Europa e nis në rritje javën e fundit të vitit – Tregtia karakterizohet nga një volum i ulët për shkak të festave

Tregjet europiane janë hapur në rritje të lehtë në sesionin e parë të kësaj jave, pasi mbizotëron ndjenja pozitive për ditët e fundit të vitit 2022. Megjithatë, volumi i shkëmbimeve tregtare është i ulët për shkak të festave të fundvitit.

Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje të lehtë me 0.2%, ndërsa bursa e Londrës do të qëndrojë e mbyllur edhe sot, për shkak të një feste kombëtare.

Edhe shumica e tregjeve aziatike u mbyllën në rritje, pas njoftimit të qeverisë kineze se duke filluar nga 8 janari do të heqë karantinën për udhëtarët e huaj. Kjo do të thotë se, gradualisht autoritetet në Kinë po kargohen nga politika “zero Covid”. Njëkohësisht, edhe kontratat “futures” në Wall Street sugjerojnë një hapje në territor pozitiv.

Reklama e sponzorizuar

Investitorët po presin me interes të shohin nëse Wall Street do të përjetojë rritjen e fundvitit, që ndryshe njihet edhe si “Rritja e Santa Claus”, që zakonisht përfshin pesë sesionet e fundit të vitit. Edhe Wall Street ishte pushim të hënën me rastin e Krishtlindjes dhe ky është sesioni i parë për këtë javë.