Që nga 1 shtatori, qytetarët e Kosovës nuk janë përballur më me kufizime të energjisë elektrike. Edhe pse ky shqetësim është zgjidhur të paktën përkohësisht, varësia nga thëngjilli mbetet problematike, pasi që Kosova synon të jetë e dekarbonizuar deri në vitin 2050.
Termi dekarbonizim nënkupton reduktimin e karbonit, apo uljen e emetimit të gazrave serrë në atmosferë, dhe shihet si një ndër mundësitë për luftimin e ngrohjes globale. Kosova i është bashkuar kësaj nisme evropiane me qëllim të parandalimit të rreziqeve, për të cilat paralajmëron edhe organizata Climate Links, e financuar nga Agjencia për Zhvillim e SHBA-së (USAID).
“Sektorë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në Kosovë, si agrikultura dhe industria, janë të pambrojtur ndaj mungesës së ujit, valëve të të nxehtit, thatësisë dhe përmbytjeve”, thuhet në përmbledhjen e Climate Links për Kosovën.
Të dhënat lidhur me emetimin e gazrave serrë në Kosovë janë të mangëta, mirëpo Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) raporton se ndotësi kryesor është sektori i energjisë, i cili ishte përgjegjës për 86% të dyoksidit të karbonit të emetuar në atmosferë, gjatë vitit 2019.
Zyra e Statistikave e Bashkimit Evropian (Eurostat) ofron të dhëna që ilustrojnë dallimin në këtë aspekt mes vendeve të BE-së, Kosovës dhe disa vendeve të rajonit.
Analisti i Financave të Energjisë nga Instituti për Ekonomi të Energjisë dhe Analizë Financiare në Mbretëri të Bashkuar (IEEFA), Arjun Flora, beson se Kosova mund t’i arrijë synimet për dekarbonizim duke u përqendruar në projekte për reduktimin e energjisë së humbur shkaku i rrjetit të vjetër, si dhe në instalimin e centraleve diellore dhe të erës.
“Pasi që këto [projekte] konsiderohen si investime të qëndrueshme, Kosova duhet të ketë qasje në tregjet ndërkombëtare dhe investitorë të huaj për financimin e këtij tranzicioni [nga lëndët djegëse në burime të ripërtërishme]”, thotë Flora.
Ndikimi i varësisë nga thëngjilli
Si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, Kosova është prekur nga një krizë globale energjetike, e cila i ka sfiduar konsumatorët jo vetëm me fatura më të shtrenjta, por edhe me mungesë të energjisë elektrike.
Sipas Liron Gjocajt, ekspert i energjisë nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në Prishtinë, problemi qëndron te varësia nga thëngjilli si burim i vetëm.
“Kur kemi llojllojshmëri të burimeve, atëherë edhe parandalimi i krizave, por edhe tejkalimi i tyre bëhet shumë më i lehtë. Kjo, për shkak se kur kemi vetëm një armë, siç e kemi ne thëngjillin, ballafaqimi me një krizë kaq të madhe është shumë i vështirë”, shprehet Gjocaj, duke iu referuar krizës botërore energjetike, e cila është përkeqësuar pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.
Rreth 94% e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, ndërsa pjesa tjetër nga burimet e ripërtërishme të energjisë, ku përfshihen: hidrocentralet, centralet e erës dhe panelet diellore.
Kjo varësi ndaj thëngjillit është problematike jo vetëm sa u përket shqetësimeve për ndryshime klimatike dhe furnizimit me energji elektrike, por edhe për koston shëndetësore.
Një hulumtim i këtij viti i Institutit “Musine Kokalari” në Prishtinë konstatoi se kostoja për shëndetin për vitin 2019 ka arritur në mbi 11 milionë euro. Kjo kosto llogaritet në bazë të shumës që shpenzohet për trajtimin e sëmundjeve të frymëmarrjes, kancerit të mushkërive, sëmundjeve të zemrës, veshkave dhe cilësisë së reduktuar të jetesës.
“Duke e mbajtur artificialisht të ulët çmimin e qymyrit dhe duke mos e kalkuluar koston eksternale në çmimin e prodhimit, po mirëmbahet miti se qymyri është zgjidhja më e lirë për gjenerim të energjisë. Rrjedhimisht, kjo po i përjashton burimet e tjera alternative të energjisë si të papërballueshme”, thuhet në këtë raport.
Opsioni alternativ: Burimet e ripërtërishme të energjisë
Ministria e Ekonomisë e Kosovës, përgjegjëse për sektorin e energjisë, ka paralajmëruar përqendrim në burime të ripërtërishme të energjisë në të ardhmen.
Deri në vitin 2031 synohet të rritet kapaciteti i energjisë së prodhuar nga këto burime në 35% të konsumit total – synim ky i kënaqshëm për ekspertin e energjisë, Flora.
“Është e vështirë të komentohet gjerësisht pa i ditur caqet individuale për secilën teknologji të burimeve të ripërtërishme. Por, në përgjithësi, mendoj se synimi prej 35% është një nivel i mirë i ambicies për Kosovën deri më 2031”, thotë Flora.
Megjithatë, deri në arritjen e këtij synimi ka ende kohë. Ministria e Ekonomisë është ende duke punuar në draftin final të Strategjisë për Energjinë.
“Strategjia ende nuk e ka marrë formën finale, ende është duke u punuar në të, bazuar në komentet që kanë ardhur, kështu që nuk ka një datë [të përfundimit] që mund ta them sot”, thotë për REL-in Sabit Gashi, zëvendës i drejtorit të Departamentit të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë.
Ndërkaq, Gjocaj, nga INDEP, thotë se është i kënaqur me përmbajtjen e draft-Strategjisë, por shpreh shqetësim për, siç thotë, mungesën e metodave të arritjes së objektivave.
