Ministria e Infrastrukturës me dedikimin e 6 milionë eurove për vitin 2023 për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë, thjesht, i bie se është tallur dhe është treguar skajshmërisht cinike me llapjanët, të cilët po presin në ankth tani e 7 vjet, për fatin e rrugës aq të rëndësishme për ta, për diasporën dhe për tërë vendin. Pse u la fare në margjina edhe sivjet, dhe në vitin e ardhshëm nga pushteti qendror magjistralja Podujevë-Prishtinë, aq e rëndësishme për rajonin e Llapit, për mërgimtarët e panumërt dhe për tërë vendin?
Mehmet GJATA
Magjistralja Podujevë- Prishtinë, e bërë tash e sa vjet realisht “rrugë e vdekjes”, “rrugë e mortit”, “rrugë e fatkeqësive tragjike”, pos me rastin e aksidenteve të rënda dhe me viktima kur bëhej temë e medieve kosovare, për vite të tëra nga zyrtarët sikur nuk dihej që ekziston. Për vite të tëra pas luftës, praktikisht, pra nuk u kujtua kurrë asnjë nga qeveritë e atëhershme, as ndonjë ministër kosovar kompetent, as ata të infastrukturës, që e patën edhe obligim edhe detyrë të bashkëndjejnë edhe për viktimat e çdoditshme që pësonin në rrugën e ngulfatur nga trafiku i dendur, por edhe të preokupohen nga nevojat reale të qarkullimit në këtë rajon të vendit.
Për magjistralen Podujevë-Prishtinë, asnjëherë, së paku publikisht nuk u dëgjua nga përfaqësuesit e llapjanëve në Kuvendin e Kosovës, asnjë kërkesë e vetme për ta zgjeruar dhe për të ripërtërirë këtë rrugë. Nuk mbahet mend që më herët të jetë përmendur në foltoren e Kuvendit të Kosovës nevoja për ta ndërtuar këtë rrugë, as nga komandant Remi – Rrustem Mustafa, e as nga Latif Gashi, që të dy deputetë të zgjedhur nga vota e llapjanëve. Nuk u dëgjua ndonjëherë të flasë për nevojën e rindërtimit të magjistrales Podujevë-Prishtinë as Agim Veliu, kryetar shumëvjeçar i komunës së Podujevës dhe as nga përfaqësues të tjerë të zgjedhur nga kjo anë në legjislatura të ndryshme në dhjetëvjetshin e parë të pasluftës.
Rruga Prishtinë-Podujevë u anashkalua edhe nga ndërtimet e autostradës së Kombit, me ç’rast vendimmarrësit e atëbotshëm, në krye me ministrin e Infrastrukturës, Fatmir Limajn, pa shumë shpjegime e lanë rajonin e Llapit, si “zorr qorre’ në kuptimin e modernizimit dhe ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Dhe, pikërisht, para 10 e më shumë vjetësh, dikush u kujtua se është i domosdoshëm intervenimi në këtë magjistrale kaq jetike për një rajon të tërë të vendit, por edhe për qarkullimin ndërkombëtar, pasi që nëpër këtë rrugë kalojnë mbi 80 për qind të automjeteve nga Serbia, që vijnë dhe sjellin mallra anembanë Kosovës, por edhe shumica absolute e mërgatës sonë në ardhje-vajtje në vendlindje.
