Muaji tetor shënon afatin optimal për mbjelljen e kulturës së grurit. Në vendin tonë, gruri është kultura që zë sipërfaqen më të madhe të kultivimit, mirëpo edhe përkundër këtij fakti, Kosova ende importon sasi të konsiderueshme të grurit, për shkak të mospërmbushjes së nevojave të saj me të mbjellat vendore. Një faktor me rëndësi i kësaj gjendje është edhe rendimenti i ulët i sipërfaqeve të mbjella me grurë.
Në bazë të Ministrisë së Bujqësisë, rendimentet e ulëta që realizohen në Kosovë janë pasojë e disa faktorëve, ku ndër më të rëndësishmit janë mospërdorimi i agroteknikës adekuate, përdorimi i farërave jo cilësore për mbjellje dhe harmonizimi jo i drejtë i racioneve ushqyese të bimëve sipas fazave të rritjes dhe zhvillimit të tyre.
Nga kjo ministri theksojnë se fermerët vendor prodhimin e grurit duhet ta mbështesin në zbatimin e teknologjive të reja kultivuese dhe në zbatimin e masave të përkujdesjes gjatë periudhës vegjetative konform kalendarit agronomic, për të pasur rendimente të kënaqshme, përcjell Buletini Ekonomik.
Përmes kësaj ministrie, Shërbimi këshillimor bujqësor rural i Kosovës iu ka rekomanduar bujqëve se tani është momenti më i volitshëm për përgatitjen e tokës për mbjellje pas shirave të fundit.
Sipas tyre, tani rekomandohet qe të përcillet koha dhe të gjendet momenti më i volitshëm për lëvrimin dhe përgatitjen e tokës varësisht nga lloji i tokës dhe vendi ku është planifikuar mbjellja.
Koha më e mirë për mbjelljen e grurit, sipas Këshillit këshillimor bujqësor, është periudha ndërmjet 5 dhe 30 tetorit, por mundet edhe më vonë nëse lejojnë kushtet atmosferike. Ata thonë se gruri i mbjellë në kohë të mirë do të kalitet.
“Pas thatësisë së gjatë verore, shiu i ditëve të fundit ka qenë i mirëseardhur. Shfrytëzojeni kohën e volitshme që të përgatisni tokën për mbjellje të tërë sipërfaqes së planifikuar për mbjellje”, thuhet në njoftimin me këshilla për bujqit nga MBPZHR-ja.
Përmes lëvrimit me kohë dhe kualitativ të tokës për grurë, sipas tyre, mundësohet rritja dhe zhvillimi optimal, prandaj në procesin teknologjik të prodhimtarisë së grurit vlerë të madhe ka ndërmarrja dhe zbatimi kualitativ i lëvrimit të tokës.
Ndërkaq, mënyra më e keqe e mbjelljes vlerësoet se është mbjellja me dorë, ku për këtë arsye rendimentet zvogëlohen, andaj preferohet të mbillet me makinë mbjellëse. Gjithashtu, nga ky organ këshillojnë që të bujqit të kenë kujdes edhe në përzgjedhjen e farës dhe plehut cilësor, duke iu bërë thirrje të bashkëpunojnë me ekspertët komunalë dhe me ekspertë të shitjeve të imputeve.
“Për informata shtesë mund të kontaktoni këshilltarët në teren ku në secilën komunë mund të lajmëroheni në Drejtorinë – Zyrën për Bujqësi, ose në zyrën qendrore të Shërbimit Këshillimor, si më poshtë;
Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike, MBPZHR
Rr. “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish-Ramiz Sadikut, nr 120 Kati III, Prishtinë – Kosova
Tel. 383- (0)3820038426”, thuhet tutje në njoftim. /Buletini Ekonomik/