Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ua ka rikujtuar edhe njëherë tatimpaguesve të saj se brenda institucionit të ATK-së ekziston pozita e Avokatit të tatimpaguesve, i cili mund t’iu ndihmojë atyre në çështjet që ata adresojnë në ATK.
ATK ka bërë me dije se që nga viti 2010 është në dispozicion të tatimpaguesve pozita e Avokatit të Tatimpaguesve, pozitë kjo e cila është krijuar pikërisht për mbrojtjen e të drejtave të tatimpaguesve, apo përfaqësuesve të tyre, përmes shqyrtimit të kërkesave apo ankesave të tyre, duke zbatuar Legjislacionin Tatimor, në mënyrë të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.
Nga ATK-ja gjithashtu thonë se Avokati i Tatimpaguesve trajton çështjet apo problemet e tyre, përmes shërbimeve profesionale, transparente, efektive, si dhe garanton transparencë, përgjegjshmëri dhe integritet nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës për të gjithë tatimpaguesit.
Sipas tyre, shërbimi i Avokatit ofron mundësi shtesë të asistencës, në mënyrë që tatimpaguesit të adresojnë shqetësimet/problemet e tyre, si dhe çështje të tjera, të cilat nuk kanë mundur t’i zgjidhin përmes kanaleve të rregullta brenda ATK-së. “Për më shumë: https://www.atk-ks.org/avokati-i-tatimpaguesve/”, përfundon njoftimi i tyre. /Buletini Ekonomik/









