“Lufta” e Kosovës me milionat e Arbitrazhit – Si u shpëtuan 470 milionë euro?

Kosova është ballafaquar në arbitrazhe ndërkombëtare në gjashtë raste, ku ka qenë e përfshirë Avokatura Shtetërore. Deri më tani, tre raste janë fituar, kurse për tre të tjera pritet vendimi në javët në vijim. Nga rastet e fituara janë shpëtuar mbi 470 milionë euro. Në rastet që janë në proces, rreziku është për humbjen e 50 milionë eurove.

Republika e Kosovës është dërguar në të paktën gjashtë raste në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Deri tani, tre nga rastet e mëdha kanë përfunduar në favor të shtetit kurse tre të tjera janë në procedurë.

Reklama e sponzorizuar

Zëvendësavokatja e Përgjithshme e Shtetit, Fitore Gajtani, ka thënë se procedurat në të tre rastet e mbetura të shtetit në Arbitrazhin Ndërkombëtar kanë përfunduar. Në një periudhë afatshkurtër, sipas saj, priten të shpallen vendimet.

“Në arbitrazhin ndërkombëtar, Avokatura Shtetërore në përgjithësi ka gjashtë raste, ku tre i kemi fituar. Në proces kemi edhe tre të tjera për të cilat janë mbajtur seancat, vetëm se presim vendimet nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar”.

Nga tre rastet e fituara deri tani, 475 milionë euro i janë shpëtuar buxhetit të shtetit.

“Iute Credit” dhe Kosova, vlera 30 milionë

Fitorja e fundit është ndaj institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”. Nga ky rast, Kosova ka shpëtuar 30 milionë euro.

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, e kishte dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, në shkurt të 2020-s.

Banka Qendrore e Kosovës e kishte mbyllur “Iute Credit” në fillim të muajit dhjetor të 2019-s, me arsyetimin se funksiononte me norma interesi jashtë çdo standardi.

“Banka Qendrore ka vendosur të revokojë regjistrimin dhe të iniciojë procedurat e likuidimit për institucionin mikrofinanciar ‘Iute Credit Kosova’.

Devijimi më i rëndësishëm ka të bëjë me normën e interesit që ky institucion ka aplikuar në kredi – të cilat kanë qëlluar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normën që kishte paraparë në planin e tyre të biznesit”, pati thënë në atë kohë, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

“Iute Credit” nuk ishte pajtuar me revokimin e licencës, prandaj edhe e paditi shtetin në Gjykatën e Arbitrazhit, dy muaj pas mbylljes.

Institucioni pretendonte se është dëmtuar nga vendimi i BQK, ndaj kërkonte kompensim me vlerë monetare 30 milionë euro.

Në nëntor të këtij viti, përfundoi rasti me fitoren e shtetit. Pretendimet e “Iute Credit” u rrëzuan, rrjedhimisht shteti shpëtoi 30 milionët e kërkuar nga ky institucion.

Guvernatori Fehmi Mehmeti ka thënë se fitorja ka vërtetuar se BQK-ja ka qenë e sigurt në ligjshmërinë e vendimit, por edhe për 13 tërheqjet e licencave dhe lejeve në 5 vitet e fundit.

“Republika e Kosovës nuk do të ketë asnjë shpenzim, asnjë kosto përfshirë këtu edhe shpenzimet e avokatit do të paguhen nga ‘IuteCredit’. Kjo tregon shumë për ne si BQK, se vendimet të cilat i kemi marrë, gjithmonë kanë qenë në favorin tonë. Kanë qenë vendime të ligjshme dhe kjo tregon që ligjshmërinë e kemi pasur gjithmonë prioritet”.

Sipas Mehmetit, “IuteCredit” ka aplikuar norma interesi me 500%, 600% e 700% në raste të caktuara dhe, sipas tij, kjo ka qenë jashtë planeve të bizneseve që kanë marrë regjistrim dhe arsyeja kryesore që ia kanë hequr atë.

“IuteCredit”, Banka Qendrore e Kosovës ka fituar rastin edhe ndaj institucionit mikrofinanciar “Monego”.

PTK fiton ndaj “Axos”, vlera 380 milionë euro

Kosova ka pasur edhe një përballje tjetër në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, me një kompani tjetër ndërkombëtare.

