Bursat europiane, viti më i keq që nga 2018-ta

Bursat europiane pritet të realizojnë vitin më të keq që nga 2018-a, pasi lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, inflacioni i lartë dhe shtrëngimi i politikave monetare kanë dëmtuar asetet me risk në të gjithë botën.

Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur sesionin e fundit të këtij viti me një rënie prej 12%, krahasuar me sesionin e parë të vitit, performanca më e dobët vjetore që nga viti 2018.

Ekonomitë në të gjithë botën e nisën vitin 2022 në përpjekje për tu rimëkëmbur nga pandemia e Covid-19, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia çrregulloi të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe shkaktoi rritje të ndjeshme të çmimeve, sidomos të ushqimeve dhe energjisë.

Reklama e sponzorizuar

Me luftën në Ukrainë që nuk po tregon shenja të përfundimit dhe me Kinën që po përballet me procesin e rihapjes së ekonomisë nga Covid-19, investitorët po përllogarisin rreziqet për vitin 2023.