Kurti: Buxheti për vitin 2023 më i larti dhe më gjithëpërfshirësi

Kryeministri i Koaovës, Albin Kurti ka deklaruar se buxheti i votuar sot për vitin 2023, prej 3.2 miliardë, është jo vetëm më i larti ndonjëherë, por edhe më gjithëpërfshirësi.

Kurti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se përveç se i dedikohet arsimit, shëndetësisë, ushtrisë, bujqësisë, ekonomisë e kulturës, buxheti përfshin edhe rininë, gratë e grupet e cenueshme të shoqërisë sonë.

Kurti ka thënë se rreth 300 milionë euro janë për investime në shëndetësi, që të ofrohen shërbime cilësore shëndetësore, si dhe 400 pozita më tepër për stafin shëndetësor.

Reklama e sponzorizuar

“Rreth 280 milionë euro për arsim, për ndërtimin e çerdheve dhe infrastrukturës së avancuar arsimore, si dhe 743 pozita të reja për stafin arsimor. Mbi 300 milionë euro për sigurinë dhe ushtrinë, për investime në siguri e armatim modern, si dhe 300 pozita të reja për Policinë. Rreth 90 milionë euro për bujqësinë, për të vazhduar e për të rritur mbështetjen për fermerët tanë, që të sigurohet prodhimi vendor në këtë kohë krize, por edhe prodhimi vendor në afat të gjatë. Rreth 60 milionë euro për kulturën e sportin për aktivitete e infrastrukturë kulturore e sportive”, ka thënë Kurti.

Për të siguruar shërbime publike më të mira e mbrojtje të të drejtave të qytetarëve tanë, do të shtohen 240 pozita të reja për inspektoratet.

Përveç këtyre, shton Kurti, kanë ndarë buxhet edhe për shumë projekte të tjera e premtime, si 60 milionë euro për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, 15 milionë euro për rezervat shtetërore, 20 milionë euro për punësim, 40 milionë euro mbështetje për investime në ndërmarrje publike, e 6 milionë euro për funksionalizim të terminaleve doganore shtetërore.

“Shumë nga premtimet tona na është thënë se nuk do të bëhen, e se nuk e kemi buxhetin e mjaftueshëm, mirëpo shtesat për lehona e për fëmijë u bënë, çerdhet po ndërtohen, punësimi po rritet, terminalet po bëhen shtetërore e prodhimi vendor po shumëfishohet. Kështu do të vazhdojmë edhe me premtimet e tjera e me buxhetimin e tyre në vitet e ardhshme”, është shprehur Kurti.