Por, edhe pse për të gjithë, edhe për zyrtarët, edhe për publikun, dihet që rruga Podujevë – Prishtinë, është një ndër arteriet e rëndësishme dhe jetike të qarkullimit rrugor (të njerëzve dhe të mallrave) në vendin tonë, dhe të ndërlidhjes së qendrave të ndryshme me botën, edhe pse po bëhen 6-7 vjet qëkur është nisur zgjerimi i kësaj rruge, dhe pakuptimisht dhe pashpjegueshëm në gjithë këto vite janë vonuar punimet, janë prolonguar afatet dhe në këtë mënyrë qarkullimi po vazhdon të mbetet i vështirësuar dhe me rreziqe potenciale për aksidente fatale, ajo prapë u la fare në margjina edhe sivjet dhe në vitin e ardhshëm. Sepse, ndër pesë projektet infrastrukturore që u është ndarë buxhet për vitin 2023, edhe pse për rrugën Podujevë – Prishtinë është ndarë një “fije” buxheti, ose më saktësisht me buxhetin e 2023-shit janë paraparë të dedikohen 6 milionë euro, kjo shumë për 18-20 kilometrat e mbetura ‘të paprekura” tash e 6-7 vjet, është fare e papërfillshme, është sa për të thënë se “ja po bëjmë diçka edhe për këtë rajon” të lënë në harresë tash e 23 vjet, është, në njëfarë mënyre shpenzim i kotë i këtyre parave, sepse me to, nuk mund të bësh ndonjë punë të shënueshme dhe të efektshme në këtë rrugë, ku kanë mbetur edhe 20 kilometra të paprekura.
Ministria e Infrastrukturës më dedikimin e 6 milionë eurove për zgjërimin e rrugës Podujevë-Prishtinë, thjesht i bie se është tallur dhe është treguar skajshmërisht cinike me llapjanët, të cilët po presin në ankth tani e 7 vjet, për fatin e rrugës aq të rëndësishme për ta, për diasporën dhe për tërë vendin. Me këtë shumë parash të dedikuara për rrugën magjistrale Podujevë – Prishtinë, Ministria e Infrastrukturës po tregon troç se nuk I i intereson fare ndërtimi (zgjerimi e rehabilitimi) i kësaj rruge, e cila edhe deri tash ka qenë fare e anashkaluar nga pushteti qendror dhe ai lokal për shkak të vonesave jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh, qoftë edhe rrugore.
Dhe, çuditërisht, për këto prolongime, zvarritje afatesh dhe zhagitje punësh, në institucionet zyrtare kompetente nuk është shprehur ndonjë shqetësim, merakosje ose edhe ndonjë premtim më bindës për përfundimin e kësaj rruge në ndonjë afat të pritshëm. Nuk pati asnjëherë ndonjë përgjigje të pranueshme dhe të përshkruar me ndonjë të dhënë të besueshme as në Ministrinë e Infrastrukturës, as nga ministri aktual i kësaj ministrie, Liburn Aliu, i cili, së paku deri tash, as që e ka parë të nevojshme të sqarojë për shkaqet reale të këtyre vonesave. Dhe, nuk pati ndonjë shpjegim të pranueshëm as tani me rastin e ndarjes së buxhetit për vitin 2023, me ç’rast për magjistralen Podujevë – Prishtinë u parapa ‘lëmosha” prej 6 milionësh, ndërkohë që për Autostradën e Gjilanit, janë parashikuar 27 milionë euro, për projektin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë 21 milionë euro, për rrugën Dollc-Gjakovë-11 milionë euro, dhe për atostradën Kievë-Zahaq 4 milionë euro.
Ndoshta ka të drejtë shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, kur këtyre ditëve në parlamentin e Kosovës ka thënë se “Buxheti i 2023-së po i dëmton politikisht një pjesë të madhe të komunave”.
Pa pretenduar në asnjë moment të zbehim dhe ta zvogëlojmë rëndësinë e rrugëve për të cilat janë paraparë goxha para (autostrada Kijevë-Zahaq, siç është njoftuar shumë herë deri tani do të ndërtohet me mjete financiare të institucioneve ndërkombëtare), rruga Podujevë – Prishtinë ka rëndësi edhe për vendin, së paku po aq sa kanë rrugët e sipërpërmendura për të cilat Ministria e Infrastrukturës u tregua kësaj radhe goxha solidare.
