Inflacioni vjetor në Turqi është lehtësuar pak në nëntor për herë të parë në më shumë se një vit, sipas shifrave zyrtare të publikuar të hënën, megjithatë ai mbetet pranë niveleve më të larta të 24 viteve.
Çmimet vjetore të konsumit u rritën me 84.39% në nëntor, nga 85.51% e regjistruar në tetor, një rënie prej 0.63%, njoftoi Instituti i Statistikave Turke.
Norma mujore e inflacionit ishte 2.88% në muajin nëntor, krahasuar me 3.51% një muaj më parë.
Është hera e parë që inflacioni vjetor shënon rënie që nga maji i vitit 2021.
Ndërsa pandemia dhe lufta e Rusisë në Ukrainë kanë nxitur inflacionin në mbarë botën, ekonomistët besojnë se inflacioni në Turqi u nxit gjithashtu edhe nga besimi i Presidentit Recep Tayyip Erdogan se kostot e larta të huamarrjes çojnë në çmime më të larta. Nga ana tjetër ekonomistët thonë se rritja e normave ndihmon në frenimin e inflacionit.
Banka qendrore e Turqisë ka ulur normat e interesit me 5 pikë përqindjeje që nga gushti, në 9% pavarësisht inflacionit të lartë që ka thelluar një krizë të kostos së jetesës në vend. Në të kundërt, bankat qendrore në mbarë botën kanë rritur normat për të luftuar inflacionin në rritje.
Rritjet më të mëdha të çmimeve vjetore janë shënuar në sektorin e transportit, me 107%, pasuar nga çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 102.55%, sipas të dhënave zyrtare.
Disa ekspertë kanë vënë në dyshim shifrat institutit shtetëror dhe Grupi i Kërkimit të Inflacionit, i cili përbëhet nga ekonomistë të pavarur, tha të hënën se norma e vërtetë e inflacionit në Turqi për nëntorin është 170.7%./ AP