Bashkëpunimi i prekshëm dhe i efektshëm elektroenergjetik Kosovë-Shqipëri

Kthesa reale pozitive dhe e efektshme në marrëdhëniet elektroenergjetike në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë ka nisur të vërehet sidomos gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kur rezultatet e këtij bashkëpunimi janë bërë të prekshme, imponuese dhe të dobishme për të dyja anët. Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) dhe ajo e Kosovës (KEK), që gjithsesi janë prijëse dhe qëndrojnë në majën e hierarkisë së meritave për këtë bashkëpunim më të frytshëm më në fund, pa shumë pompozitet, pa shumë takime ekspozimi para kamerave dhe fotoaparateve të medieve, treguan dhe dëshmuan se shqiptarët në të dy anët e kufirit janë shumë më të afërt se sa parashohin e paraqesin protokollet zyrtare të dy qeverive. Çka paraqet Bursa Energjetike Shqipëri-Kosovë dhe kur do të funksionalizohet ky projekt, i rëndësishëm dhe jetik për raportet energjetike shqiptaro-shqiptare?

Mehmet GJATA

Raportet ndërshtetërore shqiptaro – shqiptare, ose ndërmjet dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin elektroenergjetik, më në fund kanë zënë të funksionalizohen dhe të ecën më mirë. Kthesa reale pozitive dhe e efektshme në marrëdhëniet elektroenergjetike në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë ka nisur të vërehet sidomos gjatë vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kur rezultatet e këtij bashkëpunimi janë bërë të prekshme, imponuese dhe të dobishme për të dyja anët. Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) dhe ajo e Kosovës (KEK), që gjithsesi janë prijëse dhe qëndrojnë në majën e hierarkisë së meritave për këtë bashkëpunim më të frytshëm më në fund, pa shumë pompozitet, pa shumë takime ekspozimi para kamerave dhe fotoaparateve të medieve, treguan dhe dëshmuan se shqiptarët në të dy anët e kufirit janë shumë më të afërt se sa parashohin dhe e paraqesin protokollet zyrtare të dy qeverive.

Edhe KESH, edhe KEK-u, iu gjendën si është më së miri vendeve të tyre, duke bashkëpunuar me sinqeritet dhe pa hile, në një vit të rëndë elektroenergjetik siç ishte 2022-ta, duke këmbyer tepricat në ditë dhe kohëra kur dispononin ato më shumë energji, dhe kur qoftë Shqipëria, qoftë Kosova, kishin nevojë të madhe për energji elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Kosova, gjatë muajve të verës dhe orëve të natës në shumë muaj të 2022-tës, kishte goxha teprica, të cilat ia huazoi Shqipërisë, së cilës i nevojiteshin për shkak të mungesave të theksueshme të rrymës së prodhuar në hidrocentrale, akumulimet e të cilave nuk kishin sasinë e bollshme të ujërave në mungesë të të reshurave. Në këtë mënyrë, KEK-u deri në fund të 2022-tës kishte deponuar te KESH diku mbi 150 mijë megavatë-orë. Ndërsa, në periudhën e vjeshtës së vonë dhe me fillimin e dimrit, kur termocentralet aktuale të Kosovës, nuk arrinin të plotësonin kërkesat e shtuara të konsumit të Kosovës, KESH-i i kthej borxhin KEK-ut, duke i dhënë thuaja për çdo ditë nga 150-180 e më shumë megavatë, ose rreth 1800-2000 gjatë 24 orëve, duke bërë të mundshme që për gjithë këto javë e mauj, Kosova t’i ikë importit të domosdoshëm dhe super të shtrenjtë të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, KESH-i dhe KEK-u na bindën me vepër dhe “folën” sikundër që ishin deklaruar më herët në një sondazh shqiptarët e të dy anëve, përkatësist sikundër që rreth 88% e qytetarëve në Shqipëri dhe 64% e atyre në Kosovë u deklaruan se besojnë se shqiptarët në dy anët e kufirit janë shumë më të afërt me njëri-tjetrin sesa qeveritë e tyre.

