Shatri: Pas pavarësisë, prioritetet zhvillimore janë përcaktuar nga vullneti individual i drejtuesve të shtetit 

“Shumica e qeverive pas pavarësisë nuk i kanë kushtuar kujdes prioritetit të investimeve në energji, në ujë dhe në telekomunikim. Nuk është punuar në ristrukturimin e ekonomisë, është nënçmuar arsimi, shëndetësia dhe shfrytëzimi i teknologjive të reja. Nuk është punuar në aftësimin e kapitalit human për nevojat e ekonomisë dhe tregut të punës. Thjesht ka munguar strategjia zhvillimore dhe konsistenca në politikat zhvillimore”, ka theksuar Haki Shatri, ish-ministër i Financave dhe njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik. Sipas tij, dy vitet e fundit po karakterizohen me një fenomen të çuditshëm në shpenzimet publike me bllokimin e investimeve publike. 

Mehmet GJATA/Mirjeta SHABANI

Në periudhën e pasluftës, Kosova ka dështuar të përgatisë një Strategji Zhvillimore si faktori më i rëndësishëm të zhvillimit. Mungesa e strategjisë zhvillimore ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë e këndej, prioritetet zhvillimore të përcaktohen nga vullneti individual i drejtuesve të shtetit, ka theksuar Haki Shatri, ish- ministër i Financave dhe njohës i mirë i zhvillimeve ekonomike, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, mungesa e një stabiliteti politik (asnjë qeveri e Kosovës së pavarur nuk ka arritë të përfundojë deri në fund mandatin Kushtetues), mungesa e infrastrukturës ekonomike, sundimit të rendit dhe të ligjit, prezenca e krimit ekonomik të organizuar, korrupsionit, informalitetit, etj., dekurajuan ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Kuptohet që Ekonomia e Kosovës me bazën e vet të dobët nuk kishte aftësi akumuluese për sigurimin e mjeteve për investime pa kapitalin plotësues nga jashtë.

Roli i qeverive në zhvillimin ekonomik nuk është ndier mjaftueshëm në eliminimin e dukurive negative të cekura më lartë, në raste edhe i kanë ushqyer dhe përkrahur disa, bie fjala keqmenaxhimi i parasë publike, korrupsioni etj. Por, të meta kishte edhe në përcaktimin e përparësive infrastrukturore dhe në formimin e kapitalit social, me një fjalë në efikasitetin e shpenzimeve publike, vuri në dukje Shatri në këtë intervistë.

“Me konkretisht, shumica e qeverive pas pavarësisë nuk i kanë kushtuar kujdes  prioritetit të investimeve në energji, në ujë dhe në telekomunikim. Nuk është punuar në ristrukturimin e ekonomisë, është nënçmuar arsimi, shëndetësia dhe shfrytëzimi i teknologjive të reja. Nuk është punuar në aftësimin e kapitalit human për nevojat e ekonomisë dhe tregut të punës. Thjesht ka munguar strategjia zhvillimore dhe konsistenca në politikat zhvillimore”, tha Haki Shatri.

Intervistën e plotë të Haki Shatrit, lexoni në vazhdim:

 

Buletini Ekonomik:  Kosova me vite të tëra, por edhe aktualisht ka ngecje evidente në zhvillimin ekonomik dhe proceset zhvillimore në përgjithësi. Ku janë shkaqet që Republika jonë nuk arriti deri më tash të gjejë çelësin e nevojshëm për të nxitur progresin ekonomik, sipas jush? Në këtë kontekst, a mendoni se po vazhdon pak a shumë njëfarë apatie dhe indolence evidente në zhvillimin më të efektshëm dhe më të frytshëm ekonomik edhe e Qeverisë Kurti 2, thuaja goxha njëjtë me qeveritë e kaluara që dështuan në këtë aspekt dhe si do ta shpjegonit ju këtë fakt?

