Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave, të dërguara për domatet që janë importuar nga Shqipëria, derisa varësisht nga gjetjet, do të merren dhe veprimet. Ato, dyshohet se mund të përmbajnë sasi të larta të hormoneve, që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.
Përfaqësues të bizneseve bëjnë thirrje për veprime të menjëhershme ndaj çdo produkti që nuk i përmbush kriteret për konsum, përderisa qytetarët vazhdimisht ankohen për ushqim jo kualitativ.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ende nuk ka njoftim zyrtar për domatet e importuara nga Shqipëria dhe përmbajtjen e tyre e të cilat kohët e fundit janë larguar nga tregu i Bashkimit Evropian. Por, me gjithë këtë, AUV ka marrë mostrat dhe i ka dërguar në laboratorë jashtë vendit, me qëllim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve. Kështu ka konfirmuar për Radio Kosovën zëdhënësi i AUV, Lumir Thaçi. “Përveç kontrolleve zyrtare, pa dyshim se si burime të informacioneve, në rrugë zyrtare që kemi, pranojmë njoftime për çdo produkt që paraqet dyshim apo rrezik për konsumatorin. Ku për dyshimet e ngritura nga ana juaj nuk kemi ndonjë njoftim. Por, kemi përcjellë edhe informata që jepen nga mediet për ngritje të dyshimeve dhe mbi bazën e kësaj, ne si AUV, kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve, varësisht nga gjetjet, do merren veprime, thuhet në përgjigjen elektronike nga zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi.
E përfaqësues të bizneseve thonë se Kosova do të duhet të ndërmarrë masa kundrejt çdo produkti që nuk i përmbush kërkesat e tregut. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën se pavarësisht a është prodhim vendor apo i importuar, çdo mall duhet të kontrollohet.
“Ai produkt është duke u eksportuar në vendet e ndryshme të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Edhe Kosova duhet të marrë hapa të drejtë dhe të sigurt që çka është ai standard që nuk plotësohet për konsum në Evropë, e plotësohet për konsum në vendet e ndryshme të Ballkanit në këtë rast për Kosovën. Dhe në raste se Kosova vërteton një gjë të tillë, se nuk është për konsum, atëherë duhet të ndalohet ky import i këtij produkt, në mënyrë që të ruhet shëndeti publik. Por, në të kundërtën nëse i plotëson kushtet, por në vendet e BE kërkojnë standarde edhe për paketim, atëherë kjo është një çështje dekorimi dhe jo çështje që jep dyshim për një kualitet të dobët dhe që nuk është për konsum”, ka thënë Shahini
E qytetarët ankohen për perime jo cilësore.
“Pemët dhe perimet asnjë nuk janë të sigurta, sepse nuk ka kontroll. Tash nuk e kanë shijen si përpara që e kanë pasur, sepse tash shumë përdorin produkte për fryrje që i përdorin në bujqësi”, thotë një qytetare.
Sidoqoftë, deri në marrjen e analizave nga AUV, domatet e importuara nga Shqipëria do të vazhdojnë të jenë prezentë në treg. Ato së fundit janë kthyer mbrapsht nga Bashkimi Evropian, me arsyetimin se nuk i përmbushin parametrat e sigurisë. /Radio Kosova/