Paralajmërimet nëpërmjet “telallëve” profesionistë të tarifave të reja të ngritura të energjisë elektrike, që goxha shumë sinjalizon se pritet të ketë ngritje edhe më tej të çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë në periudhën dimërore, në opinion dhe sidomos ndër konsumatorët e varfër dhe të skamur financiarisht kosovarë, shkaktuan pakënaqësi të reja, zhgënjim të hidhur të pasosur dhe shqetësim real se çka do bëhet me ta.
Mehmet GJATA
KEDS dhe zyrtarët e kësaj kompanie private të distribuimit të energjisë elektrike në Kosovë, siç është parë vitin e kaluar dhe siç po shihet tani në këto ditë paradimërore, nuk kanë nevojë fare të kërkojnë ngritjen e sërishme të çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë.
KEDS-i i ka “telallët” dhe ata janë ministrat e Qeverisë Kurti me në krye ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Për Rizvanollin dhe ZRRE-ne, së paku nga paraqitjet publike të tyre, po del se shtrenjtimi i rrymës sërish, ende pa u bë një vjet nga ngrita enorme deri mbi 100 për qind e energjisë elektrike në Kosovë (në shkurt të këtij viti), duket të jetë opsion i pashmangshëm edhe sivjet. Dhe pas paralajmërimit të Ministres Rizvanolli (gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për Energji të Kuvendit të Kosovës), për rritje të tarifave, ka ngarendur edhe ZRRE-ja, “telalli” tjetër i KEDS-it, institucioni që ka për detyrë dhe obligim të mbrojë konsumatorin kosovar dhe t’ia mbajë “ison” ministres, të paralajmërojë çmime prap të ngritura edhe në këtë vit.
Sadoqë kërkesat për rritje të tarifave ende s’janë dorëzuar (ndoshta edhe janë dorëzuar pa e bërë të ditur në publik), por nga ZRRE thonë se rritja e kostove të blerjes së energjisë duhet të reflektohet edhe në tarifa. Dhe, në këtë mënyrë, siç janë mësuar deri tani kosovarët me paralajmërime të këtilla “telallësh”, ende pa u bërë një vit nga hyrja në fuqi e tarifave të shtrenjta, ata druajnë se ryma të shtrenjtohet sërish gjatë dimrit.
Në këtë stinë, në mungesë të kapaciteteve prodhuese të vendit dhe të mungesës evidente të rrymës, nevoja për import rritet,dhe me këtë edhe ‘atutë’ zyrtare për çmime të reja enorme deri në qiell. Dhe alternativa e vetme për kosovarët e ofruar nga Qeveria, por edhe nga zinxhiri elektroenergjetik i vendit (KEK- KOSTT-KEDS- Kesco dhe ZRRE) mbetet një gjë: merre (pranoje çmimin e rritur), ose leje (rri në terr pra).
Duhet thënë se paralajmërimi për ngritje çmimi të rrymës në Kosovë po bëhet pikërisht në kohën kur si rrjedhojë e motit të mirë në këtë kohë ka ulje të kërkesës për energji elektrike. Dhe në ditën kur udhëheqësi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Gabriel Di Bella, ka thënë se bazuar në parashikimin e bazuar në njohuri dhe rrethanat aktuale, parashikohet që vitin e ardhshëm të ulen çmimet e mallrave, gjë nga e cila Kosova do të përfitonte.
Ç’është e vërteta, nga ZRRE kanë thënë se ende s’kanë pranuar ndonjë kërkesë për rritje të tarifave, por s’e kanë përjashtuar mundësinë që të ketë shtrenjtim të energjisë. Petrit Pepaj nga ky institucion, i ka thënë një medie të vendit se meqë kostot e blerjeve të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, kjo duhet të reflektohet edhe në tarifa.
“Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk ka pranuar aplikacionet nga të licencuarit e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO, që kanë të bëjnë me të Hyrat e lejuara Maksimale dhe tarifat për vitin 2023. Përgjatë këtij viti, kostot e blerjeve të energjisë kanë pasur rritje të vazhdueshme, këto kosto mbi nivelin e lejuar përgjatë vitit dhe duhet të reflektohen në tarifa kurdo që procesi i përshtatjes së tarifave të ndodh, rrjedhimisht mund të pritet edhe rritje e tarifave”, ka deklaruar Pepaj.
Paralajmërimet nëpërmjet “telallëve profesionistë” të tarifave të reja të ngritura të energjisë elektrike, që goxha shumë sinjalizon se pritet të ketë ngritje edhe më tej të çmimeve të energjisë elektrike në Kosovë në periudhën dimërore, në opinion dhe sidomos ndër konsumatorët e varfër dhe të skamur financiarisht kosovarë, shkaktuan pakënaqësi të reja, zhgënjim të hidhur të pasosur dhe shqetësim real se çka do bëhet me ta. Si do t’ia dalin të jetojnë në këto rrethana të varfërisë dhe si është e mundur që askush nga shteti dhe pushteti mos ta ketë fare vëmendjen për këtë çështje kaq të ndjeshme dhe kaq me ndikim në stabilitetin e vendit.
Ndërkohë, për njohësit e rrethanave dhe të afarizmit të kompanive që përbëjnë sistemin elektroenergjetik të vendit, ndër ta edhe për Buletinin Ekonomik, paralajmërimet e reja për çmime të rritura sërish të rrymës janë në njëfarë mënyre të pritshme, dhe jo edhe aq befasuese dhe tronditëse siç u reflektua ndër konsumatorë. Sepse, që me rritjen e çmimit të energjisë mbi qind për qind në shkurt të këtij viti, sipas kërkesës të po këtij furnizuesi dhe me pranimin lehtësisht fare nga ZRRE-ja të kërkesave të furnizuesit që ka monopol të padiskutueshëm në këtë sektor, është tërhequr vërejtja se furnizuesi nuk do të ndalet me përcaktimin e çmimit të ri, enorm të lartë, por do të vazhdojë të shfrytëzojë situatën, të kërkojë vazhdimisht çmime të reja të ngritura deri në pafundësi. Dhe, ja kjo po ndodhë…
Ende pa u bë nëntë muaj qëkur Kosova shumëfishoi çmimin e energjisë elektrike, sidomos për konsumatorët e amvisërisë, pra për ata absolutisht shumicë në Kosovë, erdhën paralajmërimet e reja, kësaj radhe jo shumë të kamufluara, jo shumë të fshehta, duke u arsyetuar se energjia elektrike gjatë muajve të acartë do të ketë kosto të lartë në tregjet ndërkombëtare. Dhe, duhet theksuar tash e këtu, se këto paralajmërime për çmime të reja të rritura të rrymës në Kosovë, janë tentativë e re për të zhvatur kosovarët e varfër, për të rënduar edhe më tej gjendjen e skamur financiare të tyre.
Paralajmërimet e zyrtarëve të vendit janë edhe të pandershme dhe kundër të gjitha ligjeve të vlefshme në ekonominë e tregut. Sepse Kosova, që nga kriza e madhe, në njëfarë mënyre deri në javën e kaluar, me prodhimin e vet, pra me energjinë elektrike të prodhuar nga njësitë e Kosovës A dhe B, ka plotësuar tërësisht nevojat e konsumit veror. Dhe jo vetëm që ka plotësuar këto nevoja, por në këtë periudhë ka eksportuar më shumë energji elektrike se sa që ka importuar.
