Investimet e huaja në Kosovë arrijnë në 560 milionë euro, 10% janë nga Shqipëria

Investimet e Huaja Direkte në Kosovë kanë shënuar rritje këtë vit. Nga 390 milionë euro vitin e kaluar, këtë vit investimet kanë shkuar mbi 560 milionë euro. Rritje të investimeve ka pasur edhe nga Shqipëria, nga 32 milionë në 58.2 milionë.

Vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë ka shënuar rritje.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, nga 390 milionë euro, sa ishin 9-mujorin e vitit të kaluar, këtë vit investimet e huaja kanë arritur shifrën mbi 560 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Rritje të investimeve ka pasur edhe nga Shqipëria.

BQK-ja bërë të ditur se nga Shqipëria këtë vit ,investimet drejt Kosovës kanë arritur në 58.2 milionë euro.

“Nga janari deri në muajin shtator 2022, vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë, ka arritur në shumën prej 566.8 milionë eurosh. Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, vlera e investimeve të huaja ishte 394.6 milionë euro. Kurse, vetëm nga Shqipëria këtë vit investimet drejt Kosovës kanë shkuar në 58.2 milionë, nga 32 milionë sa ishte vitin e shkuar”, kanë treguar nga BQK për Monitor.

Drejtori i Këshillit të Investitorëve Europianë, Emrush Ujkani, në një deklaratë për media ka treguar gjendja është e mirë edhe përkundër luftës që po ndodh në Ukrainë, e cila që ka ndikuar drejtpërdrejt në të bërit biznes.

“Ajo çka është vërejtur gjatë kësaj periudhe është se ka pasur interesim të madh prej atyre kompanive që kanë operuar edhe në tregun rus apo të Ukrainës e të cilat në një formë kanë parë alternativë tërheqjen e domosdoshme dhe kanë kërkuar rajone të qëndrueshme e që ofrojnë mundësi të reja. Unë jam vetë dëshmitar i asaj që kemi pritur disa prej kompanive që kanë shprehur interesim”.

Megjithëse ardhja e investitorëve merr kohë dhe kërkon procedura, Ujkani thekson se Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar rritje këtë vit.

“Ne jemi duke përpunuar të dhënat tona dhe ende nuk i kemi finalizuar, por sido që të jetë ka një rritje të mirë të investimeve, marrë parasysh gjitha zhvillimet që kanë ndodhur në glob”.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se duhet përkrahje institucionale që të ketë investime më kualitative në vend.

“Vendi ka nevojë për investime kualitative që shtojnë prodhimin, rrisin punësimin dhe ngritin mirëqenien e qytetarit. Duhet të gjitha institucionet të jenë shumë agresive, në mënyrë që të sjellin investitorë për të mirën e vendit tonë”.

Shuma prej 560 milionë euro është më e madhja në krahasim me 13 vitet e fundit, derisa investimet më të mëdha se sa ato të realizuara në vitin e kaluar, ishin në vitin 2007, ku vlera e investimeve të huaja kishte arritur në shumën prej 440 milionë euro. Në vitin 2021, vlera e investimeve të huaja arriti në shumën prej 415.3 milionë euro