Çfarë janë mundësitë për përmbushjen e parashikimeve për uljen e inflacionit në Kosovë

Nëse është fakt se në inflacionin e ngritur në shifra dyshifrore, ose ndër më të lartin deri tani në vitet e pasluftës në Kosovë (sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vendi do ta përmbyllë vitin me normë mesatare të inflacionit 12 për qind), ndikimin kryesor e ka ngritja e vazhdueshme e çmimeve të shumë mallrave, siç është rasti te ne, dhe nëse vazhdon kjo ngritje çmimesh me vrullin e nisur që në ditët e para të janarit të 2023, del të jenë të diskutueshme parashikimet optimiste të BQK-së për rënie të inflacionit në këtë vit. Në botë, shpresohet shumë që presionet inflacioniste të lehtësohen akoma më shumë përgjatë 2023-tës.

Agon SINANAJ

Në fund të vitit që shkoi dhe në këtë fillimvit në opinionin kosovarë, por edhe përtej tij, u shpërfaqen deklarata dhe mendime trimëruese nga persona kompetentë dhe profesionistë se gjatë 2023-tës do të ketë goxha ulje të shkallës së inflacionit në vendin tonë. Ndër të parët që lansoi informacionin për rënie të inflacionit në këtë vit ishte e Banka Qendrore e Kosovës, nëpërmjet prononcimeve të kreut të saj.

Reklama e sponzorizuar

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor të rritjes ekonomike në vend”, tha guvernatori i këtij institucioni, Fehmi Mehmeti, në dy tre raste, qoftë në intervista për medie, qoftë në takime të ndryshme profesionistësh.

Edhe ekonomistët e huaj, që i citojnë disa media ndërkombëtare, presin që inflacioni në botë, e sidomos në Eurozonë të bjerë në vitin 2023. Për herë të parë që nga fillimi i luftës ruso – ukrainase, këtyre ditëve u shpërfaqë edhe optimizëm për përmirësim të ekonomisë në Eurozonë, sipas raporteve të agjencisë Reuters.

Të dhënat e Komisionit Europian treguan këto ditë se kishte pasur më shumë optimizëm në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe një rënie të mprehtë të pritjeve për inflacionin në dhjetor, shkruan The Guardian. Indeksi mujor i sentimentit ekonomik të Komisionit u rrit në 95.8 në dhjetor nga 94.0 në nëntor, lëvizja e parë në rritje pas një rrëshqitjeje nga niveli rekord prej 114.0 në shkurt, muaji kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Konsumatorët, shitësit me pakicë dhe industria e ndërtimit në disa vende të Eurozonës, siç transmetojnë mediet botërore, ishin gjithashtu më optimistë, duke sinjalizuar se ngadalësimi i pritshëm ekonomik në tre muajt e fundit të 2022-ës dhe tre muajt e parë të 2023-ës ka të ngjarë të jetë i ulët.

Mirëpo, në kontraditë të madhe me këto parashikime optimiste, vazhdon të bëhet në lëvizjet e çmimeve të shumë mallrave në Kosovë, e sidomos të produkteve elementare ushqimore, të shportës pra, të cilat edhe të pangritura tashmë ishin të larta dhe përtej fuqisë blerëse të kosovarëve të varfër. Me fjalë të tjera, nëse është fakt se në inflacionin e ngritur në shifra dyshifrore, ose ndër më të lartit deri tani në vitet e pasluftës në Kosovë (sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vendi do ta përmbyllë vitin me normë mesatare të inflacionit 12 për qind), ndikimin kryesor e ka ngritja e vazhdueshme e çmimeve të shumë mallrave, siç është rasti te ne, dhe nëse vazhdon kjo ngritje çmimesh me vrullin e nisur që në ditët e para të janarit të 2023, del të jenë të diskutueshme parashikimet optimiste të sipërshënuara.

Pra, ngritje e re e vrullshme çmimesh ka nisur që në ditën e parë pas festës së Vitit të Ri. Që nga e hëna, pra 2 janar 2023, qytetarët kryeqytetas u përballën me çmime të reja të ngritura befasisht, të një numri produktesh elementare ushqimore, e sidomos të disa produkteve që lëndë të parë kanë qumështin.

Sipas statistikave të ASK-së, nga 31 dhjetori i vitit 2022 deri më 3 janar të vitit 2022, janë shtrenjtuar mishi i gjedhit, mishi i bardhë, jogurti, ajka, vezët, patatet, sheqeri, çaji, kripa e kuzhinës, uji natyral pa gaz, detergjenti për rroba e shamponi për flokë. Çmimet e ngritura për disa produkte bazike ushqimore, jashtë të dhënave të ASK-së, i kanë prekur dhe përjetuar me 2 dhe 3 janar vet konsumatorët. Lëvizja goxha e madhe e çmimeve me kahe drejt ngritjes së tyre te shumë produkte bazë ushqimore, në dy-tre ditët e para të vitit 2023 është bërë vetëm pak ditë pas parashikimit të Bankës Qendrore të Kosovës për mundësinë e rënies së inflacionit në vitin që posa kemi hyrë.