Haki Shatri: Të kthehemi pak prapa në kohë. Përfundimi i luftës, Kosovën e gjeti nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, UNMIK. E plaçkitur dhe e eksploatuar nga okupatori serb në vitet e nëntëdhjeta dhe e rrënuar nga lufta, në periudhën e Administrimit të Kosovës nga UNMIK-u (qershor 1999-shkurt 2008), filloi ndërtimi i institucioneve, infrastrukturës ligjore, rindërtimit të vendit dhe i tranzicionit. Në këtë periudhë u arrit që të vendoset një stabilitet makroekonomik, të ndërtohen institucionet dhe kuadri i sistemit fiskal, u krijuan kushtet për tregtinë e lirë, u krijua infrastruktura ligjore për nxitjen e iniciativës private, për fillimin e procesit të privatizimit dhe u vendos që mjet zyrtar pagese  të përdoret fillimisht marka gjermane e pastaj euro.

Pra, paralelisht me krijimin e institucioneve të shtetit filloi edhe procesi i tranzicionit përmes procesit të privatizimit dhe ndërtimit të sistemit politik pluralist dhe sistemit të ekonomisë së tregut. Nuk mendoj që Kosova në periudhën e pas luftës ka patur ngecje në zhvillim. Përkundrazi, Kosova ka realizuar ritëm relativisht të lartë të zhvillimit të matur me normën e rritjes së GDP-së si indikator themelor i rritjes ekonomike. Por kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat është ballafaquar popullsia e Kosovës si varfëria, papunësia, infrastruktura, shërbimet, etj. Pra, rritja edhe pse dinamike krahasuar me vendet tjera, ishte e pamjaftueshme për shkak të bazës së ulët fillestare të zhvillimit. Në këtë periudhë është realizuar rritje e GDP nga 3,5% deri në 7% në vitet e zhvillimit normal. Ka vite të ngecjes si në vitin 2005 si pasojë e ngjarjeve të vitit 2004, pastaj ne vitin 2020 kur kemi rënie 5,3% për shkak të pandemisë dhe pastaj  rritje 10,7% në vitin 2021 e matur me vitin 2020, pra kur kemi vite jo të rëndomta. Por, në këtë periudhë Kosova ka dështuar të përgatisë një Strategji Zhvillimore si faktor të rëndësishëm të zhvillimit. Mungesa e strategjisë zhvillimore ka bërë që që nga shpallja e pavarësisë e këndej prioritetet zhvillimore të përcaktohen  nga vullneti individual i drejtuesve të shtetit.

Mungesa e një stabiliteti politik (asnjë qeveri e Kosovës së pavarur nuk ka arritë të përfundojë deri në fund mandatin kushtetues), mungesa e infrastrukturës ekonomike, sundimit të rendit dhe të ligjit, prezenca e krimit ekonomik të organizuar, korrupsionit, informalitetit, etj., dekurajuan ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë. Kuptohet që ekonomia e Kosovës me bazën e vet të dobët nuk kishte aftësi akumuluese për sigurimin e mjeteve për investime pa kapitalin plotësues nga jashtë. Roli i qeverive në zhvillimin ekonomik nuk është ndier mjaftueshëm në eliminimin e dukurive negative të cekura më lartë, në raste edhe i kanë ushqyer dhe përkrahur disa, si bie fjala keqmenagjimi i parasë publike, korrupsioni etj. Por, të meta kishte edhe në përcaktimin e përparësive infrastrukturore dhe në formimin e kapitalit social, me një fjalë në efikasitetin e shpenzimeve publike.

Më konkretisht, shumica e qeverive pas pavarësisë, nuk i kanë kushtuar kujdes  prioritetit të investimeve në energji, në ujë dhe në telekomunikim. Nuk është punuar në ristrukturimin e ekonomisë, është nënçmuar arsimi, shëndetësia dhe shfrytëzimi i teknologjive të reja. Nuk është punuar në aftësimin e kapitalit human për nevojat e ekonomisë dhe tregut të punës. Thjesht ka munguar strategjia zhvillimore dhe konsistenca në politikat zhvillimore.

Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, si do t’i komentoni ngecjet evidente të investimeve kapitale gjatë këtij viti? Pse po ngurrohet kaq shumë që të angazhohen paratë e parapara për investime kapitale, kur dihen sa shumë nevoja ka Kosova për investime?

