Ekspertët shohin rrezik për stagflacion, thirrje qeverisë për reagim

Fotografi ilustruese

Kosova mund të rrëshqasë drejt “stagflacionit” që është inflacion i shkallës së gjerë. Krejt kjo në mungesë të investimeve kapitale. Kështu konsiderojnë ekonomistët, sipas të cilëve, kjo gjendje është dritë e kuqe për qeveritarët. Por kryetari i Odës Ekonomike thotë se qeveria duhet me një pako t’i ndihmojë bizneset.

Qeveria duhet të ketë kujdes të veçantë ndaj bizneseve në kohën kur vendi po përballet me inflacion të lartë. Kështu tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Ai tha për Radio Kosovës se duhet përcjellë trendët në Bashkimin Evropian e më gjerë.

“Sfidë është inflacioni i cili është më i larti ndonjëherë që mbahet mend. Shto këtu edhe mos shpenzimin e shumës të paraparë në buxhet për projektet kapitale si dhe krizën e energjisë elektrike për të cilën bizneset janë në terr informativ se çka do të ndodhë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu, konsideron se Kosova është duke shkuar në drejtim të stagflacionit. Ai tha se kjo situatë është dritë e kuqe për qeveritarët e vendit.

“Një ekonomi e cila është e goditur nga inflacioni në mënyrë të pakontrolluar dhe institucionet nuk kanë mekanizma mbrojtës, është simptoma e parë paralajmëruese e stagflacionit. Në vitin 2022, janë shfrytëzuar vetëm 10% të mjeteve të buxhetit të dedikuara për investime kapitale dhe ky është rreziku më i madh që Kosova është kapluar në stagflacion”, tha Gerxhaliu.

Stagflacioni është inflacioni i shkallës së gjerë dhe stagnimi i zhvillimit ekonomik të vendit ku nuk ka projekte kapitale. Gërxhaliu theksoi se duhet rritur investimet kapitale, në mënyrë që sektori privat të krijojë qëndrueshmëri dhe vende të reja të punës.
Besart Dreshaj, drejtor për Politika Zhvillimore në Aleancën Kosovare të Bizneseve, tha se mos futja në qarkullim e mjeteve që janë dedikuar për projekte kapitale, ekonomisë së vendit po i bënë dëm.

“Kjo tkurrje e investimeve paraqet shqetësim për të ardhmen e ekonomisë së Kosovës dhe flet për mungesën e përgjegjësisë dhe si rezultat Kosova rrezikon të bie në inflacion të shkallës së gjerë në vitin e ardhshëm”, tha Dreshaj.

Në total, buxheti prej 2.75 miliardë eurosh për vitin 2022 i miratuar nga Qeveria vitin e kaluar, parashihte afro 705 milionë euro për projekte kapitale. Sipas të dhënave të Institutit “GAP”, nga projektet e planifikuara në nivelin qendror janë realizuar vetëm 9% e tyre, derisa në nivelin lokal vetëm 19%. Inflacioni është shkaktuar si pasojë e krizës globale. /RTKlive/