Beteja është zhvilluar me kompaninë “ACP Axos Capital Gmbh”, e cila fillimisht ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75% të aksioneve të kompanisë së telefonisë celulare “Vala”, për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës nuk ia dha “dritën jeshile” raportit të qeverisë për shitjen e PTK-së, pasi ishte opozita ajo që e kundërshtonte fort këtë proces, duke bojkotuar disa herë edhe seancat.

Madje, opozita kërcënoi se nuk do ta votonin edhe buxhetin për vitin 2014, pas përpjekjes së qeverisë që me një amendament në këtë ligj të përfshijë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Pas disa shtyrjeve, Qeveria e Kosovës nuk e nënshkroi kontratën me këtë kompani.

“ACP Axos Capital Gmbh” e dërgoi rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke kërkuar miliona euro. Padia u dërgua më 4 qershor të vitit 2015 në këtë gjykatë. Nëse Qeveria e Kosovës do ta humbte rastin, rrezikon të humbasë shumën 380 milionë euro.

Pas përballjes në këtë gjykatë, rasti u fitua nga Kosova. Vendimi u mor në prill të vitit 2018.

“ACP Axos vs. Republic of Kosovo, ka rezultuar në fitore të plotë për Kosovën, duke mundur një padi në vlerë prej 380 milionë euro”, thuhet në njoftimin e kompanisë “Squire Patton Boggs” e cila ishte angazhuar nga Kosova për ta përfaqësuar në këtë procedurë.

“Hotel Victory” dhe Kosova, 65 milionë euro

Në gusht të këtij viti, shteti i Kosovës fitoi një rast të madh arbitrazhi me ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës. Pas më shumë se dy vite betejë ligjore, më në fund u mor vendimi pro shtetit, ku Kosova rrezikonte të humbte 65 milionë euro.

Bedri Selmani, i cili njihej nga shteti si ‘uzurpator i pronës’, e pati dërguar Kosovën në Arbitrazh për pronën “Hotel Victory”, e pronën e “Auto Prishtina”.

Ai pretendonte se ndërprerja e kontratës për shfrytëzimin e pompave të benzinës ka qenë e kundërligjshme.

Selmani dërgoi padinë në prill të vitit 2019, duke kërkuar nga shteti kompensim në vlerë 65 milionë euro, për pronat që kishte mbajtur të uzurpuar për disa vite me radhë.

Këto prona që nga paslufta ishin shfrytëzuar nga biznesmeni Bedri Selmani, deri kur Agjencia Kosovare e Privatizimit e pati përfshirë “Hotel Victory” në listën e uzurpatorëve.

Selmani ishte vendosur në këtë objekt që atëherë e hapi “Hotel Victory” me bekimin e Azem Sylës në vitin 1999, kur ky i fundit ishte ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme që drejtohej nga Hashim Thaçi.

Paraprakisht, objektet e ndërmarrjes “Auto Prishtina” ishin përdorur nga Ministria e Mbrojtjes, deri në kohën kur UNMIK-u kishte shpërbërë këtë qeveri që nuk njihej ndërkombëtarisht.

Në vitin 2016, shteti arriti ta rikthejë nën menaxhim këtë pronë. APK bashkë me Policinë e Kosovës e patën liruar objektin, e cili iu dha në shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Biznesmeni Selmani, për vite me radhë, kishte mbajtur në shfrytëzim edhe pompat e INA Zagreb. Ai madje e ka paditur shtetin për rrënimin e njërës pikë.

Rasti përfundoi në gusht të këtij viti, në favor të Ministrisë së Drejtësisë. Biznesmeni Selmani, bazuar në këtë vendim të arbitrazhit ndërkombëtar, u detyrua për kompensimet e shpenzimeve të procedurës.

“Më datë 01.08.2022, Tribunali i Arbitrazhit (ICC) ka nxjerrë vendimin final në çështjen e Bedri Selmanit kundër Republikës së Kosovës, duke refuzuar kërkesëpadinë e paditësit Bedri Selmani dhe duke e urdhëruar të njëjtin që të paditurës Republikës së Kosovës, t’ia kompensojë shpenzimet e krijuara në këtë procedure”.

Rastet në proces që peshojnë 50 milionë euro

Në tre rastet të cilat ende janë në proces e sipër, vlera e pretenduar e kompanive që kanë paditur shtetin është rreth 50 milionë euro.