Haki Shatri: Dy vitet e fundit po karakterizohen me një fenomen të çuditshëm në shpenzimet publike, bllokimi i investimeve publike. Në vitin 2021 nga 500 milionë të parapara me buxhet për investime publike nuk janë realizuar 198 milionë euro, kurse këtë vit nga 706 milionë euro të parapara me buxhet deri më 30 shtator janë realizuar vetëm 158 milionë euro. Në kushte të inflacionit të lartë dhe rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor, nga ky pasivitet i qeverise fondi i investimeve publike realisht është përgjysmuar. Në buxhetin e propozuar nga qeveria për vitin 2023, mbi 90% e projekteve kapitale janë projekte të bartura nga vitet paraprake, por të parealizuara që do të thotë që kemi një vit buxhetor të humbur në kategorinë e investimeve publike.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton Qeverinë menaxhuese me pasurinë kombëtare dhe ruajtëse dhe zhvilluese të saj në pajtim me ligjin. Këtu është dëmtuar pasuria kombëtare dhe është shkelë ligji për menaxhimin e financave publike dhe Ligji për buxhetin. Në anën tjetër, subjektet relevante qeveritare me deklaratat e tyre për mundësinë e luftës në Kosovë dhe problemet me energjinë, kanë dekurajuar skajshmërisht investitorët e huaj.

Buletini Ekonomik: Ku dështuam si shtet dhe si shoqëri qe 22 vjet e sa pas luftës mos të kemi mjaft energji elektrike megjithë këto resurse natyrore që i kemi në prag të derës?

Haki Shatri: Politikat ekonomike në sferën e energjisë nuk kanë qenë konsistente në periudhën e pas luftës. Derisa në mandatin 2005-2007, qeveria e atëhershme edhe pse me kompetenca të kufizuara nga UNMIK-u, me përkushtim dhe këmbëngultësi, arriti të përgatisë projektin më të madh investiv në Kosovë, Kosovën C, me kapacitet gjenerues të energjisë prej 1000 MË me bazë linjitin e Kosovës. Ishin harmonizuar veprimet dhe vendimet me faktorin ndërkombëtar qe administronte vendin, ishte siguruar përkrahja e Bankës Boterore për përkrahje financiare dhe e institucioneve tjera financiare ndërkombëtare dhe ishte marrë shprehja e interesit e katër kompanive investuese prestigjioze ndërkombëtare. Ishte përgatitë infrastruktura ligjore dhe tereni për shfrytëzimin e bazeneve të thëngjillit, ishte bërë korporatizimi KEK-ut, u themeluan KOSTT-i dhe Rregullatori i energjisë dhe kishte përkrahjen e plotë të Kuvendit të Kosovës për realizimin e projektit. Ishin krijuar kushtet për shpalljen e tenderit dhe fillimin e realizimit të kapaciteteve energjetike të reja dhe fillimin e shuarjes së Kosovës A, e cila kishte kohë që kishte kaluar afatin e amortizimit. Termocentrali Kosova C duhej të fillonte së prodhuari në fillim të vitit 2015.

Qeveria e re, e zgjedhur në fillim të vitit 2008, nuk e përkrahu realizimin e këtij projekti me pretekst te “procedurat e dyshimta”, por qëllimi ishte te marrja e pronësisë mbi projektin. Filluan ridizajnimin dhe ndryshimin e konceptit të projektit dhe qeveria e re u përcaktua për një kapacitet prej 500MË dhe për rifillim të ri të procedurave. Kjo moskonsistencë e Qeverisë u pa si mungesë e seriozitetit dhe shkaktoi tërheqjen e BB dhe institucioneve financiare nga përkrahja e projektit. Projekti dështoi dhe më vonë u vunë kufizime në shfrytëzimin e thëngjillit për shkak të ndotjes së ambientit.

Për dështimin e projektit, kontribut kanë dhënë edhe disa organizata të shoqërisë civile të financuara nga Soros etj., të ngjashme dhe bashkë me disa subjekte politike që nuk e dëshironin pavarësinë energjetike të Kosovës. Mendoj që subjektet qeveritare, individë, subjekte politike, lëvizje e kushdo që kontribuoi në dështimin e projektit Kosova C, në qoftë se nuk do të jenë përgjegjës para ligjit, janë përgjegjës moral para popullit të Kosovës për dëmin tepër, tepër të madh që i shkaktuan vendit.

