Pas disa shtyrejve të realizimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm jo vetëm statistikor, Qeveria e Kosovës, në mbledhjën e fundit ka vendosur që regjistrimi të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2023, përkatësisht nga 1 shtatori deri më 1 tetor të vitit që vjen. Në ASK theksojnë se janë të gatshëm për ta realizuar suksesshëm këtë proces të rëndësishëm për vendin.
Buletini Ekonomik
Më në fund, është vendosur për organizimin e procesit të radhës të regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë. Pas disa shtyrjve të realizimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm jo vetëm statistikor, Qeveria e Kosovës, në mbledhjën e fundit ka vendosur që regjistrimi do të zhvillohet në vjeshtën e vitit 2023, përkatësisht nga 1 shtatori deri më 1 tetor të vitit që vjen. Regjistimi i radhës i popullsisë në Kosovë, siç dihet, do të duhej të zhvillohet që më 2021, saktësisht 10 vjet pas regjistrimit të fundit të bërë në Kosovë, të mbahet sivjet.
Mirëpo, në vendin tonë, shtyrja e e procesit të regjistrimit më 2021, u bë fare lehtësisht me arsyetimin e ekzistimit të pandemisë, por edhe të zgjedhjeve.
Sipas zyrtarëve të ASK-së, regjistrimi u shty, me rekomandime të asociacioneve kompetente ndërkombëtare, siç është Eurostati, për shkak të përhapjes së pandemisë edhe në vendin tonë, por edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale, të cilat ishin të parapara të mbahen po në këtë vit. Mirëpo, sado që pas shtyrjes së regjistrimit më 2021, asnjëherë nga zyrtarët dhe statistikanët e ASK-së, nuk u tha saktësisht se kur do të mbahet ky proses, në një farë mënyre , pritej që regjistrimi të bëhet sivjet, pra më 2022. Dhe, siç u pa tani, do të ndodhë edhe një vit shtyrje, pra dy vjet vonesë.
Për prolongimin e dytë të regjistrimit, fillimisht theksohej si shkak mungesa e Ligjit për regjistrimin, ndërsa pasi që ky ligj iu nënshtrua procedurës së miratimit (ishte miratuar muaj më pare në Kuvend në lexim të parë), ndër institucionet përgjegjëse pasoi heshtja. Ndërsa, edhe pse ndër institucionet e shtetit dihet rëndësia që ka regjistrimi i popullsisë brenda kornizave të afateve tashmë të përcaktuara në mbarë botën (kudo regjistrimi në kushte normale, bëhet në çdo 10 vjet), zyrtarët e ASK-së vlerësojnë se “shtyrja për një kohë të caktuar në aspektin statistikor, nuk paraqet pengesë të madhe në aktivitet e tjera”. Por, sipas ekspertëve dhe demografëve, të shtyhet procesi i regjistrimit, kot më kot, pa asnjë arsye për të qenë, është e pakuptueshme, aq më parë që dihet rëndësia e këtij procesi. “Rëndom, kur ka kauza të rëndësishme, sikundër janë zgjedhjet, por edhe në rastet siç ndodhi me pandeminë, as nga ekspertë, as nga institucionet kompetente vendore, por edhe ndërkombëtare nuk preferohet të mbahet regjistrimi i popullsisë” i thanë Buletinit Ekonomik zyrtarët e ASK-së.
Në këtë mënyrë, vjet me një konsensus, qoftë të heshtur, qoftë edhe të bërë publik, ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së, u shty procesi i regjistrimit dhe u mendua për t’u mbajtur sivjet, më 2022. Por, shtyrjen e regjistrimit të popullsisë edhe më 2021 edhe më 2022, e kanë kontestuar ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve demokrafike në vend.
Sipas demografëve, vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, sepse numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit financiar qeveritar për nevojat e komunave të Kosovës.
Në Kosovë, për shkak të tendencave të ditura për migrim të madh të popullsisë, një regjistrim i pavonuar më, do të sqaronte dhe saktësonte shumë numrin e kosovarëve që kanë ikur nga Kosova që nga viti 2011, gjegjësisht do të ishte referencë e pakonstestueshme për demografë, politikanë dhe zyrtarë kompetentë për përcjelljen e lëvizjeve të popullsisë. Në Kosovë, sikundër në shumicën e vendeve të Ballkanit (Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi), regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2011. Sipas të dhënave të ASK-së të dala nga ky regjistrim , popullsia e përgjithshme rezidente e Kosovës në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë. Në regjistrimin e vitit 2011 nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë ( Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës pa shpjeguar shumë detaje, kanë thënë për Buletinin Ekonomik se ASK-ja është fare e gatshme që me sukses të realizojë regjistrimin kurdo që do të organizohet. ASK-ja, siç thonë zyrtarët e këtushëm, ka bërë përgatitjet e nevojshme dhe posa të caktohët data e mbajtjës, do të fuqizohen grupet punuese me staf tjetër nga institucioni dhe nga jashtë tij. Po kështu, sipas zyrtarëve të ASK-së, edhe në aspektin teknik janë përgatitur të gjitha instrumentet e nevojshme, sado që në përgjigjet me shkrim në interesimin e Buletinit Ekonomik, zyrtarët e ASK-së nuk kanë specifikuar konkretisht se cilat janë përgatitjet që i ka përfunduar në tërësi stafi i ASK-së dhe çka ka mbetur në kuadër të përgatitjeve për t’u bërë ende. “ASK-ka ka bërë planet, dokumentet dhe ka përgatitur strategjinë e komunikimit është përgatitur dhe do të përdoren të gjitha instrumentet e nevojshme për një komunikim të mirëfilltë”, kishte theksuar kohë më parë për Buletinin Ekonomik, Avni Kastrati, drejtor i Departamentit të Statistikave Sociale/Popullsisë.