“Mënyra se si do të arrihet deri në vitin 2031, prapë nuk kemi. Prapë po mungon, të themi, vënia e themelit të arritjes së këtyre objektivave, për shkak se ne mund të themi që në vitin 2031 do të kemi 1.400 megavate me burime të ripërtërishme, por së pari nuk kemi skema mbështetëse, investime të jashtme nuk kemi, investimet e brendshme janë të pakta”, thotë Gjocaj.
Sipas Gashit, shtimi i kapaciteteve të prodhimit të energjisë nga panelet diellore mund të nisë edhe para përfundimit të Strategjisë. Ministria synon ta bëjë këtë përmes planifikimit të skemës së ankandit, që nënkupton shpalljen e një thirrjeje për kandidatë, nga të cilët do të përzgjidheshin ofertat më të mira.
Mënyra se si janë përzgjedhur deri tani kompanitë kandidate në këto thirrje, është problematike për rregullativën ligjore, thotë drejtori i kompanisë Evroenergie me seli në Prishtinë, Hamdi Malushaj.
“Rregullativa ligjore e ka bllokuar sektorin e energjisë, e sidomos energjinë e burimeve të ripërtërishme. Nuk ka pasur mundësi [për] investime të vogla. Nga ana tjetër, kush shkon i pari, e bën kërkesën, e merr lejen. Leje kanë marrë të gjithë ata që nuk kanë pasur edhe lekë të investojnë… edhe kanë mbetur lejet e parealizuara”, thotë Malushaj për Radion Evropa e Lirë, por pa specifikuar se për kë e ka fjalën.
Nga Zyra e Rregullatorit Energjetik (ZRRE) bëjnë të ditur për REL-in se nuk është lëshuar ende asnjë autorizim për ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha për energji të ripërtërishme, për dallim nga autorizimet për gjeneratorë më të vegjël për vetëkonsum.
Çfarë po bën Kosova për shtimin e kapaciteteve të këtyre burimeve?
Këtë vit, kur lufta në Ukrainë e ka përballur Evropën me një krizë energjetike shkaku i ndalesave të gazit rus, Kosova ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në SHBA, që përqendrohet në projekte të sektorit të energjisë dhe arrin shumën prej 236.7 milionë dollarësh.
Ky grant parasheh që 202 milionë dollarë të investohen nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër të mbulohet nga Qeveria kosovare dhe të shërbejë në rrugën e Kosovës drejt dekarbonizimit.
Rol kyç për arritjen e këtij qëllimi pritet të luajë Projekti për Ruajtjen e Energjisë, pasi që bateritë që mundësojnë konservimin e energjisë, janë pjesë e rëndësishme e infrastrukturës për burimet e ripërtërishme të energjisë.
Në fund të vitit të kaluar është nënshkruar edhe një marrëveshje me Danimarkën për investime në sektorin e energjisë së burimeve të ripërtëritshme në Kosovë. Marrëveshja, që përfshin edhe projekte që nuk kanë të bëjnë me sektorin e energjisë, arrin vlerën prej 30 milionë eurosh dhe tashmë ka filluar të punohet në zbatimin e saj.
“Ata [Qeveria daneze] janë duke e dizajnuar një plan të mbështetjes për zhvillimin e kapaciteteve institucionale, përfshirë Ministrinë e Energjisë, ZRRE-në dhe KOSTT-in [Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë]”, tregon Gashi, nga Ministria e Ekonomisë, duke shtuar se kjo është vetëm faza e parë e projektit.
A janë burimet e ripërtërishme të energjisë zgjidhje?
Pavarësisht investimeve të huaja dhe synimeve të Kosovës për të qenë e dekarbonizuar deri më 2050, eksperti i energjisë dhe partneri menaxhues në kompaninë “Elen” në Prishtinë, Lulzim Syla, është më skeptik për potencialin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.
“[Energjia nga burimet e ripërtërishme] nuk mund të jetë zgjidhje e plotë për problemet, pasi që energjia solare prodhon energji vetëm gjatë ditës. Gjithashtu, kapacitetet e reja me energji të erës nuk janë stabile, shkaku që era nuk fryn çdo minutë, çdo orë ose çdo ditë. Prandaj, këto burimet e ripërtërishme të energjisë kanë nevojë për gjenerues stabil që e furnizon Kosovën me energji elektrike dhe termike në baza të rregullta”, thotë Syla
Sa i përket potencialit aktual të burimeve të ripërtërishme të energjisë, nga ZRRE-ja kanë bërë të ditur se Kosova mund ta mbulojë rreth 25-30% të konsumit total vjetor përmes centraleve të erës, ndërsa rreth 15-17% përmes energjisë diellore.
“Për integrimin e burimeve të ripërtërishme do të duhet të ndërtoheshin edhe kapacitete akumuluese, për faktin se energjia nga burimet e ripërtërishme të energjisë është energji e paqëndrueshme dhe vështirë e parashikueshme”, thonë nga ZRRE-ja.
Megjithatë, një raport i IEEFA-së vlerëson se Kosova ka më shumë potencial për energji diellore dhe me erë sesa Britania e Madhe apo Gjermania. Për këtë arsye, Flora, nga kjo organizatë, beson se energjia e burimeve të ripërtërishme është opsioni më i arsyeshëm për Kosovën.
“Që nga publikimi i atij raporti më 2020, gazi dhe thëngjilli janë shtrenjtuar shumë dhe pritet që çmimet të mbeten të larta edhe për shumë vite të tjera. Kjo do të duhej t’i përjashtonte diskutimet për gazin si burim energjie në Kosovë”, thotë Flora.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Korporatën Energjetike të Kosovës lidhur me këtë temë, por nuk ka marrë përgjigje. /REL/