Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se një nga vendimet e para të qeverisë së tij do jetë heqja e taksës te Rruga e Kombit.
“Një nga vendimet e para do të jetë heqja e taksës antikombëtare të Rrugës së Kombit. Edi Rama e vendosi atë taksë për të shprehur urrejtjen e tij ndaj ndërtimit të asaj rruge. Ai dërgoi grupin e tij për të bllokuar hapjen e tunelit të Kalimashit. Taksa dhe trau do të hiqen muajt e parë, në vendimet e para të PD-së,” tha Berisha.
Lidhur me projektin e Skavicës, Berisha tha se duhen protesta popullore.
“Institucionet e këtij vendi janë në dorë të një njeriu. Shqipëria është diktaturë e një partie. Çdo pushtet në këtë vend, buron nga PS. Kështu që ideja e kundërshtimit institucional të Skavicës është për fat të keq, fiktive.
“Kundërshtimi i vetëm është popullor. Qytetarët e Dibrës dhe mbarë shqiptarët, nuk duhet të lejojnë Edi Ramën që të zhdukën 40 fshatra të luginës së Drinit, pjesës më pjellore të Dibrës. Këtu mbetet një mobilizim popullor që asnjë kompani mund të mendojë se mund të ndëshkojë Dibrën me projekte të Enver Hoxhës, të zbatuar nga pasardhësi i tij, Edi Rama,” tha Berisha, raporton Gazeta Blic.