A do të ketë Kosova së shpejti dy kapacitete të energjisë solare?

Fushë me panele solare

Aplikimi i Kosovës për dy grante investive në vlerë të mbi 55 milionë eurove me qëllim të ndërtimit të dy projektve të energjisë me bazë të diellit, që tashmë është miratuar nga Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF), është vërtetë një lajm shumë i rëndësishëm për Kosovën për shumë arsye. Kjo, sepse, më në fund edhe vendi ynë po nis së realizuari projekte të energjisë solare të munguara deri tani. Kosova, pra, pos ndonjë kapaciteti simbolik për nga fuqia, të instaluar nga qytetarët individualisht për nevojat të familjeve të veta, deri tash nuk pati ndonjë kapacitet më të madh solar, që do të shërbente për prodhimin e më shumë megavatëve të energjisë elektrike në nivel vendi, aq të nevojshëm për këtë vend.

Mehmet GJATA

Lajmi i bërë publik të enjten nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, se Bordi Operacional i Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) ka miratuar aplikimet e Kosovës për grantet investive në vlerë prej mbi 55 milionë euro në total, është shpresëdhënës, por edhe domethënës për zhvillimet energjetike në vendin tonë. Është i mirëpritur, sidomos në komunitetin energjetik kosovar, por edhe në opinion në përgjithësi dhe ndër njohësit e rrethanave energjetike të ne, ngase, pas një heshtjeje shumë të gjatë dhe një ngurrimi të zyrtarëve për të qenë më kërkues dhe më ngulmues për të nisur realizimin e ndonjë projekti të energjisë solare në republikën tonë, më në fund, diçka po ndodhë edhe në energjetikën kosovare.

Në njoftimin që ka bërë në facebook të enjten ministri Murati, ishte goxha bindës edhe për faktin se ai ka shpjeguar se këto mjete do të përdoren për dy projekte energjetike – atë të Ngrohjes Qendrore Solare dhe atë për Parkun Solar në hapësirat e KEK-ut. Por, edhe ka sqaruar se marrëveshjet financiare për këto dy projekte të rëndësishme do të nënshkruhen në ditët në vijim, dhe se “kështu do t’i hapet rrugë fillimit të zbatimit të dy projekteve kaq të rëndësishme”.

Reklama e sponzorizuar

Këto dy projekte të energjisë në bazë të diellit janë vërtetë të rëndësishme për Kosovën për shumë arsye. Ndër të tjerra, sepse, më në fund edhe vendi ynë po nis së realizuari projekte të energjisë solare të munguara deri tani. Kosova, pra, pos ndonjë kapaciteti simbolik për nga fuqia, të instaluar nga qytetarët individualisht për nevojat të familjeve të veta, deri tash nuk pati ndonjë kapacitet më të madh solar, që do të shërbente për prodhimin e më shumë megavatëve të energjisë elektrike aq të nevojshëm për këtë vend.

Ndërkohë, që kapacitete të prodhimit të energjisë në bazë të erës, siç dihet, Kosova tashmë i ka dy – Parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës -105 megavatësh dhe atë në Kitkë të Kamenicës rreth 40 megavatësh. Është shumë i rëndësishëm finalizimi i këtyre projekteve (të akceptuara nga ministri Hekuran Murati), edhe për faktin se Kosova po paralajmëron se po nis epokën e re të prodhimit të energjisë së rinovueshme në bazë të diellit, aq shumë të kërkuar nga bota energjetike ndërkombëtare për të sfiduar gradualisht qymyrin e “dënuar” tani gjithandej dhe gjithanshëm në mbarë botën si një nga ndotësit potencial të ambientit.

Me rëndësi është se po nisin të ndërtohen edhe termocentralet në bazë të diellit në Kosovë, pas nisjes së suksesshme të prodhimit të Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh në Shalë të Bajgorës. Për këto dy projekte, në qarqet zyrtare dhe në komunitetin energjetik të Kosovës flitet thuaja për rreth një vit të plotë. Së pari në pranverën e hershme të sivjetshme, pas takimit me një delegacion nga Gjermania është paralajmëruar nga autoritetet e vendit dhe nga kryeministri Albin Kurti, se po bisedohet seriozisht realizimi i një projekti të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 70 megavatësh). Ishte sqaruar se bëhej fjalë për një kapacitet solar në përmasa dhe ndër kapacitetet më të madha diellore dhe që do të jetë jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK), dhe që do të ketë gjithanshëm të mirat e veta.

Projekti i paralajmëruar me emërtimin “Solar4Kosova”, që tashmë e vijëzoi edhe ministri Murati, nëse vërtetë do të ndodhë, jo vetëm se po vie në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet të energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.

Siç u tha, Projekti “Solar4Kosovo’’ ka për synim që krahas prodhimit të energjisë elektrike për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, t’i bashkangjitet edhe sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit. Sipas zyrtarëve, kapaciteti i shtuar që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, do të furnizojë 12 mijë familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës dhe në këtë mënyrë do ta reduktojë goxha shumë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes.

Lokacioni i përcaktuar nga Qeveria për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti, atëherë ka qenë fshati Shkabaj në komunën e Obiliqit.

Është theksuar nga zyrtarët se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit, si dhe do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike. Ishte sqaruar gjithashtu se projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe pritet të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim -BERZH.

Në kuadër të vizioneve për përmbushjen e synimeve strategjike për energji solare, në fillim të këtij viti ishte bërë publike nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, se KEK planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e deponisë së djerrinës të termocentralit Kosova A. Nëse tani bëhet fjalë për këtë projekt, poashtu do të jetë shumë domethënës për sistemin elektroenergjetik të Kosovës jo vetëm për faktin se do të kemi plus 100 megavatë energji elektrike solare, por edhe për shkakun se ky kapacitet do të ndërtohet në tokat e KEK-ut, dhe atë në djerrinën që me dekada është shpërfaqur me imazhet dekadente të degradimit të ambientit në afërsi të drejtëpërdrejtë të vendbanimeve dhe të kryqytetit të Kosovës.

Të mbulosh këtë kodër të madhe me panele solare të krijuar nga hiri i krijuar nga djegja shumëvjeçare e qymyrit për të prodhuar rrymë, është më se atraktive, e pëlqyeshme dhe si e tillë e mirëpritur nga kosovarët. Fundja, tashmë, për Kosovën është urgjencë zëvendësimi sa më shumë i kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Ndërkohë që tani për tani, Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme. Duhet thënë se megjithë mëdyshjet dhe dilemat në shumë mjedise, edhe në nivel institucionesh, madje edhe ekspertësh, Kosova ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira. Prandaj, nisma për ndërtimin e dy kapaciteteteve solare të bëra publike nga ministri Murati, duhet marrë seriozisht nga vendimmarrësit. Me urgjencë duhet përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisin një herë e mirë së ndërtuari kapacitetet elektroenergjetike solare në Kosovë, dhe në tokën djerrë tonën, që tani vie sikur e porositur për këtë dedikim.

Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për një vit, e shumta dy sish, dhe që mund të sigurojnë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, është ogur i mirë edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohojë se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës. Dhe, më në fund kjo nismë le të shërbejë edhe si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare.

Kosova, mbase nuk i ka kushtet ndër më të mirat në botë për këtë lloj energjie, por ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit për të prodhuar rrymë për nevojat e veta. Dhe, mundësi ka. Kështu këmbëngulin edhe ekspertët e kësaj fushe. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin troll i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. /Buletini Ekonomik/