Rusia mbyll linjën kryesore të gazit të Europës derisa të hiqen sanksionet

Gazi
Gazësjellësi rus

Gazprom më parë tha se po ndalonte kalimin e gazit përmes Nord Stream 1 për shkak të një defekti teknik…

Furnizimi i Rusisë me gaz në Europë përmes gazsjellësit Nord Stream 1 nuk do të rifillojë plotësisht derisa “i gjithë perëndiumi” të heqë sanksionet kundër Moskës, që u vunë pasi ajo pushtoi Ukrainën, ka thënë Kremlini.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin, fajësoi sanksionet e BE-së, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë për dështimin e Rusisë për të ofruar gaz përmes tubacionit kryesor, i cili dërgon gaz në Gjermani nga Shën Petersburg përmes detit Baltik.

Reklama e sponzorizuar

“Problemet me dërgimin e gazit erdhën për shkak të sanksioneve që vendet perëndimore vendosën kundër vendit tonë dhe disa kompanive”, tha Peskov, sipas agjencisë së lajmeve Interfax. “Nuk ka arsye të tjera që mund të kenë shkaktuar këtë problem të dërgimit të gazit.”

Komentet e Peskov ishin më të ashprat deri më tani nga Kremlini, që kërkojnë që BE të heqë sanksionet e saj në këmbim të rifillimit të dërgesave të gazit nga Rusia në kontinent.

Gazprom, monopoli shtetëror i gazit i Rusisë, tha të premten se do të ndalonte furnizimin me gaz përmes Nord Stream 1 për shkak të një defekti teknik, për të cilin fajësoi vështirësitë në riparimin e turbinave të prodhimit gjerman, që po kryhet në Kanada.

BE-ja tashmë ka hequr disa sanksione kundër Rusisë në mënyrë eksplicite për të lejuar riparimin e turbinave. Udhëheqësit europianë kanë thënë se nuk ka asgjë që e pengon Gazpromin të furnizojë kontinentin me gaz dhe kanë akuzuar Rusinë se po përdor eksportet e saj të energjisë si një armë.

Rusia vazhdon të furnizojë Europën me gaz përmes tubacioneve të epokës sovjetike përmes Ukrainës që kanë mbetur të hapura pavarësisht pushtimit, si dhe tubacionit South Stream nëpërmjet Turqisë.

Por Peskov tha se Rusia nuk mund të rifillonte plotësisht furnizimet përmes Nord Stream 1 derisa perëndimi të hiqte sanksionet. Ai akuzoi vendet perëndimore se po shkaktojnë “probleme” duke mohuar garancitë ligjore të Gazprom se turbinat e dërguara për riparim do të kthehen në vend.

Por zyrtarët rusë nuk janë munduar shumë të fshehin javët e fundit shpresën se kriza në rritje energjetike në Europë do të dëmtojë mbështetjen e bllokut për Ukrainën. “Natyrisht që jeta po përkeqësohet për njerëzit, sipërmarrësit dhe kompanitë në Evropë,” tha Peskov. “Sigurisht, njerëzit e zakonshëm në këto vende do të kenë gjithnjë e më shumë pyetje për udhëheqësit e tyre.”

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ishte edhe më i qartë të dielën pasi kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi një paketë ndihme prej 65 miliardë eurosh për të zbutur goditjen e faturave në rritje të energjisë.

Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se Gjermania “po vepron si armike e Rusisë” duke mbështetur sanksionet kundër Moskës dhe duke furnizuar Ukrainën me armë. “Ata kanë shpallur luftë hibride kundër Rusisë”, shkroi Medvedev në Telegram. /FT/ monitor.al