Edhe LDK-ja e AAK-ja kundër masave të përkohshme në produktet themelore

Kuvendi i Kosovës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë lidhur me Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se me këtë Projektligj po bëhen shkelje kushtetuese.

“Kërkoj falje që ky fjalim i imi mund te tingëllojë si ligjëratë por nuk kemi mundësi të shprehemi ndryshe kur në kuvend na sillni ligje të tilla. Ky ligj nuk është në pajtim me Kushtetutën. Me vendosjen e çmimeve tavan ju nuk mund ti ulni çmimet në bizneset e mëdha, do të arrini të ndërhyni në biznese të vogla në fshatra dhe qytete dhe askush përveç tregtarëve të mëdhenj nuk do të përfitojë”, ka thënë Bajrami.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka shtuar se me vendosjen e çmimit tavan Qeveria po mohon konkurrencën.

“Nenin 5 të këtij ligji nuk mund ta gjeni as në diktaturat më të këqija”, është shprehur Bajrami.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk do ta votojë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.

Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj ka thënë se ky Projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe dëmton rëndë tregun e lirë.

“Ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë sesa për këtë projektligj. Këtë projektligj nuk do ta përkrahim në parim. Ne do ta përkrahim vetëm atëherë kur bëhen ndryshime rrënjësore. Ne do të votojmë kundër sepse ministrja nuk na ka bindur se shkon në favor të qytetarëve por e dëmton rëndë tregun e lirë”, ka thënë ai.

Lekaj ka thënë se dëmton interesat dhe funksionimin e rregullt të firmave dhe kompanive prodhuese në Kosovë.