Interneti jashtë pakos deri në 15€ për 1 GB

Përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë po përballen me tarifa të ndryshme për përdorimin e internetit pas konsumimit të pakove mujore, varësisht nga operatori që përdorin. Kjo pasi dy operatorët kryesorë të telefonisë mobile në Kosovë, Vala dhe IPKO, aplikojnë qasje të ndryshme për tarifimin e internetit pas konsumimit të pakove mujore, duke krijuar paqartësi te konsumatorët për koston reale të shërbimit.

Ndërsa Vala thotë se 1 GB internet i përdorur jashtë pakos tarifohet me të njëjtin çmim si në pako, të dhënat e publikuara nga IPKO tregojnë një realitet krejtësisht tjetër, ku çmimi për të njëjtën sasi interneti rritet ndjeshëm, duke u shumëfishuar krahasuar me tarifën brenda pakos.

Në përgjithësi, pas shpenzimit të megabajtëve të përfshirë në pakot mujore të telefonisë mobile në Kosovë, përdoruesit kalojnë automatikisht në tarifimin standard “Pay as you go”.

Tek operatori IPKO, 10 megabajtët e parë tarifohen me 1 euro, ndërsa çdo megabajt shtesë kushton 0.01414 euro.

Bazuar në këto tarifa, konsumimi i 1 gigabajti internet jashtë pakos arrin në gjithsej 15 euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Lexo edhe:

Tarifimi “i fshehtë” pas skadimit të pakove për përdoruesit e telefonisë mobile në Kosovë

Sipas IPKO-s, për të vazhduar përdorimin e internetit pas shpenzimit të pakos, përdoruesit duhet të kenë më shumë se 0.28 euro kredit në llogarinë e tyre.

Në anën tjetër, nga Vala thonë se modeli i tyre i tarifimit është ndërtuar në mënyrë që çmimi i internetit jashtë pakos të jetë i njëjtë me çmimin e një pakoje shtesë. Sipas përgjigjes së operatorit, nëse një pako shtesë prej 1 GB kushton 1.99 euro, atëherë edhe konsumimi i 1 GB internet pas përfundimit të pakos tarifohet me të njëjtën vlerë.

Sipas Vala-s, kjo është bërë për të shmangur shpenzimet e pakontrolluara për përdoruesit edhe në rastet kur ata nuk kanë blerë pako shtesë apo nuk e kanë ndalur shërbimin e internetit në pajisjet e tyre.

Këto dallime në tarifa kanë ngritur shqetësime te një pjesë e përdoruesve, të cilët thonë se shpesh nuk janë të vetëdijshëm për sasinë e internetit që vazhdon të konsumohet nga aplikacionet në sfond pas përfundimit të pakos. Për pasojë, edhe një periudhë relativisht e shkurtër e përdorimit mund të gjenerojë kosto shtesë për përdoruesit.

Megjithatë, pavarësisht shpjegimeve të operatorëve, ankesa të ndryshme të përdoruesve vazhdojnë të shfaqen lidhur me tarifimin pas përfundimit të pakove mujore. Shumë prej tyre kërkojnë mekanizma më të qartë paralajmërues ose ndërprerje automatike të shërbimit pas shpenzimit të pakos, në mënyrë që t’i shmangin kostot e papritura. /Buletini Ekonomik/

Më shumë:

Operatorët i ngarkuan qytetarët me tarifë mbi limitin prej 20 euro për internet jashtë pakos, dy qytetarë fitojnë rastet në ARKEP