Gazmend Shabani, nga qyteti i Skenderajt, rreth 40 kilometra larg Prishtinës, të enjten u detyrua të largohej nga shtëpia e tij ku jetonte me gruan dhe djalin, për shkak të përmbytjeve në lagjen e tij pas reshjeve të dendura të shiut.
“Dje prej orës 12 ka nisur shiu, kishte të reshura të mëdha dhe ka nisur depërtimi i madh i tyre në shtëpi, ma kanë marrë dhomën e parë, të dytë e të tretë”, rrëfen Gazmendi.
Ai thotë se nuk ka arritur të shpëtoj thuajse asgjë kati i parë i shtëpisë, i cili aktualisht është i pabanueshëm. Ndërsa gruaja po qëndron te familja e saj bashkë me djalin, Gazmendi u kthye të premten në oborrin e tij për të parë gjendjen e shtëpisë.
“Një herë për një herë ata kanë shkuar te miqtë e mi, unë isha pak te një vëlla i imi, tash u ktheva për të provuar të hyjë në shtëpi por nuk kishte gjasë. Provova të bëjë rrugë e të hyj por nuk ka shanse absolutisht. Ishin mbushur dhomat ujë, banjo, korridori e gjithçka tjetër”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Skenderaj është ne mesin e qyteteve më të dëmtuara nga përmbytjet që nisën të enjten në disa pjesë të Kosovës pas reshjeve të dendura të shiut.
Jeton Etemi ka më shumë se një vit që ka hapur një dyqan për pajisje elektronike në Skenderaj. Përmbytjet thotë se i shkaktuan dëme mbi 15 mijë euro.
“Kur e kemi vërejtur që vetëm po afrohet uji, i kemi larguar shumicën e gjërave të teknikës së bardhë por të gjitha nuk kishim mundësi. Shumica e produkteve që kanë qenë në paketim për shembull si televizorët, janë dëmtuar. Vlerën e saktë ende nuk e kemi llogaritur por besoj mbi 15 mijë euro”, thotë ai.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi të enjten mbrëma se ka ngritur gatishmërinë shtetërore, ndërsa dëmet më të mëdha thuhet se janë shkaktuar në qytetet si Istogu, Klina, Peja, Gjakova, Skenderaj, Mitrovica e Podujeva.
“Apelojmë tek qytetarët që jetojnë në zona ku ka përmbytje që të kenë kujdes të shtuar dhe të komunikojnë me autoritetet shtetërore që t’iu vijnë në ndihmë. Qendrat Operative Emergjente janë aktivizuar në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe për çdo urgjencë duhet të kontaktojnë në numrin emergjent 112”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi mëngjesin e së premtes një nga fshatrat më të prekura nga përmbytjet në Istog.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata”, shkroi ai në rrjete sociale pas kësaj vizite.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës tha nëpërmjet një njoftimi të premten se mot i ngjashëm pritet të mbaj edhe në ditët në vijim, dhe se për shkak të daljes së lumenjve nga shtretërit, mund të ketë përmbytje edhe në pjesë të tjera të Kosovës./VOA/