Pas këtyre parashikimeve për investime në vitin vijues në rrugët e mbetura kaherë në gjysmë, bëhen edhe më të pakuptueshme fjalimet e shpjegimet e përsëritura të ministrit Aliu në fajësimin e qeverive të deritashme për dështimet për finalizimin dhe përmbylljen e punimeve në këtë rrugë, ose në problemet që janë paraqitur rreth shpronësimit të tokave ku kalojnë rrugët e nisura. Nuk është se nuk kanë përgjegjësi për vonesat e ndërtimit të kësaj maqjistraleje edhe qeveritë e kaluara dhe minsitrat e kaluar të infrastrukturës, por doemos kjo qeveri, dhe ministri aktual i saj Aliu, është pritur nga banorët e Llapit që më në fund të reflektojnë dhe ta marrin njëherë e mirë përgjegjësinë për përfundimin e kësaj rruge, që për shkak të dendësisë së qarkullimit dhe numrit të aksidenteve, vazhdon të quhet në opinion edhe “magjistralja e vdekjes”.
Për të painformuait, po e përsërisim dhe po përkujtojmë të dhënat konkrete për punët e deritashme që kanë zgjatur afër 6-7 vjet në rrugën Podujevë-Prishtinë. Deri tash, brenda këtyre 6-7 vjetësh janë ndërtuar, por jo edhe finalizuar, vetëm diku rreth 10 kilometra të kësaj magjistraleje. Ose, më konkretisht, deri tash kjo magjistrale është zgjeruar nga Podujeva vetëm deri afërsisht në hyje të fshatit Lluzhan. Pjesa tjetër, që është traseja dominuese prej 18-20 kilometrash deri në Prishtinë, as që dihet kur do të fillojë së ndërtuari. Ministri Liburn Aliu, në një nga seancat e mbajtura në fillim të muajit prill në Kuvendin e Kosovës, kishte thënë se “për pjesën e mbetur të magjistrales Prishtinë-Podujevë, pjesa nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër”.
“Pjesa e mbetur prej Prishtinës deri në Podujevë, pra nga Lluzhani deri në Besi është në projektim e sipër dhe planifikohet që të ndahet në dy lote, e cila do të bëhet e tëra, ose për arsye financiare të fillohet me lotin e parë, e pastaj me të dytin. Pjesa e hyrjeve duhet të vazhdoj duke i vazhduar edhe shpronësimet ashtu siç janë”, kishte thënë ministri Aliu, pa caktuar ndonjë datë apo afat për këto punë.
Se si do t’i vazhdojë shpronësimet dhe vazhdimin e punimeve në rrugën ‘e vdekjes’ me 6 milionët e parapara për vitin vijues, duhet ta dijë ministri.
Ndërsa, kosovarët mërgimtarë numerikisht të shumtë, banorët e këtyre trevave, bizneset e llapjanëve dhe udhëtarët e çdoditshëm që frekuentojnë këtë rrugë, e që janë të shumtë, do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e zvarritjes së zgjerimit të kësaj rruge. Do të vuajnë nga vështirësitë që u dalin si pengesë e pazgjidhshme për shkuarje-ardhjen në kryeqytet, me të cilin janë aq shumë të ndërlidhur, nga vështirësitë që u shkakton rruga tepër e ngarkuar me qarkullim për të transportuar lëndën e parë dhe pastaj produktet nga bizneset e tyre, por edhe nga vështirësitë që ua kanë shkaktuar tash e një kohë kompanitë ndërtuese në dëmtimin e gypave të ujësjellësit, që asnjëherë më pastaj nuk i kanë riparuar.
Problem shumë i ndjeshëm nga zvarritja e zgjerimit të kësaj magjistraleje dhe rrezik permanent, kjo rrugë është edhe për nxënësit e shumë shkollave të kësaj ane. Ata, qarkullimin shtëpi-shkollë dhe anasjelltas, edhe për shkak të ngarkesës tejmase të rrugës, asnjëherë nuk e kanë të sigurtë.
