Euro thelloi më tej rënien në kursin e këmbimit shqiptar ditën e mërkurë, duke zbritur për herë të parë poshtë vlerës së 115 lekëve.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 114.82 lekë, në rënie me 0.39 pikë krahasuar me një ditë më parë. Ndërkohë, në dy javët e para të dhjetorit, monedha europiane ka humbur gjithsej dy pikë në kursin e këmbimit kundrejt Lekut.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, kërkesa për Euro në javët e fundit në tregun valutor ka pësuar rënie të mëtejshme, pas ndërprerjes së blerjeve nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Rreshjet e shumta dhe shtimi i prurjeve të lumenjve kanë rritur prodhimin e energjisë në vend dhe kanë ulur nevojën për importe, madje në këtë periudhë KESH ka realizuar eksporte të saj në sasi të mëdha.
KESH ka qenë një faktor i rëndësishëm në tregun e këmbimit valutor gjatë këtij viti, për shkak të importeve të energjisë që vlerësohen në shifra mjaft të mëdha, me më shumë 300 milionë euro. Ndërprerja e blerjeve nga KESH i ka dobësuar edhe më shumë pozitat e Euros në tregun valutor. Monedha europiane ka pasur një tendencë të vazhdueshme rënëse gjatë gjithë vitit, pavarësisht importeve të mëdha të energjisë dhe shtrenjtimit të importeve. Në datë 14 dhjetor, kursi Euro – Lek rezulton në rënie me 4.8% krahasuar me fundin e vitit 2021.
Ekspertët besojnë se për javët në vazhdim tendencat e kursit me shumë të ngjarë do të jenë në drejtim të një dobësimi të mëtejshëm të Euros, duke pasur parasysh edhe faktorin sezonal. Pjesa e dytë e muajti dhjetor shoqërohet me kthim të emigrantëve dhe shtim të turistëve të huaj, duke rritur në këtë mënyrë ofertën e valutës në treg.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se, deri në fund të 9-mujorit, deficiti i llogarisë korrente ishte në vlera të përafërta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por, sipas ekspertëve, kursi mund të jetë ndikuar nga ecuria në rritje e investimeve të huaja direkte, si edhe nga kontributi gjithmonë i konsiderueshëm i prurjeve informale të valutës.
Forcimi i vazhdueshëm i Lekut po rezulton një zhvillim i volitshëm në kushtet e inflacionit të lartë dhe këtë vit ka zbutur pjesërisht rritjen e çmimeve të importit, duke pasur parasysh se Euro është monedha kryesore në transaksionet e tregtisë së jashtme të vendit. Mbiçmimi i Lekut sjell përfitime edhe për huamarrësit në Euro, por me të ardhura në monedhën vendase. Nga ana tjetër, forcimi i Lekut po ndikon negativisht sektorët eksportues të mallrave dhe të shërbimeve, si edhe subjektet që kanë kursime në monedhën europiane. /Monitor.al/