saktë.

“Ka raste më eklatante ose më evidente, ku një këngëtar që është konsideruar me emër dhe reputacion në estradën tonë kosovare ka deklarim 400-500 euro në një ndejë ose aheng, në diskotekë apo dasmë. Dihet që informatat tjera që i kemi evidente, çmime të tilla shkojnë 7000, 8000 apo 10000 mijë euro. Dhe kjo është një diskrepancë shumë e madhe. Ka edhe raste të tilla që kanë deklaruar saktë, për aq sa kanë të hyrat reale. Jemi të obliguar që të gjitha këto raste t’i trajtojmë kujdesshëm dhe gjithmonë aty ka shmangie të tilla qoftë me mosdeklarim apo nëndeklarim të veprojmë”, ka shtuar ai.

Në konferencë për media, Murtezaj ka shtuar se kanë shqiptuar rreth 1200 gjoba.

“Nga rreth 2 mijë inspektime që kemi pasur gjatë kësaj periudhe janë evidentuar disa shkelje të konsiderueshme, ku janë shqiptuar rreth 1200 gjoba. Gjobat ndoshta janë minore në raport me gjetjet”, ka thënë ai.