Deputetja Ganimete Musliu, pas aksidentit të fundit tragjik të ndodhur në këtë magjistrale, në Kuvendin e Kosovës tha se “kjo magjistrale është bërë rrugë e vdekjes”, prandaj, sipas saj, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, duhet të dalë në terren dhe të sinjalizojë urgjentisht këtë rrugë.
“Apeloj ministrin Liburn Aliu dhe të gjithë stafin që të dalin në teren dhe të sinjalizojnë urgjentisht rrugën Podujevë-Prishtinë, e cila është bërë rrugë e vdekjes. Sot kur po flasim, ne i kemi humbur dy mërgimtarë tanë në atë rrugë, vetëm në mungesë të sinjalizimit të rrugëve. Është e dhimbshme, është tragjike që qytetarët tanë të kalojnë mijëra kilometra për t’i kaluar pushimet dhe të humbin jetën në aksin rrugor Podujevë-Prishtinë, pak kilometra para se të mbërrijnë në familjet e tyre”, theksoi ajo.
Sinjalizimi i kërkuar në këtë rrugë, gjithsesi do të ishte një masë urgjente për ta lehtësuar sadopak qarkullimin në këtë arterie jetike për mërgimtarët dhe për llapjanët. Por, pa zgjerimin e tërësishëm të rrugës në tërë gjatësinë e saj prej afërsisht 30 kilometrash, sikundër që është bërë tashmë në gjatësinë Podujevë-Lluzhan, nuk ka zgjidhje të problemit. Pa zgjerimin e planifikuar të rrugës edhe më tutje do të ketë aksidente, edhe më tutje do të ketë viktima. Prandaj, më nuk duhet të “pijnë ujë” arsyetimet dhe fajësimet e MMPHI-së për pengesat rreth shpronësimeve, gabimeve në projektet kryesore dhe mospagesave të pronave me kohë, përkatësisht shpronësimeve të deritashme si dhe buxhetit të mangët ndër vite për këto projekte. Tashmë vetëm për një fakt dihet saktësisht rreth magjistrales Podujevë-Prishtinë, dihet pra se dita ditës po shtohen aksidentet tragjike, viktimat e reja të aksidenteve enorme numerikisht si pasojë e ngulfatjes së kësaj rruge në shumë pika të saj, nga trafiku i dendur dhe nga qarkullimi i madh i automjeteve dhe udhëtarëve në këtë rajon të vendit.
Rruga duhet ndërtuar. Dhe duhet gjetur paratë e nevojshme për finalizimin e kësaj magjistraleje, këto para nuk janë edhe aq shumë sa të mos ketë asnjë mundësi Kosova që t’i sigurojë ato. Dy-tre kilometra të autostradave të deritashme, që Kosova i ndërtoi me mjete të veta, pra me paratë e taksapaguesve të vendit, kaq, pak a shumë është kostoja e kësaj rruge.
“Po të ekzistonte vullneti i vendimmarrësve, ndërtimi i rrugës do të harrohej tashmë. Ajo për këto vite ka pasur mundësi edhe me punë vullnetare, me “angari” dhe me mjete financiare të qytetarëve të kësaj ane tashmë të përfundojë”, i kanë thënë banorë të kësaj ane Buletinit Ekonomik.
Ndërsa, vështirësitë, qofshin edhe fakte, që në disa raste i potencoi ministri Liburn Aliu, kanë qenë të ditura edhe para se të fitojë bindshëm pushtetin -koalicioni aktual qeveritar. Premtimet, në saje të të cilave fituan gjithë ato vota, duhet përmbushur. Dhe përmbushja ka një emër: të përfundojnë dhe të finalizohen të gjitha projektet rrugore të reja dhe ato të trashëguara nga pushtetet e mëparshme. Mosrealizimi i premtimeve është edhe zvarritja e pafund e finalizimit të magjistrales Prishtinë-Podujevë. /Buletini Ekonomik/