Megjithatë, ca ulje çmimesh që ka evidencuar ASK-ja në ditët e para të 2023-tës sikur paraqet një “dritë në fund të tunelit”, por edhe shpërfaqë ca sinjale, qofshin edhe të zbehta, për të marrë anë në favor të parashikimeve optimiste për ulje të inflacionit në këtë vit. Këto ditë të para të 2023-tës, ASK-ja ka regjistruar, pra, edhe rënie simbolike të çmimeve të disa produkteve tjera, ndër to edhe sosh elementare ushqimore. Produktet që janë liruar janë orizi, makaronat, mielli, qumështi, djathi, gjiza, vaji, fasulja, të cilat janë liruar fare simbolikisht prej 1 deri në 4 centë.

Sidoqoftë, në ditët e para të fillimvitit kanë dominuar çmimet e reja të ngritura. Dhe, nëse vazhdon kështu si ka nisur në tre ditët e para ngritja anarkike, pa asnjë logjikë të tregut e çmimeve, që nga tani shtrohet dilema e madhe se si do të ketë ulje të inflacionit në këtë vit. Nuk ka asnjë mundësi që të bëhet ulja e inflacionit duke u ngritur çmimet e shumë produkteve të përditshme dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër.

Por, edhe në këto ditët e para të 2023-tës, kur u pa dhe u prek lëvizja e madhe e çmimeve në tregun kosovar, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht u treguan të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme për çmime të rritura, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore e as morale. Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara, e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike tash e sa kohë dhe shumë herë për frenimin e shpërthimit enorm të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Tani po del të jetë vetëm një tekst ordiner, pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra edhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, i miratuar në muajt e fundit të 2022-tës. Siç dihet, në këtë dokument thuhej se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Përveç kësaj, Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues.

Mirëpo, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore, asnjë kërkesë dhe synim i dokumenteve zyrtare nuk është përmbushur. Thjesht, si me to si pa to, tregtarët, ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve ngritën çmimet jo pak, duke e ngritur goxha shumë edhe marzhën e fitimit. Në këtë mënyrë, çmimet vetëm sa vazhduan të ngriten me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura nga tregtarët manipulues dhe kepërdorues të situatave.

Edhe eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, në një intervistë për mediet e vendit, së fundi e ka thënë se tregtarët në Kosovë e kanë keqpërdorur dhe manipuluar situatën e rritjes së çmimeve. Jakurti ka theksuar se vendeve si Kosova i përcaktohen çmimet nga faktorët e tjerë ndërkombëtarë, por pranon se ka pasur manipulime edhe nga tregtarët.

“Prej verës së vitit të kaluar, krahasuar me Eurozonën që përdorim euron, ka pas periudhë kur inflacioni në Kosovë ka qenë 40 për qind më i madh. Kjo shpjegohet me margjinat e fitimit bruto të tregtarëve. Është keqpërdor situata nga importuesit. Çmimet kanë pas shumë dallime me vendet e rajonit. Ka pasur manipulime në çmime nga tregtarët”, ka thënë Jakurti. Sipas ekspertit të ekonomisë, lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar situatën me inflacionin, që siç ka deklaruar ai, ka nisur që nga vera e vitit të kaluar.

“Lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar situatën, sepse Ukraina dhe Rusia janë prodhuesit e mëdhenj të naftës, gazit e grurit. Trendi i inflacionit ka nis në verën e vitit të kaluar. Ka ndodh me disa faktorë. Hapja e ekonomive pas pandemisë, ku s’kemi pas përputhje mes kërkesës dhe ofertës. Bllokadat në zinxhirin furnizues dhe akumulimin e blerjes që s’kanë ndodh gjatë pandemisë. Këto kanë bërë që të rriten çmimet. Gjithmonë në rast të krizave dhe luftërave, inflacioni është aty”, ka shtuar Jakurti.

Jakurti ka thënë se politika e vendosjes së çmimit tavan për derivate ka qenë një masë e mirë e Qeverisë, por ka kritikuar shpërndarjen e 100 eurove, pasi sipas tij, “ka pasur kosto të madhe kolektive në buxhet, por ndihma për qytetarët ka qenë e vogël”. Ka theksuar se rritja e pagës minimale do të ishte një nismë e mirë për ta përballuar inflacionin sa më mirë.

