Dollari amerikan po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, duke prekur sërish nivelin më të ulët në 7 muajt e fundit, pasi inflacioni në SHBA rezultoi në linjë me parashikimet e analistëve. Ngadalësimi i indeksit të çmimeve ka rritur mundësitë që Rezerva Federale të largohet nga politika monetare agresive.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 102.2, niveli më i ulët që nga qershori i vitit të kaluar.
Euro është ngjitur në mbi 1.08 dollarë, shumë pranë nivelit më të lartë në 9 muajt e fundit. Indeksi i Çmimeve Konsumatore në SHBA shënoi rënie për herë të parë në 2 vite e gjysëm, gjatë dhjetorit, duke shtuar mundësitë që Rezerva Federale të ngadalësojë hapin e rritjes së interesave.
Analistët parashikojnë se në takimin e ardhshëm, Banka Qendrore Amerikane mund të rrisë normën bazë të interesit me 25 pikë bazë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po tregtohet në rreth 18,800 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1410 dollarë. /Scan tv/