Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në partneritet me UNICEF-in në Kosovë dhe Rrjetin CSR Kosova kanë filluar një fazë të re të programit Kosovo Generation Unlimited (K-GenU), i cili synon fuqizimin e rinisë në Kosovë përmes ofrimit të mundësive në punë praktike, mentorim dhe trajnim për 10,000 të rinj në 2 vitet e ardhshme.
K-GenU është një platformë me shumë akterë e cila bashkon sektorin privat, publik dhe partnerët zhvillimor me qëllim nxitjen e bashkëpunimin, promovimin e shkathtësive të punësimit dhe fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.
Cikli i parë i programit, do të angazhojë të rinjtë në punë praktike me kompensim në ndërmarrje private dhe publike në Kosovë. K-GenU është një mundësi për të gjithë të rinjtë e moshave 16-24 vjeç, ku të gjitha grupet dhe profilet arsimore inkurajohen që të aplikojnë. Për të mësuar më shumë rreth K-GenU ose për t’u regjistruar për këtë mundësi, vizitoni vegëzën: www.kosovogenu.com.
Platforma K-GenU u ofron të rinjve mundësi të ndryshme si për të zhvilluar shkathtësitë përmes trajnimeve të personalizuara, për t’u lidhur me mentorët që do t’i udhëzojnë ata përgjatë praktikës dhe ndihmojnë në përmirësimin e tranzicionit nga shkolla në punë, dhe për të marrë përvojën e tyre të parë të punës përmes ndërlidhjes me ofruesit e punës praktike.
K-GenU synon të zhvillojë dhe të rrisë shkathtësitë e punësimit të të rinjve, me fokus të veçantë në angazhimin e vajzave dhe djemve adoleshentë të moshës 16-24 vjeç nga grupet dhe zonat e margjinalizuara. Këtu përfshihen adoleshentët dhe të rinjtë nga komunitetet jo-shumicë, ata me vështirësi funksionale dhe aftësi të kufizuar; ata nga zonat rurale, si dhe ata që aktualisht nuk janë të punësuar, nuk janë në arsim apo në ndonjë trajnim. /Buletini Ekonomik/