Në këtë mënyrë, me vepra konkrete bashkëpunimi, të dy korporatat energjetike dëshmuan se me seriozitetin e tyre, rezultatet e arritura, efektivitetin dhe përmbushjen e obligimeve të parapara të dyanshme janë ‘mbi’ dhjetëra mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive simotra dhe tejkaluan qindra marrëveshje (150 e sa marrëveshje të arritura që nga 2014-ta ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës), memorandume dhe protokolle bashkëpunimi shqiptaro-shqiptar.

Bashkëpunimi serioz i mbështetur në parimet themelore të partneritetit ekonomik e financiar ndërmjet KESH-it dhe KEK-ut gjatë 2022-tës dhe janarit të sivjetshëm, e përforcoi goxha bindshëm dhe realisht bashkëpunimi i intensifikuar premtues Kosovë-Shqipëri. Po kështu, u jetësua me këtë parneritet edhe Marrëveshja Kornizë e bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike, e nëshkruar para më shumë se një viti ndërmjet Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE) dhe Entit Rregullator të Energjisë së Shqipërisë (ERE). U tregua shumë, konkretisht pra se tregu i përbashkët energjetik, respektivisht, bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike mes dy vendeve, është i mundshëm, i zbatueshëm dhe me mundësi të shumta reale në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të të dyja vendeve, por edhe me mundësi për ta rritur konkurrencën në tregjet e energjisë elektrike si dhe ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta. Ky bashkëpunim, gjithsesi, ka zënë të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në tregje jo-diskriminuese dhe transparente. Po ashtu, përmes këtij bashkëpunimi janë krijuar konditat që të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.

“Ky bashkëpunim, si i pari në rajon në një treg të përbashkët, do të shërbejë si nxitje për zgjerimin e bashkimit të më shumë tregjeve në rajon e me gjerë”, ishin deklaruar atëherë zyrtarët e të dyja koorporatave elektroenergjetike, dhe kjo do të ndodhë patjetër.

Kjo marrëveshje do të përcaktojë gjithashtu edhe të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike të një dite më herët dhe brenda ditës, për sa i përket roleve dhe përgjegjësive në lidhje me operimet, administrimin dhe vendimmarrjen, përmes organizimit të alokimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në kufijtë e tyre të përbashkët një ditë më herët dhe brenda ditës.

Nga ZRRE-ja patën pohuar se ky bashkëpunim do të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në tregje jo-diskriminuese dhe transparente. Po ashtu, përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.

“Ky bashkëpunim, si i pari në rajon në një treg të përbashkët, do të shërbejë si nxitje për zgjerimin e bashkimit të më shumë tregjeve në rajon e me gjerë”, përfundonte komunikata e ZRRE-së.

Por, ç’është me rëndësi, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin energjetik nuk do të ndalet vetëm në këmbimin elektroenergjetik të dy vendeve. Do të vazhdojë edhe më gjithanshëm, duke valorizuar edhe më shumë potencialet tona. Në këtë vazhdë, siç dihet dhe siç është njoftuar tashmë publiku i të dyja vendeve, Kosova dhe Shqipëria do ta funksionalizojnë, madje sivjet, Bursën Shqiptare të Energjisë – ALPEX.

Në fund të dhjetorit të vitit që e lamë pas, Shqipëria dhe Kosova miratuan rregullat e tregut të energjisë elektrike për funksionimin e ALPEX-it. Krijimi i bursës, sipas njohëve të zhvillimeve elektroenergjetike, përbën lajmin me të rëndësishëm të energjisë pas funksionalizimit të rrjetit të transmisionit mes dy shteteve. Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të ZRRE-së, tha për medie se “jemi në fazën finale që ALPEX të funksionalizohet, sipas planeve që janë të koordinuara mes Shqipërisë dhe Kosovës”.

Në vitin 2020, u patën formalizuar procedurat ndërmjet Operatorit të Sistemit të Tregut dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit Shqiptar për themelimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike. Aksionar të ALPEX janë OST e Shqipërisë me 57.25 % të aksioneve dhe KOSTT nga Kosova me 42.75 %. Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) garanton konkurrencë në tregun e energjisë elektrike, ndikon në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ndërkufitare. Çmimet e energjisë elektrike pritet të ulen për qytetarët e të dyja vendeve. Bursa synon t’i bashkojë tregjet rajonale me tregjet energjetike evropiane.

