Ekziston mundësia që viti 2023 të jetë një vit i shënuar me tensione sociale në shkallë globale, sipas paralajmërimit të drejtoreshës së përgjithshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Ajo theksoi se pasojat e politikës kufizuese të bankave qendrore ndaj punësimit mbeten ende për t’u parë.
Georgieva shtoi se dhe pse jemi vetëm në mes të muajit janar, tashmë janë regjistruar tensione sociale në Brazil, Peru, Bolivi, Kolumbi dhe Mbretëri të Bashkuar. Të gjitha këto për arsye të ndryshme.
Dhe në rast se rritja e normave të interesit godet tregjet e punës si rezultat i përpjekjeve për të ngadalësuar inflacionin, kjo mund të përkthehet në tensione edhe më të mëdha, sipas kryetares së institucionit financiar ndërkombëtar me bazë në Uashington. Ajo paralajmëroi se situata nuk do të përmirësohet së shpejti, pasi inflacioni mbetet i lartë dhe puna e bankave qendrore nuk ka përfunduar ende.
Sipas saj, megjithëse ngadalësimi i aktivitetit ekonomik pritet të jetë më i fortë në 2023-shin, në krahasim me parashikimet e FMN-së në publikimet e tij të fundit në tetor, tregjet kombëtare të punës deri më tani kanë treguar rezistencë. Dhe kjo vlerësohet si një shenjë e mirë. Kontribut mund të cilësohet dhe fakti se qeveritë ndërmorën veprime të shpejta për të ofruar mbështetje financiare për popullsinë përballë rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
Për sa kohë që njerëzit kanë punë, edhe nëse çmimet janë të larta, ata po konsumojnë, gjë që ndihmoi ekonominë në tremujorin e tretë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europë. Por, ndikimi i politikës ekonomike kufizuese duhet të ndihet ende, sidomos për sa i përket papunësisë.
Në të njëjtën kohë, pasojat e rritjes së normave të interesit në vendet me borxhe të larta mund të rezultojnë dramatike, tha Georgieva, institucioni i së cilës ka paralajmëruar prej muajsh se 60 % e vendeve në zhvillim rrezikojnë të zhyten në krizat e borxhit publik.
Megjithatë, FMN vlerëson gjithmonë se një recesion global mund të shmanget, edhe nëse një numër i caktuar vendesh shohin një tkurrje të PBB-së, të paktën nëse nuk do të ketë tronditje shtesë
Kina ndërkohë mbetet një faktor kyç për rritjen globale. Në rast se ndryshimi i politikës së Pekinit në përballjen me pandeminë e re të koronavirusit nuk kundërshtohet, rimëkëmbja e ekonomisë në atë vend brenda vitit, mund të jetë faktori më i rëndësishëm në rritjen globale në vitin 2023.
Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e ekonomisë amerikane, më e madhja në botë, mund të lejojë shmangien e një recesioni në shkallë globale, gjithmonë sipas kreut të FMN-së./Scan tv/