Rizvanolli: Në Strategjinë e Energjisë nuk është paraparë ndërtimi i hidrocentraleve të reja

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, me rastin e miratimit të Strategjisë së Energjisë 2022-2031, pas mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar, është shprehur se kjo strategji parasheh zhvillimin afatgjatë të sektorit të energjisë në vend, duke vendosur themelet për një sektor të ri energjetik, të pastër dhe efiçient.

Duke prezantuar strategjinë para gazetarëve, ajo tha se në këtë Strategji të Energjisë, nuk është i paraparë ndërtimi i hidrocentraleve të reja, shkaku, sipas saj, i burimeve të kufizuara ujore në vendin tonë, si dhe duke marrë parasysh dëmin ambiental që i shkaktohet vendit nga ndërtimi i tyre, përcjell Buletini Ekonomik.

Megjithatë, ajo tha se nuk është përjashtuar mundësia që në një të ardhme të afërt Ministria e Mjedisit të përgatisë ndonjë plan zhvillimor për sektorin e ujërave, dhe nëse do të ketë mundësi të ndërtohen kapacitete ujore, të njëjtat do të shqyrtohen dhe nëse janë në përputhje me objektivat e ambientit, ato edhe do të ndërtohen.

Reklama e sponzorizuar

“Duke marrë parasysh burimet e kufizuara ujore që i kemi si shtet si dhe dëmin ambiental që është bërë me projektet ekzistuese, Strategjia aktualisht nuk parasheh hidrocentrale të reja, mirëpo nuk e përjashtojmë mundësinë që Ministria e Mjedisit të ketë bërë një plan zhvillimor për sektorin e ujërave, nëse ka mundësi të ndërtohen kapacitete ujore, kjo do të shqyrtohet, por vetëm në një moment kur të jemi të sigurt që kjo është në përputhje me objektivat e ambientit”, është shprehur Rizvanolli.

Rizvanolli me këtë rast, shtoi se Strategjia parasheh një sektor të energjisë ku edhe qytetarët do të jenë më të përfshirë dhe do të jenë aktiv në mënyra të ndryshme.

“Strategjia e Energjisë 2022-2031 vendos orientimet afatgjata të zhvillimit të sektorit të energjisë, vendos themelet për një sektor të energjisë të ri, më të pastër me efiçinet dhe një sektor ku qytetarët janë me të përfshirë, të jenë pjesëmarrës aktivë, qoftë përmes vetëkonsumit, qoftë përmes informimit më të mirë dhe të qenit në gjendje për të marrë vendimet e duhura për kursimin e energjisë”, ka pohuar Rizvanolli. /Buletini Ekonomik/