BQK refuzon kërkesën e Buletinit Ekonomik për monitorim të mbledhjeve të Bordit

Banka Qendrore e Kosovës

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka refuzuar kërkesën e Buletinit Ekonomik për pjesëmarrje në mbledhjet e Bordit të BQK-së dhe Bordit Ekzekutiv, duke u thirrur në disa dispozita ligjore që i përcaktojnë këto mbledhje si konfidenciale.

Përlundër faktit se mediumi në kërkesën drejtuar BQK-së, ka sqaruar se tek çështja e konfidencialitetit, gazetari/ja do ta lëshoj mbledhjen, BQK ka refuzuar kërkesën.

Buletini Ekonomik, përmes një kërkese zyrtare të datës 22 maj 2026, i ishte drejtuar Bankës Qendrore të Kosovës me kërkesën që t’i mundësohej pjesëmarrja në mbledhjet e Bordit të BQK-së dhe Bordit Ekzekutiv të këtij institucioni.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kërkesës, qëllimi ishte rritja e transparencës lidhur me vendimet që merren nga këto organe, të cilat, kanë ndikim të drejtpërdrejtë te policëmbajtësit, klientët bankarë dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi.

Në kërkesë, Buletini Ekonomik ka theksuar se është medium i specializuar në fushën e ekonomisë dhe anëtar me të drejta të plota në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Mediumi argumenton në kërkesë se pjesëmarrja në këto mbledhje do t’i shërbente informimit më të plotë të qytetarëve për vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.

Buletini Ekonomik kishte vlerësuar se nenet 47 dhe 49 të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nuk përcaktojnë qartë nëse mbledhjet e Bordit dhe Bordit Ekzekutiv janë të hapura apo të mbyllura për publikun dhe mediat. Në kërkesë po ashtu ishte shprehur gatishmëria që, në rastet kur trajtohen çështje që kërkojnë konfidencialitet, gazetari/ja i/e mediumit të largohej nga mbledhja.

Megjithatë, në përgjigjen e saj, BQK-ja ka sqaruar se rregullimi specifik i kësaj çështjeje përcaktohet në nenet 48 dhe 50 të Ligjit për BQK-në, të cilat, sipas institucionit, i cilësojnë procedimet e mbledhjeve të Bordit të Bankës Qendrore dhe Bordit Ekzekutiv si konfidenciale.

Në përgjigjen e saj, BQK-ja thotë se natyra konfidenciale e këtyre mbledhjeve ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbarëvajtjen e pavarur të proceseve vendimmarrëse. Për këtë arsye, sipas BQK-së, institucioni e ka “të pamundur ligjërisht” të mundësojë pjesëmarrjen e palëve të jashtme apo mediave në këto mbledhje.

Në kërkesën drejtuar BQK-së, Buletini Ekonomik kishte përmendur edhe praktikën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e cila i ka të hapura mbledhjet, duke theksuar se bordi i këtij institucioni, sikurse në rastin e BQK-së, zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës.