Korenica nga LVV-ja: Ligji i Pagave do të hyjë në fuqi në tremujorin e parë të 2023-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Korenica, ka thënë se për Ligjin për Paga është punuar gjatë në mënyrë që çështja e rrogave për zyrtarët shtetërorë të jetë e rregulluar.

Ai vlerëson se ka qenë përkushtim i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe tërë qeverisë që ky ligj të përgatitej.

Korenica në emisionin e ekonomisë, Portofol, në Klan Kosova FM ka theksuar se shpejt pritet edhe miratimi përfundimtar dhe hyrja në fuqi.

Reklama e sponzorizuar

“Ky ligj do të hyjë në fuqi në pjesën e parë të vitit 2023 – në tremujorin e parë dhe do të ndikojë pozitivisht. Me rritjen e pagave në sektorin publik do të plotësohet hapësira e krijuar si pasojë e inflacionit”, është shprehur Korenica.

Lidhur me vlerën e koeficienteve, ai ka nënvizuar se caktohet në bazë të buxhetit vjetor.

“Sigurisht që do të ketë rritje të rrogave. Koeficienti me sa kam informacion do të jetë 120 euro dhe mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël”.

“Ka qenë padrejtësi e madhe pabarazia me paga. Me këtë ligj kjo është eliminuar dhe është sjell në më pak se pesë shkallë”.

Edhe lidhur me Ligjin për Zyrtarët Publikë, Korenica ka theksuar se synohet të sillet barabartësi në mundësi.