 

Buletini Ekonomik: Ju, a mendoni që duhet anashkaluar tërësisht tani qymyri, që ne e kemi me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës thuajse, por i anatemuar dhe i “dënuar” nga bota si ndotës serioz i ambientit, dhe e cila tani pas krizës globale energjetike po i rikthehet në njëfarë mënyrë thëngjillit duke e “amnistuar” atë? Ju, çka mendoni, a duhet t’i kthehemi edhe ne qymyrit, apo përfundimisht autoritetet kosovare duhet të jenë më të vendosura dhe shumë më kërkuese për nisjen e më shumë kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, qoftë nga era, qoftë nga dielli?

 

Haki Shatri: Secili vend që synon zhvillim dinamik e të qëndrueshëm, zhvillimin duhet ta konceptojë në resurset disponuese, pra pasuritë natyrore, kapitalin human dhe kapitalin financiar. Dihet që Kosova disponon pasuri minerare dhe thëngjill me sasi të konsiderueshme krahasuar me shumë vende më të mëdha.  Linjiti i Kosovës përveç që në sasi të mëdha në tri bazene në vend është edhe lehtë i shfrytëzueshëm. Shfrytëzimi i tij është ekonomik. Vështirësitë energjetike të krijuara në Europë pas fillimit të luftës në Ukrainë kanë krijuar klimë të favorshme për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese me bazë thëngjillin. Shumë vende i kanë rikthyer në punë kapacitetet e braktisura me bazë thëngjillin por edhe ato me energji bërthamore. Pra, janë zbutë ose kanë pushu pengesat e natyrës ambientale.

Mendoj që këto rrethana si dhe nevoja për furnizim me energji me çmime të përballueshme për ekonominë dhe qytetarët imponojnë që qeveria të fillojë pa vonesë realizimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. Fillimisht të kapaciteteve me bazë thëngjillin nga 300 deri ne 500 MË dhe duke e kombinuar me kapacitetet e energjisë alternative me çka do të siguroheshin burime të energjisë për nevoja të ekonomisë dhe amvisërive. Kjo nuk paraqet as problem ambiental kur mirren parasysh teknologjitë bashkëkohore dhe mundësia e shpejtë e ndërtimit por as për sigurimin e burimeve financiare. Por, qeveria jo vetëm që nuk po lëviz në këtë drejtim por edhe po i pengon disa mundësi siç ishte gazsjellësi nga Shkupi.

Buletini Ekonomik:  Pos fokusit kah kapacitetet e reja elektroenergjetike, që po i mungojnë vendit, Kosova ku duhet të përqëndrojë vëmendjen në aspektin e zhvillimit ekonomik. Cilat prioritete të tjera zhvillimore, sipas jush, duhet t’i ketë Kosova në këto vitet e ardhshme?

Haki Shatri: Për zhvillim dinamik e të qëndrueshëm, Kosova duhet të orientohet edhe në shfrytëzimin e potencialeve tjera si ato minerare, bujqësore, të turizmit, ofrimin e shërbimeve, industrinë ushqimore dhe në faktorin human.

Buletini Ekonomik: Pse nuk po gjendet ndonjë modus për orientimin e remitencave të shumta si vlerë dhe si sasi, qoftë në ndonjë projekt prodhues, qoftë sish të shërbimeve, që të punësohet ndonjë numër nga armata e madhe e të papunëve, por edhe “t’ua shohin hajrin” mjeteve të tyre financiare mërgimtarët tanë potentë financiarisht?

 

Haki Shatri: Burim i rëndësishëm i të ardhurave në Kosovë janë dërgesat nga diaspora, të cilat për fat të mirë nga viti në vit po rriten. Është për çdo lavdatë që pjesëtarët e familjeve tona apo familje të emigruara para shumë vitesh nuk i kanë braktisë të afërmit e vet, por përkundër vështirësive me të cilat ballafaqohen në vendet ku punojnë vazhdojnë të ndajnë edhe për vendlindjen. Përveç se me këto mjete e sigurojnë ekzistencën shumë familje pa të ardhura dhe me nevojë një pjesë e këtyre mjeteve po investohet në shtëpi dhe objekte banimi të vet pjesëtarëve të diasporës. Kjo e ka efektin në shtimin e masës së mjeteve monetare në qarkullim dhe rrjedhimisht në ecuritë ekonomike në vend, por efekti i shfrytëzimit të tyre është i shkurtë, sezonal. Kishte mendime që në disa raste dërgesat po ndikojnë tërthorazi negativisht te antarët e familjeve pranuese pasi që pranuesit në njëfarë dore pasivizoheshin dhe nuk angazhohen në ndonjë aktivitet produktiv. Mobilizimi dhe angazhimi i këtyre mjeteve është  proces i koklavitur. Dërgesat janë individuale dhe shumë herë vlera të vogla të cilat shfrytëzohen nga pranuesit për plotësimin e nevojave elementare familjare.