Në ASK, madje nuk shohin ndonjë problem të theksuar, të shtyrjes eventuale edhe për një vit tjetër të procesit të regjistrimit. “Në aspektin statistikor, shtyrja për një kohë të caktuar nuk paraqet pengesë të madhe në aktivitet e tjera, por shumë e rëndësishme është që Regjistrimi të jetë cilësor (kualitativ) dhe të përfshihet e gjithë popullsia”, kanë thënë zyrtarët e ASK-së për Buletinin Ekonomik. Sipas tyre, prej të gjitha aktiviteteve statistikore, Regjistrimi i Popullsisë kërkon vëmendje të caktuar dhe duhet të vlerësohen të gjitha kushtet, me qëllim që të ketë pjesëmarrje të plotë dhe kualitet. Rreth risive eventuale që do ta karakterizonin regjistrimin e pritshëm dhe që do ta veçonin nga regjistrimi paraprak, ose ndryshimit eventual të metodologjisë tradicionale, statistikanët e Kosovës, kanë shpjeguar se “regjistrimi pritet të bëhet, duke i grumbulluar të dhënat drejtpërdrejt/direkt nga anëtarët e ekonomive familjare përmes tabletave”.
Sipas tyre, regjistrimi pritet të zgjasë 1 muaj në terren, ndërsa tashmë Qeveria ka siguruar mjetet e nevojshme. Pritet të angazhohen rreth 3500 regjistrues dhe rreth 700 mbikëqyrës. Ndërsa, për shkak të metodës së grumbullimit me tabletë, të dhënat paraprake dhe finale do të publikohen shumë më herët se ato nga viti 2011, thotë Kastrati. Risi në regjistrimin e pritshëm do të jetë edhe përfshirja në proces edhe e rajonit të veriut të Kosovës, përkatësisht të komunave të banuara me popullsi shumicë serbe.
Siç kanë theksuar zyrtarë e ASK-së për Buletinin Ekonomik, stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, planifikimi i regjistrimit tashmë është i gatshëm, plani i aktiviteteve të pritshme është në proces, ndërsa po punohet edhe për ta përgatitur sa më mirë fushatën senzibilizuese. Regjistrimi i popullisisë më 2011 pati zgjatur 2 javë, hiq disa komuna që për shkak të vështirësive konkrete, kjo kohë ishte zgjatur në një muaj. Tani, regjistrimi i radhës planifikohet të zgjasë 1 muaj, sado që ka ndryshuar goxha shumë metodologjia e regjistrimit. Edhe në regjistrimin e pritshëm, do të aplikohet metodologjia tradicionale-derë më derë. Por, tani në vend të pyetsorëve me letër siç ishte bërë me 2011-tën, do të aplikohen pyetësorët elektronik. Secili regjistrues do ta ketë tabletin e vet për regjistrim dhe secili regjistrues do të monitorohet nga qendra monitoruese në ASK (GIS). Pos mbledhjes së të dhënave, në këtë regjistrim risi do të jenë edhe hartat digjitale të qarqeve regjistruese. Regjistrimi i radhës do të jetë i fokusuar në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familiare dhe të banesave. Ndërsa, regjistrimi i zhvillimeve në bujqësi do të jetë më i gjithanshëm dhe më shumë detaje do të regjistrohen në regjistrimin enkas për bujqësinë e Kosovës, që planifikohet të mbahet pas publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullisë. Kostoja e përgjithshme e regjistrimit, sipas kalkulimeve të mëhershme, llogaritet të jetë 11.5 deri në 12 milionë euro, apo rreth 6.5 euro për person. Me metodologjinë e re, që do të aplikohet në regjistrimin e pritshëm, do të shkurtohet ndjeshëm publikimi i rezultateve paraprake dhe ato finale të regjistrimit. Mendohet, siç theksojnë zyrtarët për informim në ASK, që rezultatet finale të bëhen publike brenda disa muajsh në vend të 1,5 vjet e më shumë sa ka zgjatur bërja publike e statistikave finale të dala nga regjistrimet e kaluara./Buletini Ekonomik