“Solar për Kosovën…”, më në fund një veprim konkret për të pasur edhe energji nga dielli

Instalimi i paneleve diellore mbi shtëpi

Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave, projekti “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore” parasheh ndërtimin e një impianti diellor, i cili shfrytëzon energjinë e diellit për ngrohje qendrore, e i cili poashtu shton kapacitetin e ngrohjes përmes zgjerimit të rrjetit edhe për 50 megavatë të tjerë. Me rëndësi është se po nisin të ndërtohen edhe termocentralet me bazë të diellit në Kosovë, pas nisjes së suksesshme të prodhimit të Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh, në Shalë të Bajgorës.

Mehmet GJATA

Kosova, më në fund do të nisë së ndërtuari një impiant solar, projekt ky që do të shfrytëzojë energjinë nga dielli për ngrohje qendrore. Projekti i emërtuar tani “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”, ishte shumë i nevojshëm për nevojat energjetike të vendit, ndërkohë që bëhet edhe më joshës dhe më atraktiv, siç u njoftua nga zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, kur dihet se e bën Kosovën vendin e parë në Ballkanin Perëndimor që shfrytëzon energjinë diellore për ngrohje qendrore.

Reklama e sponzorizuar

Të martën (më 20 dhjetor 2022), pasi që është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e këtij impianti solar ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës dhe përfaqësuesve nga Bashkimi Evropian, Qeveria gjermane dhe BERZH-i, është njoftuar se ky projekt, që është nismëtar i shfrytëzimit të diellit për nevoja energjetike të Republikës, kap vlerën mbi 80 milionë euro.

Në këto parashikime financiare përfshihen dy grante nga Qeveria Gjermane dhe BE-ja, në vlerë prej 31.6, respektivisht 21.5 milionë euro, dhe të cilat parashihet të implementohen përmes Bankës Gjermane për Zhvillim-KfË. Ndërsa pjesa tjetër e projektit, do të financohet nga një kredi e butë nga BERZh-i në vlerë prej 23.2 milionë, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave, projekti parasheh ndërtimin e një impianti diellor, i cili shfrytëzon energjinë e diellit për ngrohje qendrore, e i cili poashtu shton kapacitetin e ngrohjes përmes zgjerimit të rrjetit edhe për 50 megavatë të tjerë. Kjo teknologji innovative, siç u tha, mundëson gjithashtu mbledhjen e energjisë diellore gjatë verës, ruajtjen e saj, e më pas përdorimin e energjisë së ruajtur për ngrohje qendrore gjatë dimrit.

“Këto kapacitete të reja do të sigurojnë qasje në sistemin e ngrohjes qendrore për rreth 38 mijë qytetarë, gjë që do të zëvendësojë sistemet individuale të ngrohjes, e në të njejtën kohë do të trajtojë edhe problemin kronik të ndotjes së ajrit në Prishtinë” u shpreh të martën, pas nënshkrimit të marrëveshjeve për ngritjën e këtij impianti, ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se impianti i ri diellor në Kosovë është investimi më i fundit i BE-së në këtë drejtim, por jo i vetmi, pasi sipas tij, BE-ja do të vazhdojë mbështetjen në tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës edhe përmes një projekti tjetër të energjisë diellore prej 100 MË me KEK-un.

Përveç BE-së, edhe Gjermania ka mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt tranzicionit nga qymyri në energji të qëndrueshme, dhe dekarbonizimin në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Mathias Conrad, me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, tha se “projekti “Solar4Kosovo” bazohet në këtë trashëgimi të përbashkët të bashkëpunimit tonë me institucionet kosovare, BE-në dhe donatorët e tjerë, andaj edhe jemi krenarë që bashkërisht kemi mundësuar një projekt të tillë pioner”.

Ndërsa, Charlotte Ruhe, drejtoreshë menaxhuese e BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) për Evropën Qendrore dhe Juglindore, po kështu, partner në këtë marrëveshje, tha se falë këtij projekti, shumë familje në Prishtinë do të ndalojnë djegien e qymyrit dhe drurit për të ngrohur shtëpitë e tyre, gjë që do të ndikojë ndjeshëm edhe në cilësinë e ajrit dhe do të reduktojë emetimet e CO2.

Siç u tha, projekti paraqet investimin më të madh të energjisë diellore në sektorin e ngrohjes qendrore në rajon dhe një nga impiantet diellore më të mëdha në Evropë. Si i tillë, projekti shënon një moment historik në rrugën e Kosovës drejt një sistemi energjetik të dekarbonizuar e në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Me fjalë të tjera, me këtë project, Kosova po paralajmëron se po nisë epokën e re të prodhimit të energjisë së rinovueshme, aq shumë të kërkuar nga bota energjetike ndërkombëtare, për të sfiduar gradualisht qymyrin e “dënuar” tani gjithandej dhe gjithanshëm në mbarë botën, si një nga ndotësit potencialë të ambientit. Me rëndësi është se po nisë të ndërtohen edhe termocentralet me bazë të diellit në Kosovë, pas nisjes së suksesshme të prodhimit të Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh, në Shalë të Bajgorës.