Rastet kur bashkëatdhetarët tonë disponojnë më shumë kursime dhe dëshirojnë të investojnë në Kosovë, duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë nga institucionet shtetërore lokale dhe qendrore. Lehtësira për investime duhet ofruar që nga procedurat formale deri te infrastruktura ekonomike dhe sigurimi i hapësirave apo parqeve të biznesit. Në veçanti mendoj se duhet të synohet tërheqja e kursimeve të diasporës që ruhet në bankat e vendeve ku ata punojnë si kapital i gatshëm për angazhim. Vlerësohet që kapitali financiar i depozituar jashtë kap shumën e qindra milionave euro. Shmangia nga sjelljet burokratike të administratorëve nëpër komuna por edhe në nivelin qendror si dhe e kërkesave korruptive, do të ndihmonin dukshëm në angazhimin e këtij potenciali në ekonominë tonë.

Buletini Ekonomik: Sipas jush, autoritetet aktuale dhe vendimmarrësit e Kosovës, a duhet të preokupohen më në fund më seriozisht për hapjen e minierave që nuk janë në funksion që nga përfundimi i luftës (Miniera e Kishnicës, ajo e Badovcit, e Hajvalisë dhe pjesërisht e Artanës), për shkak të përmbytjes nga ujërat, apo do të vazhdohet lënia në harresë dhe pa përkujdesje shtetërore ky sektor kaq i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, siç ka ndodhur në të gjitha vitet e deritashme të pasluftës?

Haki Shatri: Sektori i minierave dhe metaleve si ndër me të rëndësishmit në ekonominë e Kosovës ishte rrënuar në vitet 90 nga okupatori, ishte shkatërruar në luftë po nga i njëjti okupator dhe pas lufte ishte e pamundur të riaktivizohen pa një riorganizim dhe burim financiar të konsiderueshëm për riparimin dhe modernizimin e makinerive dhe aparaturave për nxjerrjen dhe përpunimin e këtyre metaleve. Duhet përmendur këtu edhe humbjen e tregjeve nga ndërprerja afatgjate e prodhimit e po ashtu edhe pozitën e pa definuar në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Privatizimi i Ferronikelit kaloi me shumë kundërshtime dhe polemika. Megjithatë rezultoi me sukses duke punësuar disa qindra punëtore dhe duke e përmirësuar dukshëm eksportin e Kosovës.

Ish-kombinati Trepça është ballafaquar me probleme të vazhdueshme që nga ndarja në jug dhe veri, e deri te problemet e natyrës formale -juridike. Një veprim për admirim është bërë me nxjerrjen e Ligjit për Trepçën me çka janë eliminuar barrierat për zhvillim të saj por më pas askush nga qeveria aktuale nuk është marrë me problemet e saj. Njësoj është gjendja edhe me minierat e tjera në Kishnicë, Hajvali e Artanë. Në prioritetet e qeverisë për tri vitet në vazhdim nuk shihet se janë vendosë edhe sektori i minierave.

Buletini Ekonomik:  Më konkretisht, pse nuk është investuar në asnjë vit pas luftës, dhe nuk po investohet as tani në zhvillimin minerar të Kosovës, sektor ky dikur shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndërsa në vitet e pasluftës i lënë anash totalisht nga përkujesja institucionale? Në këtë kontekst, pse nuk ka edhe aq shumë zëra insistues nga ekonomistët dhe ekspertët, ndaj Qeverisë që të investojë në rinovimin e flotacioneve ekzistuese, atij të kompleksit të minierave të Kishnicës, në të cilin që nga ndërtimi i tij, kurrë dhe në asnjë rast nuk është investuar asnjë cent i vetëm dhe në Flotacionin e Trepçës (Minierës së Stan Tërgut), poashtu kaherë i lënë nën mëshirën e kohës dhe në gjendje të llahtarshme?

