Bankat e mëdha në të gjithë Evropën po zbatojnë masa në vendin e punës për të ulur konsumin e energjisë ndërsa Rusia “shtrëngon” furnizimin e saj me gaz në kontinent.
Kremlini mbylli rrjedhën e tij të gazit natyror në Evropë përmes tubacionit kryesor Nord Stream 1 javën e kaluar dhe tha se nuk do ta rihapte atë derisa Perëndimi të heqë sanksionet kundër Moskës të vendosura pasi Rusia filloi agresioni mbi Ukrainën në shkurt.
Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bankat globale në Evropë kanë filluar me reduktimin e përdorimit të energjisë për t’u përgatitur për racionimin dhe ndërprerjet e energjisë para dimrit.
Në këtë drejtim, vendndodhjet e JPMorgan në Evropë kanë kryer simulime të ndërprerjes së energjisë.
Banka mund të përdorë gjeneratorë me naftë për të mbajtur disa zyra në funksion për disa ditë nëse situata përkeqësohet, ka thënë një person i njohur me çështjen.
Megjithatë, JPMorgan nuk pranoi të komentojë për Busindess Insider në lidhje me planet e saj të kursimit të energjisë.
Veç kësaj, gjiganti bankar gjerman Deutsche Bank i tha Reuters se po ndërpriste ujin e nxehtë në banja, po ndryshonte temperaturën në zyra dhe po mbyllte shatërvanin jashtë zyrës së tij kryesore në Frankfurt.
Banka gjithashtu tha se po i mbyllte reklamat e ndezura në natyrë dhe një pjesë të ndriçimit brenda vendeve të punës gjatë natës.
Gjithashtu edhe siguruesi zviceran Zurich tha për BI se planifikoi të fikte dritat e zyrës gjatë natës dhe të ndalonte përdorimin e dekorimeve që përdorin energji, duke përfshirë shatërvanët.
Ajo tha se nëse kriza energjetike përkeqësohet, do të mbyllte shërbimet si palestrën e kompanisë dhe do të hapte vetëm kate të caktuara të zyrave të saj.
Ndërkohë firma e këmbimit Euronext i tha Reuters se kishte gjeneratorë rezervë dhe se kishte rivlerësuar përdorimin e saj të energjisë që nga fillimi i luftës.
Banka më e madhe e Francës, BNP Paribas, gjithashtu ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim, raportoi Reuters, duke cituar një burim pranë bankës.
Megjithatë, nuk janë vetëm bankat ato që po përgatiten në këtë drejtim.
Qeveritë evropiane kanë marrë masa përpara dimrit për të parandaluar mungesën e energjisë.
Gjermania ka ndaluar “ngrohjen me energji intensive” të pishinave private të notit, ndërsa Finlanda u ka kërkuar njerëzve të kalojnë më pak kohë në sauna dhe dushe.