ALEPX do të fillojë me operimin e tregut të ditës në avancë në Shqipëri dhe më pas brenda një periudhe 2-mujore do të operojë me bashkimin e këtij tregu me atë të Kosovës. Sipas kalendarit, tregtimi i energjisë elektrike për tregun e ditës në avancë për Shqipërinë do të nisë përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2023. Për t’i kryer funksionet e përcaktuara, ALPEX-i do të procedojë aplikimet për anëtarësim në Bursë, do të bëjë marrëveshje për pranimin e Anëtarëve të Bursës, do të përcaktojë kërkesat dhe procedurat e detajuara të tregtimit dhe Komitetin e Bursës, dhe t’i publikojë ato sipas procedures, do të kryejë ankandet dhe operacionet e nevojshme tregtare, në përputhje me rregullat e miratuara, duke përdorur për këtë qëllim Algoritmin e Tregut të Bashkuar Evropian.

Për seriozitetin e nismës për krijimin e Bursës së Energjisë, flet edhe fakti se që nga ky muaj, janari pra, e deri në mars të 2023-tës, nisin trajnimet intensive me palët e tregut. Në kalendarin e publikuar mbi këto trajnime të thelluara bien në sy aspektet që do të mbulohen deri në përgatitjen e plotë të të gjithë operatorëve për të kryer transaksione reale në momentin që nis funksionimi. Përgjatë janarit, në qendër të trajnimit janë tematikat e lidhura me platformën e tregtimit dhe procesin e ofertimit. Po kështu, njohuri më të thelluara do të ofrohen edhe për rregullat dhe procedurat e tregut që tashmë janë miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë të Shqipërisë.

Në fund të shkurtit, Bursa Shqiptare e Energjisë parashikon që trajnimi të ndalet tek treguesit e certifikuar ndërkohë që në fund të marsit, edhe pse mbetet e paspecifikuar me datë, do të zënë vend testimet e tregtuesve të certifikuar. Kjo do të thotë që do të ketë transaksione reale të simuluara në një bursë funksionale. Deri më tani, nuk ka një datë të re për nisjen e aktivitetit të bursës, por më herët, sipas medieve shqiptare, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë kanë thanë se caktimi i saj do të bëhet në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Arsyeja e kësaj shtyrje të nisjes së funksionimit nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, u argumentua më herët me ecurinë më të ngadaltë të procesit të liberalizimit. Bizneset që sipas saj, duhet të dilnin në treg të lirë kryesisht ato në tension të mesëm që përbëjnë edhe numrin më të madh të subjekteve, janë ende nën mbrojtjen e qeverisë duke u furnizuar me një çmim preferencial energjie, kanë raportuar mediet shqiptare.

Normalizimi i kushteve në bursa dhe ulja graduale e çmimeve të energjisë do të bëjë që edhe këto biznese ashtu si 35 kilovoltëshi të dalin në treg të lire, duke e bërë kështu të mundur plotësimin e kushteve për funksionimin e duhur të Bursës. Sipas Ballukut, duhen të gjithë palët në treg në mënyrë që të plotësohet zinxhiri funksional dhe jo vetëm prodhuesit apo furnizuesit. Bursa Shqiptare e Energjisë u regjistrua si subjekt në 23 tetor 2020 me aksioner Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë me 57.25% të aksioneve dhe Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Kosovës me 42.75% të aksioneve. Bursa, e cila që moti parashikohej të niste operimin që në vitin 2017, është shtyrë në mënyrë të vazhdueshme për shkak të mungesës së akteve nënligjore, problemeve gjatë procedurave të përzgjedhjes së platformës por edhe hartimit dhe miratimit të rregullave që tashmë janë përfunduar. Tani nuk duhet të ketë më shtyrje. Fundja, shtyrjet eventuale të një projekti kaq të rëndësishëm dhe kaq jetik, do të dëmtonin në radhë të parë të dyja shtetet shqiptare. /Buletini Ekonomik/