Haki Shatri: Për revitalizimin e këtij sektori duhet siguruar kapitali financiar. Mjetet nga buxheti në sasi të limituara mezi mjaftojnë për përmbushjen e nevojave emergjente. Fondet publike të destinuara për investime kapitale janë orientuar në prioritete tjera si në infrastrukturë rrugore, shkolla, spitale, etj. Një pengesë ka qenë statusi i këtyre ndërmarrjeve dhe menaxhimi i tyre, fillimisht nga AKM e pastaj AKP, problemi i veçantë i Trepçës etj. Qeveria ka pasur mundësi vetëm të sigurojë pensionet për ish-minatorët dhe herë-herë të subvencionojë për ndonjë nevojë emergjente këtë sektor. Për rimëkëmbjen e këtij sektori duhet strategji e mirëfilltë dhe përkushtim për realizimin e qëllimeve të përcaktuara. Derisa janë hartuar e korrigjuar e rishkruar shumë herë strategji për këtë sektor, asnjëherë e as sot nuk ka veprime konkrete serioze në këtë drejtim. Sot për sot, ky sektor ka mbetur si thuhet në dorë të Zotit.

Buletini Ekonomik: Në fund, si i shihni ju z.Shatri, gjasat dhe mundësitë reale për ngjalljen ekonomike të Kosovës në të ardhmën e afërt dhe në atë më të largët? Më konkretisht, çka duhet bërë më shpejtë dhe çka në afat më të gjatë për t’u “zgjuar nga gjumi” tepër i gjatë dhe për t’u përqëndruar te zhvillimi ekonomik dhe për të qenë paksa rezultativ në arritjen e ndonjë objektivi zhvillimor, si parakusht për t’i evituar efektet negative ekonomike, sociale por edhe ikjën e kosovarëve nga vendi i tyre, ose “katastrofën demografike”, siç tha këto ditë një analist i Kosovës?

Haki Shatri: Tash për tash nuk shoh ndonjë lëvizje a veprim që jep shpresë për  fillimin e një ringjalljeje ekonomike. Edhe këtë potencial të kapitalit disponues (investimet kapitale) që e kemi, qeveria e ka bllokuar dhe  po e zhvlerëson nën efektin e inflacionit, investimet e jashtme kanë tendencë të rënies dhe klima  për bërje biznes po mjegullohet. Derisa autoritetet qeveritare para opinionit  flasin për mundësinë e shpërthimit të një konflikti në Kosovë (veriu) dhe për një dimër të ashpër e pa rrymë kush do të vijë e të investojë kapitalin e vet në këtë vend. Perspektiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës varet nga sigurimi i kapitalit apo investimeve të jashtme pasi që kapacitetet akumuluese të  ekonomisë sonë janë të limituara. Në kushte të prezencës së pandemisë, kur ekonomia u paralizua dhe patëm trende negative në zhvillim në vitin 2020, masat e marra atë vit nga qeveria ndikuan në përmirësimin e ecurive në vitin pasues, por kriza e importuar nga lufta në Ukrainë në fillim të këtij viti nuk e nxori nga gjumi qeverinë aktuale për hartimin e një programi masash efikase.

Problemet sociale nuk zgjidhen me ndarjen e herë pas hershme të ndihmave për kategoritë e prekura dhe në nevojë. Këto forma të veprimeve nuk përkojnë me veprimet e vendeve me ekonomi të tregut të lirë, këto janë forma të ndihmave që aplikohen në vendet me regjim komunist, pra janë të natyrës popullsite dhe synimi është në mbajtjen në mvarësi të një mase sa më të madhe me qëllim që t’i garantojnë vetes qëndrim sa më të gjatë në pushtet.

Të gjitha masat e marra nga qeveria për dalje nga kriza aktuale janë joproduktive dhe jo efikase. Derisa të vetmen mundësi në disponim që e kanë nuk e shfrytëzojnë, pra fondet publike për investime kapitale i kanë bllokuar. Si mund të zhvillohet një vend pa investime qoftë të mbrendshme apo edhe të jashtme? Pasojat e këtyre veprimeve do të shihen në ditët dhe vitet e ardhshme. Tani largimi i të rinjve nga vendi është bërë i zakonshëm dhe askush nuk mirret me këtë dukuri qe ju me të drejtë po e quani “katastrofe demografike”. /Buletini Ekonomik/