Tërheqja e parave nga Trusti, Qeveria s’jep opinion, deputetët do ta votojnë projektligjin

Fotografi ilustruese

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë mundësi sërish që ta votojnë projekt-ligjin që qytetarëve do t’u mundësonte të tërheqin një pjesë të parave në Trustin Pensional.

Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka thënë Gazetës Express se ka përfunduar afati 30 ditor që Qeveria të jap mendim për Projektligjin e Trustit. Ekzekutivi s’e ka bërë.

“Ky projektligj do të kthehet në Kuvend dhe do të trajtohet sipas procedurës për miratimin e ligjeve”, ka thënë Haxhiu.

Reklama e sponzorizuar

“Fillimisht do ju përcillet deputetëve pastaj do dërgohet në Kuvend për votim”, ka shtuar ai.

Më 23 qershor nuk kishte kuorum në Kuvendin e Kosovës që të votohet projektligji për Trustin Pensional. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ishte kundër.

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, thoshte se një projektligj i tillë e shkatërron sistemin pensional të Kosovës.

“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura, edhe pse mbi gjysma e tyre janë joaktive në Trustin Pensional të Kosovës, 92 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro, kurse 80 për qind të llogarive apo mbi 500 mijë sosh kanë në mesatare vetëm 1,100 euro në llogari. Pjesa më e madhe, apo gjysma e kursimeve janë të koncentruara te më pak se 8 për qind e bartësve të llogarive, pra që kanë afërsisht gjysmën e mjeteve të akumuluara, 1.2 për qind përafërsisht e individëve që kanë llogari në Trust kanë në mesatare 30 fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve me llogari të hapura në Trust”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë, më 1 qershor të këtij viti.

Kurti s’kishte ndryshuar qëndrim, madje në seancën e 23 qershorit ishte marrë personalisht me iniciuesin e projektligjit për Trustin, Bekim Haxhiun.

“Ty të marr seriozisht kur ta sjellësh në Kuvend Projektligjin për Masazhe, jo për Trust. Fizoterapeuti flet për ekonomi”, kishte thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës, më 23 qershor.

Atij i ishte përgjigjur Bekim Haxhiu, duke i thënë kryeministrit se “ka nevojë për një masazh”.

“Njerëzit e kanë zgjedhur fizioterapinë edhe para Bekim Haxhiut, ajo do të ekzistojë edhe pas Bekim Haxhiut. Normal, që i takoj si profesion, e kam zgjedhur si profesion është kënaqësi që mundesh me i ndihmu. Ka nevojë sigurisht edhe Kurti, në veçanti pas punës me ngarkesë që e ka dhe qëndrimit ulur e pasivitetit”, kishte thënë Haxhiu.

Por historia e trustit nuk ka mbaruar – qytetarët nisën mbledhjen e nënshkrimeve që kjo çështje të kthehet në Kuvend, mbi 21 mijë nënshkrime veç janë mbledhur.

Por Lëvizja Vetëvendosje qëndrim nuk ka ndryshuar, megjithatë Bekim Haxhiu thotë se ka indikacione që disa deputetë të pushtetit do të votojnë pro trustit.

“Gjendja është e rënduar dhe ka shenja që edhe disa deputetë të VV’së do të votojnë”, ka thënë ai.

Deputeti i VV’s thotë se çdo ditë e më shumë vlera e mjeteve të Trustit po bie nëpër tregjet ndërkombëtare.

Aludon se tash është koha që disa prej atyre mjeteve të shfrytëzohen nga qytetarët në këtë kohë të vështirë krize. Por është i vetëdijshëm se Hekuran Murati, ministër i Financave është kundër – shton se “është fatkeqësi që ai është ministër”.

“Është fatkeqësi që kemi një ministër aq të paditur në këtë kohë”, ka thënë Haxhiu.

Çfarë përmban projektligji për Trustin

Mjetet financiare sipas projektligjit nuk mund t’i tërheqin të gjithë njëjtë, varësisht prej shumës së parave që qytetari i ka në Trust.

1. Personat që kanë kursime pensionale në shumën më pak se 10.000 euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në tridhjetë për qind (30%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

2. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 10.000 euro deri në 19. 999 euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në njëzetepesë për qind (25%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

3. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 20.000 euro deri në 29. 999 euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri nënjëzetë për qind (20 %) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

4. Personat që kanë kursime pensionale në shumën prej 30.000 euro deri në 39. 999 euro, kanë të drejtë t’i tërheqin deri në pesëmbëdhjetë për qind (15%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

5. Personat qe kanë kursime pensionale me shumë se 40.000 euro (dyzet mijë), kanë drejtë t’i tërheqin deri në dhjetë për qind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK.

Ishte bërë një herë

Në vitin 2020 gjatë kohës sa vendin po e drejtonte Avdullah Hoti ishte marrë vendim që qytetarët të tërheqin 10 për qind të Trustit Pensional.

Edhe aso kohe, Lëvizja Vetëvendosje ishte kundër. Madje Kurti edhe gjatë takimeve virtuale me ekonomistë të huaj e kritikonte një politikë të tillë.

Por pos Kurtit edhe Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës nuk pajtohet për nga perspektiva ekonomike që mjetet e Trustit të tërhiqen.

“Unë atëherë e kam parë arsyen e tërheqjes së Trustit për arsye se ka qenë pandemi, pra nuk funksiononte ekonomia, nuk kishte lëvizje të qytetarëve, nuk mund të shkonin qytetarët në punë, mirëpo tani propozimi i cili ka qenë nga opozita, mua nuk më ka pëlqyer, sepse gjithmonë ekziston frika që neve ua shpenzojmë tani kursimet qytetarëve, sepse pensionet janë kursime individuale, nuk është siç ka qenë më herët që një gjeneratë paguan, e gjenerata tjetër merr, pra tash çdo njëri i ka kursimet e veta dhe kur del në pension i ndan për një periudhë të caktuar kohore dhe i shfrytëzon. Unë nuk e kam parapëlqyer këtë që kjo të ndodh dhe të bëhet shprehi sepse kështu do t’i lëmë qytetarët pa pensione”, ka thënë Mustafa më 22 tetor.

Por opozita thotë se alternativa e Trustit është rezultat i mungesës së politikave qeveritare në raport më krizën aktuale ekonomike.

Sipas Bankës Botërore, inflacioni në Kosovë kalon mbi 19 për qind, rritje të madhe çmimesh kanë shënuar produktet esenciale.