Inflacioni në nivel rekord zhvlerëson ndjeshëm potencialin financiar të Kosovës

Njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend po e shohin ngritjen e vazhdueshme dhe muaj për muaj të inflacionit si një nga faktorët vendimtar të zhvlerësimit të ndjeshëm të potencialit financiar të Kosovës.

Mehmet GJATA

Trendi i rritjes së madhe dhe të vrullshme të çmimeve në Kosovë sivjet, praktikisht, nuk është ndalur asnjëherë. Në të gjithë muajt e deritashëm të 2022-tës janë shënuar ngritje çmimesh herë më shumë dhe në përmasa enorme, herë në përqindje më të vogla. Në këtë mënyrë, nga ngritja e egër dhe e përditshme e çmimeve të të gjitha produkteve, por, gjithsesi, më së shumti nga ngritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën dhe që një familjeje i duhen përditë, tani, në fillim të nëntorit Kosova shquhet me çmime rekorde dhe ndjeshëm më të larta krahasuar me shtetet fqinje dhe të rajonit po se po, por edhe krahasuar me shumë shtete të Europës dhe të botës. Duhet theksuar se tashmë çmimet e larta të shënuara më 2021 në Kosovë, që vlerësoheshin si rekorde, ose ndër më të lartat në dekadat e fundit, janë zbehur shumë, madje nuk kanë mbetur as për t’u përmendur krahasuar me çmimet e reja të ngritura në këta muajt e fundit të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

Thënë shkurt, më 2022 trendi i ngritjes së çmimeve ka lëvizur hovshëm dhe frikshëm. Nga dita në ditë kanë ndodhur ngritje enorme çmimesh thuaja se te të gjitha produktet, e sidomos te ato esenciale ushqimore (buka, vaji, sheqeri etj). Në të gjithë muajt e 2022-tës, çmimet në Kosovë realisht kanë qenë atipike te shumë produkte ushqimore, duke shënuar rekorde të pamata karshi të gjitha periudhave të deritashme në Republikë dhe si të tilla kanë arritur të bëhen ndër më të lartat në rajon, Europë dhe përtej.

Për këtë kërcim të egër flasin të dhënat, numrat dhe shifrat pra të bëra publike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), por edhe shifrat e çmimeve të ekspozuara në minimarketet, marketetet dhe supermarketet e tregjet e tjera të vendit të evidentuara nga Buletini Ekonomik. Por, edhe njohës të zhvillimeve në ecuritë e çmimeve bëjnë publike fakte që flasin për ngritjen e egër dhe jashtë logjikës së tregut të çmimeve.

Sidoqoftë, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet e mallrave ushqimore bazike janë rritur deri në 64%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Po të llogariten çmimet e ngritura vetëm në këto ditët e fundit (çmimi i produkteve nga qumështi, i druve), por edhe i shumë produkteve të tjera esenciale ushqimore, i bie që çmimet e mallrave ushqimore bazike të rapotuara nga ASK-ja (të rritura deri në 64%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak), do të dilnin edhe në përqindje shumë më shumë të ngritura. Sepse në raportin e ASK-së, janë të prezantuara çmimet e ngritura deri në fund të shtatorit 2022 më së voni, dhe nuk janë të përfshira çmimet e ngritura këtyre ditëve.

Prandaj, ngritja e vrullshme e marramendëse e çmimeve, e shpejtë, e egër dhe atipike, i bëjnë të dhënat statistikore të ASK-së të vjetërura, praktikisht të papërdorëshme dhe të pa vlera.

Çmimet e mallrave ushqimore bazike deri në tetor, krahasuar me të njëjtit muaj të vitit të kaluar, tregojnë mjaftueshëm se në çfarë përmasash të frikshme janë ngritur çmimet ushqimore, ato të produkteve të domosdoshme dhe përditë të nevojshme për familjet kosovare. Tregojnë, pokështu, që në këta muaj për shkak të këtyre çmimeve dhe rënies së fuqisë blerëse të kosovarëve në përgjithsësi, dhe në veçanti të të skamurve, është rënduar tejmase për ta gjendja sociale dhe mirëqenia e tyre. Në Kosovë, siç tregojnë statistikat pra, çmimet e shportës, por edhe të higjienës, janë goxha më të larta se në në shumë vende të BE-së, ndërsa dihet si qëndron proporcioni i fuqisë blerëse të kosovarëve dhe të shumicës së banorëve të shteteteve të Europës.

Natyrisht, ngritja në këto përmasa e çmimeve ka shkaktuar automatikisht edhe rritje të madhe, madje rekorde të nivelit të inflacionit në vend. Inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin gusht 2022, ka arritur në 13 për qind, bën me dije Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Ndërsa për muajt shtator dhe tetor, shkalla e inflacionit, në bazë të çmimeve të ngritura, duhet të jetë akoma më e madhe.

Njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe financiare e shohin ngritjen e vazhdueshme dhe muaj për muaj të inflacionit si një nga faktorët vendimtar të zhvlerësimit të ndjeshëm të potencialit financiar të Kosovës.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një prononcim për medie thotë madje se edhe buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm në vlerë prej 3.2 miliardë eurove, ka më pak vlerë sesa ai i vitit paraprak. Sipas tij, shkaku i inflacionit, që ai vlerëson të jetë tashmë afro 20 për qind, i bie që vlera e këtij buxheti është 600 milionë euro më pak. Duke folur për këtë buxhet, Shatri ka thënë se nëse analizohet më mirë, i bie që buxheti ka rënë për 100 milionë euro.

“Vlera e këtyre parave (është fjala për buxhetin e rritur të 2023-shit) në vitin tjetër, duke marrë parasysh inflacionin që është këtë vit dhe indeksin e çmimeve të produkteve bazike, na flet se kjo nuk është rritje reale, sepse nëse një buxhet prej 3 miliardë euro, ia zbresim 20 për qind inflacion, i bie 600 milionë euro më pak, pra ky 3 miliardë buxhet nëse zbritet 20 për qind inflacioni, është për 600 milionë euro më pak, që do të thotë se ajo shifra prej 500 milionë euro që po duket e rritur, praktikisht është e zbritur për 100 milionë”, ka thënë tutje Shatri.

Edhe ish kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, publikisht ka shpjeguar për zhvlerësimin e madh të parasë në vendin tonë, si pasojë e inflacionit.

“Çfarë më 2021 kemi blerë me 100 euro sot s’mund ta blejmë as me 200”, ka thënë Gërxhaliu.

Buxhetin e miratuar prej 3 miliardë eurosh, Gërxhaliu tha se nuk duhet marrë me “eufori” ngase ai është rezultat i inflacionit.

“Në rrethanat ekzistuese në të cilat gjendet Kosova nuk ka arsye për eufori. Një buxhet i tillë edhe është pritur falë inflacionit dhe ngritjes së çmimeve që në momente të caktuara e kanë kaluar edhe shifrën 100%”, ka thënë ai për medien kosovare.

Ndërsa ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook, të mërkurën ka thënë se vetëm 21 për qind e mjeteve për investime kapitale janë shpenzuar gjatë këtij viti. Në këtë mënyrë, sipas tij, sot ekonomia e Kosovës i ka 500 milionë euro më pak në qarkullim. Po ashtu, ai ka thënë se “678 milionë eurot që Kurti po i mban në bankë janë zhvlerësuar për 20% ose për 136 milionë”.

Sipas deputetit të LDK-së, sot vlera e parave të gatshme të Qeverisë ka arritur në 678 milionë euro.

“Paratë e gatshme në llogarinë e Qeverisë kanë arritur në 678 milionë euro, dyfish më shumë sesa që është e nevojshëm. Rrjedhimisht, mund të ishte pezulluar akciza në naftë, si dhe përgjysmuar TVSH-ja në naftë dhe në mallra ushqimore, pa shkaktuar asnjë vështirësi buxhetore për Qeverinë. Sikur të mos mblidheshin këto mjete vetëm sa për t’i mbajtur në llogari, sot ekonomia do të kishte edhe 300 mil euro në qarkullim. Këto mjetet tanimë janë zhvlerësuar nga infalcioni për rreth 20%, që është rreth 136 mil euro”, ka thënë Hoti.

Duke parë këto ecuri ngritje çmimesh dhe inflatore, ekspertë të ekonomisë dhe njohës të zhvillimeve ekonomike, parashohin si “zgjidhje të qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, indeksimin e pagave, të pensioneve, asistencën sociale dhe të subvencioneve sipas normë së inflacionit”. Sipas tyre, vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave.

“Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës”, theksojnë ata.

Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit”, ka shkruar në një postimin e tij ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Për sektorin privat, Hoti ka thënë se do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për t’u reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta. Sido që të jetë, ngritja e pakontrolluar, në të shumtën pa arsye, së paku në përqindje kaq të madhe dhe rekorde e çmimeve të produkteve bazike ushqimore, e vështirëson shumë jetën normale të kosovarëve shumicë. Dhe me këtë “rënie të lirë’ të çmimeve, ç’është më keq, nuk ndalet dot inflacioni, që po zhvlerëson në përmasa shqetësuese potencialin financiar të vendit. Këto janë faktet dhe gjendja evidente e reale me të cilën përballen kosovarët, në veçanti ai i rëndomti, me të ardhura të pakta. Atë, po e presin ditë gjithnjë e më të vështira, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve financiare që reflektohen më ndjeshëm në mirëqenien e tyre dhe dhe jetën sociale të shumicës së banorëve të Kosovës. /Buletini Ekonomik/