Shefi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Matteo Colangeli në një intervistë të shkruar për Telegrafin ka thënë se rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2022 nuk do të jetë më shumë se 4 për qind.
Colangeli shprehet se projeksionet për rritje ekonomike mund të janë më të dobëta, duke u bazuar nga të dhënat e fundit makroekonomike.
“Derisa mundësia për rimëkëmbje ekonomike u ngushtua pas rimëkëmbjes së fortë dyshifrore të Kosovës në vitin 2021, rritja ekonomike u moderua në gjysmën e parë të vitit 2022 dhe do të përballet me ndryshime të rëndësishme me ngadalësimin e aktivitetit botërore”, shprehet Colangeli.
“Ne parashikojmë që ekonomia e Kosovës të rritet me 4 për qind në vitin 2022 dhe 3.7 për qind në vitin 2023, sipas projeksionit të fundit në shtator, megjithëse rritja e këtij viti mund të dalë më e dobët bazuar në të dhënat e fundit makroekonomike”, shton ai.
Sipas tij, edhe pse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë ekspozim të kufizuar ndaj Rusisë, sidoqoftë ato ndikohen nga mjedisi makroekonomik botërore që po del të jetë gjithnjë e më sfidues.
“Rritja e inflacioni ka rënduar të ardhurat e disponueshme dhe kostot e inputeve të bizneseve, po ashtu kushtet e financimit po shtrëngohen botërisht dhe kostoja për importin e energjisë rëndon në llogaritë e jashtme e fiskale në mes të hapësirës fiskale më të ngushtë pas viteve të shpenzimeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19”, thekson ai.
I pari i BERZH-it për Ballkanin është shprehur se pritet që të ketë investime nga ky institucion edhe në Kosovë.
“Ne po planifikojmë të rrisim investimet tona në Kosovë në vitet e ardhshme. Mbyllja e hendekut të infrastrukturës me pjesën tjetër të rajonit do të vazhdojë të jetë një prioritet i rëndësishëm dhe ne presim të shtojmë mbështetjen tonë për transportin (veçanërisht, hekurudhat dhe lëvizshmërinë e qëndrueshme urbane) dhe infrastrukturën mjedisore”, ka përfunduar ai.