Edhe kësaj radhe, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, dhe të bërit publik të tij, më konkretisht prezantimit të Pakos qeveritare për përballimin e inflacionit, dolën shumë zëra, madje më shumë se sa nga përkrahësit e këtij vendimi, që tani kanë zënë ta kundërshtojnë atë dhe ta vlerësojnë si të pamjaftueshme, jo gjithëpërfshirëse dhe si zgjidhje gjysmake e momentit.
Buletini Ekonomik
Qeveria e Kosovës në një nga mbledhjet e fundit të saj të mbajtura gjatë tetorit, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për mbështetjen e pensionistëve dhe të familjeve në asistencë me nga 100 euro shtesë. Për ta përmbushur këtë vendim, që është pjesë e Pakos për përballimin e inflacionit, siç thanë autoritetet qeveritare, janë dedikuar mbi 28 milionë euro. Ndërsa, mbështetja financiare e disa kategorive të qytetarëve të Kosovës (në kuadër të Pakos së përballimit të inflacionit) nuk përfundon vetëm me pensionistë dhe me familje në asistencë sociale.
Në përkrahje të qytetarëve, tani dhe në muajt në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballje me Inflacionin. Në këtë pako janë përfshirë pos pensionistëve dhe dhe familjeve në asistencë, edhe disa kategori (studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike). Të papunët dhe sektori privat nuk janë përfshirë në këtë pako, që ka për qëllim zbutjen e inflacionit.
Në fakt, kjo pako e qeverisë, për sektorin privat ka premtuar se do ta ndihmojë vetëm në qoftë se bëjnë punëdhënësit ua rrisin rrogat punëtorëve, me ç’rast Qeveria do të subvencionote rritjen e pagës me 50% për tre muaj.
Pakoja parasheh edhe subvencionim të faturës së energjisë për ata që kursejnë, por që nuk ka filluar të zbatohet ende.
Mirëpo, edhe kësaj radhe, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, dhe të bërit publik të tij, dolën shumë zëra, madje më shumë se sa nga përkrahësit e këtij vendimi, që tani kanë zënë ta kundërshtojnë atë dhe ta vlerësojnë si të pamjaftueshme, jo gjithëpërfshirëse dhe si zgjidhje gjysmake e momentit. Kundërshtimi po ngjason përafërsisht njësoj siç ndodhi në muajin prill kur Qeveria -pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve në Kosovë, ua ndau nga 100 euro, me ç’rast për të përmbushur obligimet e këtij vendimi, shteti i Kosovës shpenzoi 100 milionë euro.
Çuditërisht, edhe tani, kundërshtarët më të ashpër dhe më të zëshëm dolën të jenë mu ata persona e subjekte, që bënë presion të madh në qeverinë e Kosovës, për të shpërndarë ndonjë ndihmë financiare, me qëllim për t’i zbutur pasojat e gjendjes sociale që ka kapluar vendin nga ngritja e çmimeve si pasojë e post-pandemisë dhe shpërthimit të luftës ruso-ukrainase.
Ndërsa, ekspertët dhe ekonomistët, me leksik më të matur i bëjnë shumë vërejtje kësaj pakoje ndihmash qeveritare.
Ish-Ministri i Financave, Haki Shatri, tha për medie se një shumë e tillë e mjeteve, nuk e zbut situatën me çmimet e larta në vend.
“Këto 100 euro janë asgjë për t`i bërë ballë inflacionit. Mjaftojnë veç me i shty dy a tri ditë”, u shpreh Shatri.
Ekonomisti Imer Raçi, shpreh drone se madje lëshimi i tillë i parave në treg, mund ta përkeqësojë akoma më shumë situatën.
“Nuk është e mjaftueshme që vetëm me lëshim të parave në treg të mundohemi që qytetarëve t’u vimë në ndihmë për përballjen e inflacionit, sepse çdo para e lëshuar në treg mund të ketë edhe efekte negative, pra të ndikojë në rritjen e çmimeve për nivelin e parave të lëshuara në treg, pra më thjeshtë ‘’një zero më shumë tek çmimet dhe pagat paraqet zero rritje të standardit të jetës’’, theksoi ai.