Pra, më në fund do të nisë realizimi i një projekti të madh solar (kapacitet energjetik në bazë të diellit me fuqi të instaluar prej 50 megavatësh), që është një ogur i mirë për energjetikën kosovare, sado që në bisedat e para me partnerët ndërkombëtar, sipas njoftimeve edhe zyrtare, bëhej fjalë për një kapacitet energjetik prej 70 megavatësh. Mbase reduktimi i fuqisë instaluese së këtij projekti krahasuar me atë që premtohej fillimisht, në bërjen publike të kësaj iniciative në muajt e pranverës së sivjetshme, do të sqarohet në ndonjë rast nga zyrtarët. Me rastin e bërjes së parë publike të idesë për të pasur një impiant solar të këtillë, ishte thënë se ndërtimi i një kapaciteti solar në përmasa të këtilla, do të jetë ndër kapacitetet më të madha diellore dhe paralajmërohet se do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK), që gjithsesi do të ketë gjithanshëm të mirat e veta.

Projekti i paralajmëruar në pranverë me emërtimin “Solar4Kosova” tani i emërtuar si “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”, dhe i transformuar disi dhe me fuqi instaluese paksa të reduktuar, jo vetëm se po vie në momentumin më të përshtatshëm dhe më të favorshëm, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet i energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Nisma ka rëndësi shumë të madhe, sikundër që pati inaugurimi para një viti e më shumë, i Parkut të energjisë në bazë të erës me kapacitet 105 megavatësh, në Shalë të Bajgorës. Sepse Kosova po paralajmëron se po nisë epokën e re të prodhimit të energjisë së rinovueshme, aq shumë të kërkuar nga bota energjetike ndërkombëtare, për të sfiduar gradualisht qymyrin e “dënuar” tani gjithandej dhe gjithanshëm në mbarë botën si një nga ndotësit potencialë të ambientit.

Parku energjetik në bazë të erës në Selac dhe Shalë të Bajgorës si dhe termocentrali solar “Solar4Kosovo”, edhe kur të finalizohet i tëri, nuk do ndikojnë edhe aq shumë në eliminimin e thëngjillit si resurs, akoma edhe për shumë vite, i pacënueshëm energjetik në Kosovë (Kosova sot e kësaj dite rreth 96 për qind të energjisë elektrike e prodhon nga termocentralet me qymyr), por me rëndësi është se po nisin të ndërtohen edhe termocentralet në bazë të diellit në Kosovë.

Siç u tha, projekti “Solar4Kosovo’’ ka për synim t’i bashkangjitet edhe sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit. Sipas zyrtarëve, kapaciteti i shtuar që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, siç u tha të marten, do të furnizojë 38 mijë kryeqytetas me ngrohje qendrore. Me rastin e bërjes publike për herë të parë të idesë për të ndërtuar këtë kapacitet solar, në pranverën e sivjetshme është thënë nga zyrtarët tanë se me këtë projekt do të bëheshin 12 mijë familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës dhe në këtë mënyrë do ta reduktohej goxha shumë kërkesa për energji elektrike për qëllime të ngrohjes. Atëherë është thënë se lokacioni i përcaktuar nga Qeveria për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti, është fshati Shkabaj në komunën e Obiliqit. Mbetet të shihet a do të jetë ky lokacion, hapësira ku do të lëshojë shtat ky impiant.

Në mars të këtij viti nga zyrtarët tanë thuhej se sipërfaqja e cila do të destinohet për këtë projekt, do të jetë 69 mijë metra katrorë, në të cilën do të ndërtohen kolektorët diellorë. Mbetet të shihet po kështu, se “Solar4Kosovo”, ose “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”, a do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit, si dhe a do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike.

Sidoqoftë, marrveshja e së martës flet goxha bindshëm se më në fund po nis edhe ndërtimi i kapaciteteteve solare në vendin tonë dhe kjo po ndodhë pas një ngurrimi çuditërisht të gjatë dhe të pakuptueshëm për të qenë më kërkues nga vendimmarrësit për iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme. Thjeshtë po ndodhë diçka, po vijëzohen gjurmët për të pasur një kapacitet sa më të madh të energjisë solare në Kosovë. Dhe, mundësi ka, këmbëngulin ekspertët e kësaj fushe. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Por, për të pasur energji të rinovueshme, qoftë nga dielli, qoftë nga era, duhen vizione, nisma dhe vendosmëri.

“Solar4Kosovo”, ose “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore me energji diellore”, po duket të jetë edhe vizion edhe vendosmëri. Duhet thënë se megjithë mëdyshjet dhe dilemat në shumë mjedise, edhe në nivel institucionesh, madje edhe ekspertësh, Kosova ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira. Prandaj, nisma për ndërtimin e “Solar4 Kosovo” duhet shpejtuar së zbatuari, me urgjencë duhet përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë njëherë e mirë së ndërtuari ky kapacitet elektroenergjetik solar në Kosovë, në tokën djerrë tonën, që tani vie sikur e porositur për këtë dedikim.

Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për një vit, e shumta dy sish, dhe që mund të sigurojnë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, siç u tha më lartë është lajm i mirë edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohojë se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës. Dhe, më në fund kjo nismë le të shërbejë edhe si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare. Kosova, mbase nuk i ka kushtet ndër më të mirat në botë për këtë lloj energjie, por ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit për të prodhuar rrymë për nevojat e veta. /Buletini Ekonomik/