Në procedurë janë padia e “Coutur Global”, “Mabco” apo rasti i njohur si “Grand Hotel” dhe ajo e biznesmenit Blerim Devolli

Miliona euro mund të dalin nga Thesari i Shtetit, nëse Kosova nuk mund të fitojë rastet për të cilat është dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

“Coutur Global” paditi Kosovën, duke kërkuar 20 milionë euro.

Çështja e kontratës me “Coutur Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, është bërë problematike mes Kosovës dhe kësaj kompanie.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillojë ndërtimin në vitin 2020, derisa pritej që të përfundonte dhe të vihet në punë në vitin 2023. Ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliardë euro.

Mirëpo, kontrata nuk u jetësua, e çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Në dhjetor të vitit 2020, Ministria e Ekonomisë e konfirmoi përballjen në gjykatë me kompaninë “Contour Global”.

Ajo doli me njoftimin se ka pranuar konfirmimin nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar, se kompania “Coutur Global” ka dorëzuar padinë lidhur me çështjen e termocentralit.

“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori ‘Coutur Global’”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

“Coutur Global” kërkoi kompensim dëmi në një vlerë të madhe, prej 20 milionë eurosh.

“Me datë 19.11.2020. Ministria e Drejtësisë, nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar, ka pranuar padinë, ku Republika e Kosovës është paditur nga ‘Coutur Global’, e cila në emër të kompensimit të dëmit kërkon një vlerë prej mbi 20 milion eurosh”.

Avokatura Shtetërore ka marrë të gjitha veprimet procedurale, të cilat janë të parapara në këtë fazë.

Blerim Devolli kërkon kompensim 13 milionësh për mosvazhdimin e kontratës të Telekomit

Në muajin mars të vitit 2020, biznesmeni Blerim Devolli e ka paditur shtetin në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

“Dardafon.net L.L.C” pronë e Devollit, ka paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për rastin e mosvazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe kompanisë së tyre.

Ky është rasti i dytë që ka shkuar në arbitrazh nga Devolli, i njëjti ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti në shumën 13 milionë euro.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, pati deklaruar se për këtë çështje janë zhvilluar dy procese.

“Kompania ka paditur edhe Telekomin, edhe Republikën e Kosovës pra kanë qenë dy raste, njëra ka qenë Telekomi me kompaninë, dhe tjetra është Republika e Kosovës me kompaninë që pritet të vazhdojë procesi”, thoshte Haxhiu.

Por, ky nuk është rasti i parë që u dërgua në arbitrazh nga Devolli për kontratën me Telekomin. Padia e parë ishte dërguar në vitin 2015.

Çështje e kontestit të parë ishte marrëveshja e lidhur mes “Dardafon” dhe Telekomit në janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra nga sa i ishin ndarë në fillim.

Gjykata e Arbitrazhit në dhjetor të vitit 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të saj, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit. Pas kësaj me Telekomin, u bë padia e dytë ndaj shtetit.

“Mabco” rasti Grand Hotel, kërkon 6 milionë

Në korrik të vitit 2017, kompania e Behgjet Pacollit “Mabco”, me seli në Zvicër, ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, përkundër faktit që për Hotelin Grand, në vitin 2015, kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Të dyja kishin vendosur në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila të kthejë në pronësi të vet Grandin pas problemeve me blerësit.

“Mabco Sontructions” kërkoi kompensim nga Kosova në vlerën monetare 6 milionë euro.

Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar procedurat për zgjedhjen e firmës ligjore ndërkombëtare, në këto procedura është zgjedhur firma ligjore “Wagner Arbitation Part MBB”, Berlin.

Marrëveshja për përfaqësimin e qeverisë së Kosovës, në këtë rast arbitrazhi vendimit, i ka kushtuar 600 mijë euro.

Lidhur me këto raste që ende nuk është marrë epilogu përfundimtar në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë se sipas vlerësimit të tyre Kosova nuk do t’i humbasë por do t’i fitojë këto konteste.

Përveç arbitrazheve janë rreth 35 mijë lëndë, që Avokatura Shtetërore ka mbrojtur institucionet brenda vendit. Nga janari i vitit 2019, vlera e fituar nga ky institucion është rreth 22.4 milionë euro, ndërsa vlera e humbur, rreth 7.2 milionë euro. /Monitor.al/