Ndërrimi i elektrofiltrave në Kosovën B, nis në vitin 2024

Termocentrali 'Kosova B'

Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave fillimisht është planifikuar të fillojë në muajin qershor të vitit 2020 në bllokun B1, ndërsa më 1 mars të vitit 2021 në bllokun B2. Por, siç theksojnë zyrtarët e KEK-ut, për arsye të pandemisë që në këtë periudhë përfshiu edhe Kosovën, ky afat u shty për një vit. Më pastaj, projekti u shty edhe disa herë, dhe më në fund siç ka theksuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, “projekti i ndërrimit të filtrave në termocentralin Kosova B pritet të fillojë zbatimin tek në vitin 2024”.

Mehmet GJATA

Termocentralet Kosova B, sado që kanë diku mbi 15 vjet më pak punë se Kosova A, sipas standardeve botërore të operimit të një termocentrali, edhe ato vlerësohen tashmë si të vjetra. Dihet, ato kanë filluar prodhimin që më 1979, që i bie se janë në proces të punës së pandërprerë, hiç remontet e planifikuara dhe ato nga ndonjë defekt teknik të rastit, diku rreth 44 vjet. Por, siç vlerësojnë me bindje ekspertët e KEK-ut, termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem, nëse u bëhen ca riparime të domosdoshme.

Sipas ekspertëve të KEK-ut, me dy- tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha, “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet. Pra, po qe se bëhen pa vonesa të mëdha riparimet e planifikuara në to, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045-2050.

Reklama e sponzorizuar

Për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B kaherë është parashikuar dhe është planifikuar të vendosen elektrofiltrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me vendosjen e filtrave te B-ja, përkatësisht instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne, dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër.

Pra, ishte planifikuar dhe paraparë nga ekspertë brenda dhe jashtë KEK-ut, që në kuadër të projektit të instalimit të elektrofiltrave, po ashtu të bëhet edhe ripërtëritja dhe vendosja e stabilimenteve të reja të transportit të brendshëm të hirit, dhe projekti i ashtuquajtur “DeNOx” në kalldatë e termocentraleve B1 dhe B2. Bëhet fjalë për ndërhyrje riparuese dhe ripërtëritëse në stabilimentet e procesit të djegjes për t’i reduktuar gazrat e liruara nga linjiti.

Fondi prej 76.4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B, është i siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019. Më saktësisht kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet fondeve IPA.

Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave fillimisht është planifikuar të fillojë në muajin qershor të vitit 2020 në bllokun B1, ndërsa më 1 mars të vitit 2021 në bllokun B2. Por, siç theksojnë zyrtarët e KEK-ut, për arsye të pandemisë që në këtë periudhë përfshiu edhe Kosovën, ky afat u shty për një vit. Pas kësaj shtyrjeje, parashihej që në njësinë B1 të Kosovës B, punët në projektin për instalimin e elktrofiltrave të nisin më 1 mars 2021, kurse në B2 me 1 mars 2022. Dhe edhe ky afat, edhe pse ishin të siguruara mjetet e nevojshme për këtë investim kaq të nevojshëm, u shty sërish për një vit tjetër. Tashmë pos pandemisë, si shkaku për shtyrjen e afati të dytë zyrtarët e KEK-ut apostrofojnë edhe nevojën për intervenime-riparime shtesë në kazan (dilatimeve). Dhe tani, pas shtyrjes së tretë me radhë, planifikohej që nisja e punëve për implementimin e projektit për vendosjen e elektrofiltarave në bllokun B2, të fillojë në muajin prill të vitit 2023, ndërsa kjo punë në B1 të nisë në prill të 2024-tës.

Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve kanë një kosto goxha të kushtueshme për KEK-un dhe mjetet e parapara si të nevoshme për këto riparime- diku rreth 20 milionë euro) duhet t’i sigurojë vet KEK-u.

“KEK-u me rishikim të buxhetit ka dedikuar rreth 11 milionë euro për projektin e dilatimeve (riparimet shtesë në kazanët e Kosovës B), dhe tashmë është inicuar kërkesa për këtë investim dhe ky inicim tashmë është në procedurë të prokurimit”, kanë saktësuar për Buletinin Ekonomik, zyrtarë të KEK-ut.

Por, siç ka theksuar kohë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes IPA III ndërmjet Kosovës dhe BE-së, në vlerë 64 milionë eurove, do të ketë edhe një shtyrje të nisjes së punëve për ndërrimin e elektrofiltrave në Kosova B.

Sipas Bislimit, “projekti i ndërrimit të filtrave në termocentralin Kosova B pritet të fillojë zbatimin në vitin 2024”. Bislimi ka njoftuar numrin e madh të projekteve që janë realizuar në IPA II, duke thënë se projektet të cilat kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime, i kanë bartur në IPA 2021.

“Ndërkaq për projektet të cilat kanë përfunduar dhe kanë rezultuar me kursime, të njëjtat kursime i kemi bartur tutje në IPA 2021 në mënyrë që të sigurohemi që asnjë cent të granteve që vijnë nga BE të mos humbin. Duke parë rëndësinë që ka projekti i vendosjes së filtrave në Kosovën B, shumicën absolute të mjeteve të kursyera i kemi bartë tek projekti i filtrave për Kosovën B, i cili pritet të fillojë me zbatim në vitin 2024” – ka thënë me këtë rast Bislimi.

Fondi prej 76.4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për finalizimin e këtij projekti rivitalizues në Kosovën B, siç u tha më lartë, është i siguruar nga BE-ja dhe nga KEK-u. Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosova B do t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut.

Ndërsa në interesimin e Buletinit Ekonomik se pas gjithë këtyre shtyrjeve të afateve për t’ia nisur punëve për zbatimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, a do të ketë rrezik eventual që BE-ja t’i bie pishman për t’i investuar mjetet financiare të premtuara dhe të kontraktuara, ndër zyrtarët e BE-së pati përgjigje të ndryshme. Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, ka qenë kategorik dhe i prerë dhe sipas tij, as që mund të bëhet fjalë për ndonjë tërheqje eventuale të BE-së nga projekti megjithë këto prolongime të nisjes së zbatuari të tij dhe se sipas tij projekti në fjalë është i BE-së, prandaj nuk mund të ndodhë tërheqja. Pati edhe skeptikë nga zyrtarë të tjerë. Ndërsa një ekspert dhe njohës i mirë i zhvillimeve në KEK, në kushte anonimiteti tha për Buletinin Ekonomik, se gjithçka është e mundur, duke shtuar se askush nuk të pret pafundësisht dhe se gjithnjë duhet pasur parasysh se BE-ja, përfaqësuesit kompetentë të tij, edhe mund të irritohen nga gjithë këto shtyrje të projektit dhe nuk është e pamundshme që të humbasin gjithë këto mjete të premtuara dhe të kontraktuara. /Buletini Ekonomik/