Tregu i tregtisë dixhitale në Rumani arriti vlerën 9.8 miliardë euro në vitin 2021, duke u bërë tregu i dytë më i madh në EQL, pas Polonisë (26.7 miliardë euro), por përpara Çekisë (9.1 miliardë euro). Kjo arritje ka ndodhur falë zhvillimit dixhital në Europë dhe brenda vetë Rumanisë, sipas një raporti të ri nga McKinsey & Company, i titulluar “Sfiduesit dixhitalë në kufirin e ardhshëm”.
Raporti analizon mundësitë që paraqet ekonomia dixhitale në dhjetë ekonomi të Europës Qendrore dhe Lindore, në vende të vogla dhe të mesme, me potencial të fortë për dixhitalizim të shpejtë. Tre komponentët kryesorë të ekonomisë dixhitale që janë marrë parasysh në raport, janë: tregtia dixhitale (shpenzimet me pakicë në internet për mallra dhe shërbime), TIK (vlera e shpenzimeve të qeverive dhe kompanive në sektorët hardware, software, infrastrukturë dhe shërbime të ngjashme) dhe shpenzimet offline për pajisjet dixhitale (PC, telefonat inteligjentë, infrastruktura IT, Cloud, etj.).
Ekonomia dixhitale e rajonit pritet të arrijë shifrën 124 miliardë euro në vitin 2021, ku tregtia dixhitale pritet të përfaqësojë rreth 68 miliardë euro. Dhjetë vendet e EQL-së, mes tyre edhe Rumania, mund të arrijnë një ekonomi dixhitale me vlerë 330 miliardë euro deri në vitin 2030, ku tregtia dixhitale pritet të jetë nxitësi kryesor i rritjes.
Ekonomia dixhitale e Rumanisë u vlerësua në 14.8 miliardë euro në vitin 2021, ose 6% e PBB-së. Kjo vlerë ndahet midis tregtisë dixhitale (9.8 miliardë euro), shpenzimeve për TIK (3.5 miliardë euro) dhe shpenzimeve offline për produkte dixhitale si PC ose celularë smartphone (1.6 miliardë euro). Analistët e McKinsey mendojnë se sektori mund të arrijë vlerën 52 miliardë euro (9.6% e PBB-së) deri në vitin 2030.
Sektori i TIK-ut doli premtues në Rumani, duke u rritur me rreth 8% në vit midis periudhës 2017 dhe 2021. Megjithatë, investimet në këtë sektor janë ende të ulëta në krahasim me vende si Polonia apo Çekia. Ndërsa infrastruktura e TIK-ut në Rumani po zhvillohet, ajo mund të bëhet një shtytës i rëndësishëm i rritjes.
Megjithatë, tregtia dixhitale është nxitësi më i madh i ekonomisë dixhitale në Rumani, duke përfaqësuar 66% të saj. Ky segment u rrit me 17% në vit, pothuajse duke u dyfishuar në vlerë midis viteve 2017 dhe 2021. Pjesa e NVM-ve që shesin online u dyfishua gjithashtu, nga 7% në 17%, në të njëjtën periudhë. Kjo rritje spektakolare e transformoi Rumaninë në tregun e dytë më të madh të tregtisë dixhitale në EQL, dhe në ekonominë e tretë më të madhe dixhitale.
Megjithatë, ka ende hapësirë për rritje. Shpenzimet mesatare për tregtinë dixhitale për frymë dhe shkalla e depërtimit të tregtisë dixhitale në Rumani, janë ndër më të ulëtat në rajon. Tregtia dixhitale për frymë e Rumanisë, ishte rreth 506 euro në vitin 2021, më e ulët se ajo në Çeki (849 euro), Slloveni (866 euro) ose Lituani (1,064 euro). Tregtia dixhitale përfaqëson vetëm 14% të segmentit total të shitjes me pakicë në Rumani, ndërsa pjesa tjetër është tregti jashtë linje. Rumania ka një nga normat më të ulëta të tregtisë dixhitale në krahasim me totalin e shitjeve me pakicë në EQL.
Përdorimi i risive që ofrojnë komoditet të lartë (pagesat online, omnichannel, dërgesa të shpejta) mund ta ndihmojë Rumaninë që të dyfishojë madhësinë e tregut të tregtisë dixhitale.
Raporti tregon se kategoritë më të rëndësishme për tregtinë dixhitale në Rumani, janë mallrat shtëpiake dhe pajisjet elektronike (39% pjesë e tregtisë dixhitale), shërbimet e transportit (31%) dhe veshjet (14%). Megjithatë, gjatë viteve të pandemisë, kategoria me rritjen më të shpejtë ishin mallrat ushqimore, të cilat u rritën nga 123 milionë euro (2% pjesë e tregtisë dixhitale) në vitin 2019, në 389 milionë euro në vitin 2021 (4% e tregtisë dixhitale).