Ndërsa, eksperti financiar dhe i tregjeve ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në një intervistë për mediat e vendit ka thënë se “praktika na mëson që inflacioni në Kosovë është i importuar, ndërkohë që importet i kemi katastrofale. Qeveria i ka disa kufizime, mund të marr masa, mund të zvogëloj TVSH-në. Do të ndikojë në të ardhura, por në të njëjtën kohë kemi nevojë për të ardhura. Në anën tjetër qeveria më shumë po punon në kërkesë se sa në ofertë”, ka thënë ai, duke shtuar se “nuk mundet qeveria me çfarëdo lloj mase që do të ndërmerr ta reduktoj dhimbjen inflacionare”. Bajra gjithashtu vlerësoi se duhet të përshpejtohet Ligji i Pagave. “Kemi problemin e rritjes së pagave, duhet të përshpejtohet Ligji i Pagave pasi e fillon një praktikë të re, si te biznesi, si të punëdhënësi, që duhet me pas një distribuim më të barabartë në ekonominë e tregut. Pra kjo i kalon tregut. Qeveria këtë faktikisht ia ka lënë biznesmenëve që ta rregullojnë vet.”, tha ndër të tjera Bajra.

Kjo është pak a shumë gjendja e zhvillimeve inflacioniste në Republikën tonë. Ndërkohë, në botë vijnë parashikime të shumta më optimiste dhe më shpresëdhënëse. Shkurt, shpresohet që presionet inflacioniste të lehtësohen akoma më shumë përgjatë këtij viti. Është ndoshta e ekzagjeruar nëse do të prisnim që rritjet e çmimeve të bien së shpejti në nivelin vjetor 2% deri në 3%, thuhet nga ekspertët. Por, për sa kohë që Indeksi i Çmimeve të Konsumit vazhdon të bjerë, tregu me siguri që do të jetë i lumtur.

“Inflacioni do të vazhdojë të reduktohet. Ne besojmë se ai arriti pikun e vet në qershor,” tha në një raport Nancy Tengler, drejtuese ekzekutive dhe shefe e investimeve në Laffer Tengler Investments, transmeton CNN. Ajo shtoi se “rritja dhe rënia e inflacionit është kryesisht simetrike. U deshën 16 muaj për të arritur pikun e inflacionit dhe tani besojmë se do të duhet e njëjta periudhë kohore për të arritur në një nivel të tolerueshëm.” Çdo ngadalësim i mëtejshëm i ritmit të inflacionit do të ishte një lajm i mirë për të gjithë njerëzit, por edhe për bizneset. Kjo për shkak se fitimet duhet të rriten ndërkohë që shpenzimet për mallrat janë në rënie. “Pas një viti me inflacion të lartë, ne presim që faktorët të cilët ulin presionet inflacioniste të shtohen pasi kompanitë të fillojnë të shohin deflacion në kostot e inputeve. Marzhet e fitimit ka të ngjarë të jenë më të mira sesa pret tregu i përgjithshëm “ ka thënë për CNN, kryestrategu për tregjet në First Franklin.

Por është e ditur se tregjet tashmë janë të çrregulluara, çmimet janë shtrenjtuar dhe standardi i jetesës është ulur, që kryesisht ka prekur më shumë vendet e varfëra dhe në tranzicion si Kosova. Ky “ankth parash”, do të vazhdojë edhe këtë vit, ka paralajmëruar drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Këtë paralajmërim ajo e bazon për faktin se treshja e fuqishme ekonomike, SHBA-ja, Kina dhe Bashkimi Evropian, kanë ngecur për ta marrë hovin e rimëkëmbjes ekonomike pas zhvillimeve globale në dy vitet e fundit. Sido që të jetë, në Kosovë, veçmas, me ekonomi të brishtë dhe me import dhe deficit tregtar marramendës, si rrjedhojë e shpërputhjës enorme ndërmjet importeve dhe eksportit, nuk do të jetë lehtë të përmbushën parashikimet dhe të minimizohet “ankthi i parave” gjatë 2023-tës. Gjithsesi, institucionet shtetërore duhet të përkujdesën së paku që të parandalojnë ngritjen e mëtejshme të çmimeve. Në këtë mënyrë do të kishte gjasa të përmbushën parashikimet optimiste për uljen e inflacionit në përqindjet e shprehura nga BQK-ja. Por, për t’u parandaluar ngritja e çmimeve gjatë këtij viti është e domosdoshme që të ndërmerren masa të zbatueshme, të konsultuara dhe të bazuara në këshillime të mira dhe profesioniste, por edhe në përvojat e efektshme të shteteve që ia kanë dalë të bëjnë kthesa të favorshme në lëvizjet inflacioniste. /Buletini Ekonomik/