Raçi thotë se inflacionit mund t`i bëhet ballë duke ua rritur pagat qytetarëve.
“Rritja e pagave është tejet e nevojshme për qytetarët. Mirëpo, kjo rritje duhet të përcillet me përcaktimin e çmimeve tavan për produktet bazike për jetë sepse ata po shënojnë rritje edhe kur kostoja e prodhimit të tyre nuk ka shënuar rritje”, deklaroi Raçi për medie.
Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i OEK-ut, tha se “të papunët nuk janë përshirë dhe nëse buxhetin e konsumimit të shtetit e bënë sektori privat, pse të mos jenë në këtë pako edhe punëtorët e këtij sektori”.
Kurse ekonomisti Erton Bega, tha se në dy elemente Pakoja për Zbutjen e Inflacionit, është e duhura.
“Pakoja për zbutjen e inflacionit, të cilën e ka prezantuar qeveria, në dy elemente është ajo e duhura, ajo e cila lidhet me subvencionimin e energjisë elektrike dhe ajo e cila lidhet me pranimin e inflacionit në punë publike. Përderisa masat e tjera vazhdojnë të jenë populliste”, tha ai.
Bega konsideron se buxheti nuk duhet ndarë për të gjithë njësoj.
“Shpërndarje e buxhetit në mënyrë paushall, qoftë në skema sociale apo edhe sektorin publik ku të gjithë trajtohen në mënyrë të njëtrajtshme me nga 50 euro shtesë, duke mos marrë parasysh indeksin e saktë të kostos së jetesës dhe si e tillë nuk do të shuajë pakënaqësitë sociale të cilat kanë lindur si rezultat i krizës ekonomike e që kanë ardhur si pasojë e inflacionit në mbarë globin”, tha ai.
Rreth efekteve të këtyre ndihmave edhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë qenë të ndarë në mendime. Ç’është e vërteta, ky vendim qeveritar, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, është ad-hoc zgjidhje, paksa i ngutshëm nga imponimi i gjendjes së rënduar sociale dhe ka të mirat dhe mangësitë evidente të tij. Prandaj, para ngulmimit për të mohuar rëndësinë e këtyre ndihmave, por edhe para miratimit me duartrokitje të këtyre masave, është e udhës të analizohet më detajisht, më me gjakftohësi dhe më gjithanshëm vendimi dhe ndikimi real i tij në gjendjen sociale të rënduar të popullsisë kosovare. Duhen fakte konkrete për t’u kritikuar një vendim i tillë në këtë kohë krize, por duhen edhe argumente për ta miratuar shpenzimin e një shume kaq të madhe parash të buxhetit të vendit kaq shpejtë dhe kaq lehtësisht.
Janë realiste deklarimet e disa analistëve që u deklaruan se për ta është goxha e pakuptueshme “të përfitojnë njëjtë edhe ai që ka pagën 200 euro, edhe ai që ka pagën 900 euro”, dhe ata që shprehën mospajtimin e tyre që në ndihmë “nuk janë përfshirë të papunët dhe punëtorët që punojnë në bujqësi”, sikundër që nuk janë të përfshirë të gjitha kategoritë e punëtorëve, e sidomos ata pa kontrata pune, që në sektorin privat vlerësohet të jenë rreth 50% syresh.”
Nuk do të ishte keq të analizohet edhe teza e një analisti që shprehet dhe përkrahë idenë që këto para, meqenëse nuk zgjidhin edhe aq shumë gjendjen e rënduar të shumicës së kosovarëve, madje as që e zbusin këtë gjendje, të orientohen në projekte kapitale gjeneruese.
“Përse këto para që do ju ndahen në këtë Pako këtyre kategorive, nuk shkojnë në projekte zhvillimore që mund të garantojnë punësim të qëndrueshëm”, shtron pyetjen ai.
Dhe, po të analizohen deri në detajin më të vogël efektet e këtyre ndihmave në mënyrën se si do t’u shpërndahen kosovarëve dhe si rëndom konsumohen paratë e ndihmave dhe efektet e ndërtimit me këto para të ndonjë projekti, që po aq sa buka i nevojitet Kosovës, ka shumë gjasë dhe mundësi që del më i favorshëm dhe më i efektshëm investimi në ndonjë projekt që nuk do të tejkalonte këtë shumë parash, por që në anën tjetër do të kishte efekte të mëdha ekonomike afatgjata.
Paratë e shpërndara si ndihma në formën siç ka marrë vendimin qeveria, dihet që do të shpenzohen për nevoja më urgjente të familjeve të varfëra dhe për ndonjë vikend relaksues në bregdetin shqiptar, apo në atë të Malit të Zi, nga familjet e pasura kosovare, përfituese të njëjta të ndihmës qeveritare. Dhe si të tilla, do të shpenzohen fare shpejtë dhe pa ndonjë efekt të vërejtshëm. Fundja, aktualisht, në këtë kohë të shfrenimit të çmimeve, me 50 e 100 euro edhe nuk mund të plotësosh ndonjë nevojë shumë të madhe familjare dhe më afatgjate.
Ndërkohë që efektet e ndërtimit të një projekti tepër të nevojshëm për vendin, siç është ta zëmë, një temocentral solar, në bazë të diellit dhe të kapacitetit imponues dhe që nuk do të tejkalonte 100 milionëshin me investime në asnjë mënyrë, do të ishin edhe urgjente edhe afatgjata dhe me ndikim shumë të favorshëm në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, në këtë kohë të mungesës së madhe të rrymës.
Të jemi më konkret, projekti i madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh) me emërtimin “Solar4Kosova”, që vlerësohet si një nga centralet më të mëdha diellore në Evropë, është paraparë të kushtojë 64 milionë euro. Dhe ky projekt i planifikuar të realizohet, ka për synim që krahas prodhimit të energjisë elektrike për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, t’i bashkangjitet edhe sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit. Prandaj, duhet të analizohet dhe të studiohet deri në detaje, a do të ishte më e leverdishme që kjo pako ndihmash ‘ad hoc’ dhe pa ndonjë “gjurmë” për t’u mbajtur gjatë mend, të orientohet në ndërtimin e një termocentrali tjetër solar, madje me kapacitet edhe më të madh se “Solar4Kosova”, sepse është fjala për 150 milionë euro që janë dyfish e gjysmë i çmimit të “Solar4Kosova”.
Me këto para, poashtu, Kosova fare lehtë do të mund të ndërtonte një park tjetër në bazë të energjisë me erë, përafërsisht me kapacitet të përafërt me atë të Parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, inaugurimi i të cilit muaj më parë na bëri të gjithëve kosovarëve të krenohemi me të. Me këto para, fare lehtësisht, do të rindërtohej, ose do të bëhej “fingo” i ri, me të gjitha standardet dhe më tërë parametrat perëndimor për mbrojtjen e ambientit, njëri nga 3 blloqet e Kosovës A (qoftë A3, A4, apo A5-shi) të planifikuara më herët të rindërtohen me gjithsej 200 milionë euro.
150 milionë euro janë para e madhe dhe prandaj janë të panumërta objektet që do të ndërtoheshin me këto para dhe që Kosova do të përfitonte shumë nga pasja e sa më shumë megavatëve të rrymës, nga mbrojtja e ambientit, rritja e numrit të të punësuarëve e kështu me radhë. Dhe këto janë disa nga arsyet që para se të vlerësohet dhe të gjykohet apriori pakoja e fundit qeveritare e ndihmave, të kihen parasysh shuma e madhe e parave të buxhetit që do të shkojë në këto ndihma, efektshmëria e tyre, por edhe alternativat që në të ardhmen në vend të intervenimeve sociale momentale, këto para të orientohen në projekte gjeneruese aq të nevojshme për vendin. /Buletini Ekonomik/