Shefja e FMN-së bën një vlerësim të zymtë për ekonominë globale

Kristalina Georgieva ka sinjalizuar se fondi do të publikojë disa ulje të reja të parashikimeve të tij për rritjen ekonomike gjatë javës së ardhshme.

Ekonomia globale do të duket sikur është në recesion vitin e ardhshëm, paralajmëroi të enjten drejtuesja e FMN-së, teksa fondi përgatitet të ulë përsëri parashikimet për rritjen ekonomike.

Duke folur përpara takimeve vjetore të fondit dhe të Bankës Botërore, Kristalina Georgieva tha se një e treta e ekonomisë botërore do të përjetojë dy tremujorë me rënie ekonomike gjatë vitit 2023. Georgieva shtoi se kombinimi i “rënies së të ardhurave reale dhe i rritjes së çmimeve” do të bëjë që shumë vende të tjera të duket sikur janë në recesion, edhe nëse do të mund të shmangin rënien direkte të prodhimit.

Reklama e sponzorizuar

Këto deklarata sinjalizojnë se FMN-ja do të ulë sërish parashikimet e saj ekonomike javën e ardhshme, për të katërtin tremujor radhazi.

Duke bërë përgjegjëse “goditjet e shumta”, përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, çmimet e larta të energjisë dhe të ushqimeve, si dhe presionet e vazhdueshme inflacioniste, ajo tha se rritja në të gjitha ekonomitë më të mëdha të botës po ngadalësohej, duke lënë “pasoja të rënda” në shumë vende.

Situata ka “më shumë gjasa të përkeqësohet sesa të përmirësohet” në planin afatshkurtër, tha ajo, pjesërisht për shkak të faktit se ka rreziqe që po shtohen lidhur me stabilitetin financiar në tregun e pasurive të paluajtshme të Kinës, në borxhin sovran dhe në asetet jolikuide. Rreziku i kolapsit të disa fondeve të pensioneve në Mbretërinë e Bashkuar javën e kaluar, pas njoftimit të kancelarit të Mbretërisë së Bashkuar, Kwasi Kwarteng, për uljen e taksave në një vlerë totale prej 45 miliardë paund, ka ngjallur shqetësime se rritja e ulët ekonomike dhe kostot e larta të huamarrjes do të shkaktojnë trazira në tregje.

Megjithatë, FMN-ja deklaron se bankat qendrore duhet të vazhdojnë të shtrëngojnë politikat monetare për të përballuar presionet e vazhdueshme inflacioniste dhe për të siguruar që rritja e çmimeve të mos pasqyrohet në tarifat dhe pagat e kompanive.

“Nëse politikat monetare nuk kontraktohen mjaftueshëm, inflacioni do të rrënjosej në ekonomi. Kjo do ta bënte të nevojshme që normat e ardhshme të interesit të ishin shumë më të larta dhe më të qëndrueshme, duke shkaktuar pasoja të rënda për rritjen ekonomike dhe për njerëzit,” tha Georgieva.

Ajo pranoi, megjithatë, se do të ishte shumë e vështirë për politikëbërësit që të gjykojnë saktë ndikimin e politikave të tyre, në rrethanat kur ata po lëvizin në sinkron me njëri-tjetrin dhe me kaq shpejtësi. Numri i madh i rritjeve të normave të interesit mund të sjellë një “recesion të zgjatur”, por rreziku për të qëndruar me më pak ulje të normave është edhe më i lartë, tha ajo.

Në një intervistë me CNBC të enjten, drejtuesja e FMN-së tha se detyra me të cilën po përballet banka qendrore e SHBA-së është tepër sfiduese dhe ajo e përshkroi rrugën që duhet të ndjekë kryetari Jay Powell si “shumë të ngushtë”.

“Nëse ai nuk ndërmerr rritje të mjaftueshme të normave të interesit, inflacioni mund të rrënjoset në ekonomi. Nëse ai ndërmerr shumë rritje të larta të normave, ekonomia mund të hyjë në një recesion,” tha ajo, duke vënë në dukje gjithashtu ndikimin material që ka globalisht fushata agresive e Rezervës Federale për të shtrënguar politikat monetare.

“Kombinimi i një dollari të fortë bashkë me normat e larta të interesit, është duke goditur tregjet në zhvillim që kanë baza më të dobëta dhe, praktikisht, po dëmton në përmasa mjaft të konsiderueshme vendet me të ardhura të ulëta,” paralajmëroi Georgieva. Kjo do të sillte “në mënyrë të pashmangshme” pamundësinë e këtyre vendeve për të paguar detyrimet e tyre, siç ka ndodhur tashmë me Sri Lankën dhe Zambinë, shtoi ajo.

“Si kreditorët zyrtarë, ashtu edhe sektori privat, ju lutem, bëhuni bashkë. Përballuni me pasojat e këtyre masave,” tha ajo./ FT