Sipas të dhënave të ASK-së, në muajin maj 2022, prodhimi bruto nga termocentralet e energjisë elektrike ishte 525.96 GWh; prodhimi bruto nga hidrocentralet e energjisë elektrike ishte 16.88 GWh; dhe prodhimi bruto nga era dhe ajo solare i energjisë elektrike ishte 18.81 GWh. Ndërsa gjatë muajit qershor të këtij viti, Kosova ka importuar 355.24 GWh energji elektrike, ndërsa ka eksportuar 367.03 GWh. Edhe në muajt para majit dhe qershorit, pak a shumë eksporti dhe importi i rrymës ka qenë i ngjashëm me muajin maj. Në KEK, kanë thënë se deri në shtator të këtij viti janë eksportuar diku mbi 80 milionë euro.
Tashmë më nuk qëndron as shkasi e as arsyeja për çmime të reja të ngritura nga mospagesa e subvencioneve të premtuara nga Qeveria, pasi që KESCO paratë e zotuara nga Qeveria e Kosovës ka kohë që i ka në arkën e vet. Prandaj, pse gjithë kjo ngarendje e zyrtarëve të Kosovës, pse gjithë kjo zemërgjerësi e tyre për të varfëruar edhe më tej taksapaguesit e varfër të Kosovës?
Edhe me këtë rast po themi se edhe ashtu çmimet e energjisë elektrike në Kosovë, të ngritura mbi 100 për qind përnjëherë dhe nëpërmjet aplikimit të jashtëligjshëm të bllok tarifave të rikthyera, të ngritura edhe disa herë, janë çmime enorme të larta edhe për rrethanat evropiane të ecurive të çmimeve në këtë sektor.
Ndërkohë, çmimi tjetër që kosovarët e paguajnë tashmë për dhjetëra vite, si banorë rezidentë dhe pronarë të ligjshëm të thëngjillit që eksploatohet nga tokat e tyre dhe nga ndotja dhe degradimi me pasoja enorme të ambientit, është i pamatë dhe i pavlerësuar asnjëherë as nga ZRrE-ja e as nga zyrtarët e tjerë. KESCO, ZRRE, KOSTT-i e KEK-u, duhet ta kenë të qartë, në mos e kanë pasur deri tash këtë njohuri, se Kosova vazhdon të jetë njëra ndër vendet me ambientin më të ndotur dhe të degraduar, si rrjedhojë në radhë të parë e prodhimit të pjesës dërmuese të energjisë elektrike nga qymyri për dekada me radhë (aktualisht mbi 90 për qind e megavatëve te energjisë elektrike janë nga prodhimi në bazë të thëngjillit).
Këto subjekte që në njëfarë mënyre kërkojnë bashkarisht çmime të reja të rrymës në Kosovë, duhet të jenë të informuara për të dhënat e bëra publike nga individë ambientalistë dhe dashamirës të natyrës së pastër, por edhe ca të shifrave sporadike që vijnë nga institucione të ndryshme dhe nga shoqëria civile, që flasin se Kosova ka nivel alarmant ndotjeje, dimrit dhe verës, në vendbanimet urbane dhe rurale, në tokë dhe në ujëra, por edhe pasoja të përmasave alarmuese të ndotjes në shëndetin e kosovarëve. Duhet të jenë të njoftuar për alarmin që kohë më parë Luan Shllaku, një ambientalist i njohur i këtij vendi, dha në një televizion të vendit, duke njoftuar se rreth 470 vdekje ndodhin brenda një viti nga sëmundjet që shkaktohen si pasojë e ndotjes nga termocentralet Kosova A dhe B.
Mbase KESCO, ZRRE, KOSTT dhe KEK-u nuk i kanë qitur në harresë të dhënat edhe më alarmuese të një raporti të vitit 2019 të Bankës Botërore, ku thuhej saktësisht se ndotja e ajrit vret rreth 760 njerëz çdo vit në Kosovë.
“Komuna e Obiliqit ka rreth 30 për qind më shumë pacientë me sëmundje kronike të frymëmarrjes dhe 30 për qind më shumë raste të tumoreve malinje (kanceri) sesa pjesët tjera të Kosovës si pasojë e ndotjes së mjedisit”, kanë konstatuar mjekët vendas.
