30% e tërheqjes nga Trusti, nesër diskutohet në Kuvend iniciativa

Fotografi ilustruese

Nesër në Kuvendin e Kosovës pritet të debatohet dhe më pas të merret një vendim nëse do të kalojë në Komisionin për Buxhet, iniciativa qytetare për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti.

Ky Komision pritet të mblidhet nesër (e mërkurë) në ora 10:00.

Gjatë kohës kur anëtarët e komisionit do të diskutojnë e më pas të votojnë që iniciativa të shkojë në seancë plenare, i pranishëm do të jetë edhe iniciuesi i kësaj nisme, Adnan Jashari.

Reklama e sponzorizuar

Jashari tha për Gazeta Blic se shpreson se anëtarët e komisionit do të votojnë PRO kësaj iniciative, e që më pas do të shkojë në Kuvend për debat dhe më pas do të hidhet në votim.

“Nuk kam informacione se si mund të votojnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të minoriteteve, por shpresoj që të votojnë “PËR””, tha Jashari.

Kryetar i Komisioni për Buxhet është Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje, e ku shpeshherë ai është akuzuar edhe nga iniciuesi por edhe nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, se qëllimisht po zvarrit me procedurat për këtë çështje.

Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se mund të votojnë kurdo që nisma të shkojë në seancë plenare.

Të ndarë në vendime se si do të votojnë janë disa nga deputetë të minoriteteve (grupi Multietnik 6 plus), ku disa prej tyre publikisht kanë thënë se do të votojnë PRO e disa kundër.

Krejt kjo kërkesë për lejimin 30 për qind të parave nga Trusti ka ardhur kur qytetarët e Kosovës përmes më shumë se 20 mijë nënshkrime i janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t`u lejohet tërheqja e kësaj përqindje nga Trusti, me arsyetimin se çmimet pothuajse të gjitha janë ngritur.

Ky është tentimi i dytë për lejimin e tërheqjes së 30 për qind nga Trusti, e ku hera e parë kishte dështuar në Kuvend e që ishte nismë e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Para se komisioni për Buxhet të diskutojë nesër për Trustin, ka pasur edhe një protestë e organizuar nga iniciuesi, Adnan Jashari para Qeverisë e Kuvendit duke bërë thirrje që nisma të kalojë në seancën plenare të Kuvendit që do t`i hapte rrugë më pas tërheqjeve të parave.

Aktualisht Trusti ka mbi 170 milionë humbje.