Sipas të dhënave të Balkan Green Foundation, “njerëzit që jetojnë në zona të kontaminuara (lexo: njerëzit që jetojnë rreth e qark kompleksit elektroenergjetik të Kosovës) humbasin rreth pesë vjet jetë për shkak të ndotjes së ajrit”. Sipas ambientalistëve, kostoja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë është shumë më e lartë, kur merren parasysh efektet në shëndetin publik të termocentraleve të vjetruara. Prandaj, njohësit e zhvillimeve energjetike dhe ekspertët gjithmonë kanë ngritur zërin, kanë alarmuar në sinkroni me njëri-tjetrin se “kosovarët kurrë nuk e paguajnë lirë koston e energjisë elektrike, as më së liri në rajon”. Përkundrazi… Sipas tyre, e paguajnë shumë shtrenjtë këtë kosto, dhe që nuk matet me para.
Shëndeti i rrënuar i qindra mijëra kosovarëve rreth e qark teromocentraleve dhe minierave sipërfaqësore dhe sëmundjet kronike të qindra mijëra kosovarëve, të fituara nga ndotja e ambientit dhe degradimi i natyrës për të prodhuar energji elektrike, është çmimi që paguajnë kosovarët e që nuk kompenzohet dot, as nga importi i KEDS-it as nga Qeveria, as nga ZRRE-ja. Ky është çmimi i vërtetë, ai reali, që paguajnë kosovarët për energjinë elektrike.
Ndërsa, rritja eventuale edhe njëherë e çmimit të rrymës, do të varfrojë financiarisht shumicën absolute të banorëve të Kosovës, ç’rregullon paqen sociale në shtetin ende të brishtë të Kosovës dhe komprementon skajshëm dhe pandreçshëm autoritetin e pushtetit aktual të vendit.
Ndërkohë, për krizat energjetike të paralajmëruara dhe të cilat ka gjasë të jenë të pashmangshme edhe në dimrin që po vjen, fajtorët duhet kërkuar ndër këto katër subjekte përgjegjëse për ta furnizuar Kosovën me energji elektrike. Pse këto subjekte rrinë duarkryq dhe presin të shtatëfishohet çmimi i rrymës, dhe pse presin të përkeqësohet edhe më tej situata energjetike, pa ndërmarrë asnjë hap e asnjë veprim të vetëm? Nuk mund të fajësohet vetëm situata globale as konsumatori kosovar.
Subjektet e lartpërmendura, pra KESCO, ZRRE, KOSTT dhe KEK, janë ato që duhet siguruar energjinë elektrike të nevojshme për konsumin e Kosovës dhe me çmime reale. Ndërsa, konsumatori i mbingarkuar me kosto të papërballueshme edhe të deritashme duhet të paguajë vetëm çmimet reale. Shantazhet, kërkesat zhvatëse dhe shfrytëzimi i situatave të krizës në asnjë mënyrë nuk duhet jenë të pranueshme as nga institucionet, as nga qytetarët. Ministrja Rizvanolli tha këto ditë se konsumatorët në Kosovë duhet të kontribuojnë në shmangien e skenarëve më të këqij të mungesës së energjisë. Ajo tha se objektivat kryesore të institucioneve të vendit përfshijnë reduktimin e konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike. Mirëpo, në shmangien e skenarëve më të këqij të mungesës së energjisë, veç konsumatorëve duhet të kontribuojë edhe më shumë shteti dhe zinxhiri i kompanive që përbëjnë sistemin elektroenergjetik të vendit. Ndërsa objektiva kryesore të institucioneve të vendit do të duhej të ishin ndërtimi, ose së paku nisja e ndërtimit të kapaciteteteve të reja elektroenergjetike, qoftë nga qymyri, qoftë sosh të rinovueshme dhe pastaj reduktimi i konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike. /Buletini Ekonomik/