Fitimi më i madh në historinë e bankave të Kosovës, i shënuar vitin e kaluar, është arritur jo për shkak të rritjes së çmimeve të shërbimeve dhe të interesave në kredi, por për shkak se bankat kanë investuar më shumë se bizneset tjera në teknologjinë e punës, duke ndërtuar platforma elektronike dhe mobile për kryerjen e shërbimeve bankare pa pjesëmarrjen direkte të punonjësve të bankave. Me këtë rast kanë zvogëluar numrin e punonjësve dhe kanë ulur shpenzimet operative si dhe kanë përmirësuar cilësinë e portfoliove kreditore, ka thënë Milazim Abazi, ish-drejtor i Dardania Bank në Tiranë. Sipaj tij, BQK-ja duhet të rrisë edhe më tutje numrin e operatorëve bankar duke joshur bankat më të fuqishme të BE-së dhe SHBA-ve për të aplikuar për licencë bankare në Kosovë.
Mehmet GJATA/ Mirjeta SHABANI
Milazim Abazi, një njohës me përvojë të madhe i zhvillimeve bankare në vend dhe përtej, ish-drejtor i Dardania Bankës në Tiranë, në një intervistë më të gjatë për Buletinin Ekonomik ka shpërfaqur pikëpamjet e tij rreth sistemit bankar në Kosovë, shkaqeve të rritjes së fundit të kamatave nga bankat komerciale të vendit dhe legjitimitetin e ngritjes së normave të interesit, për kompetencat e BQK-së, konkurrencën bankare në Kosovë dhe një varg çështjesh të tjera me interes në këtë veprimtari.
Sipas tij, çmimet e shërbimeve bankare dhe interesat secila bankë i cakton vet. Nëse analizohen këto çmime sipas bankave, pothuajse asnjëra nuk i ka 100% të njëjta. Ato dallojnë nga banka në bankë dhe klientët kanë mundësi t’i zgjedhin bankat me shërbime më të lira. Abazi në këtë intervistë thotë se çmimet e shërbimeve caktohen nëpërmes konkurencës.
“Nëse dëshirojmë çmime më të lira, duhet të rritet konkurenca bankare, që do të thotë BQK-ja duhet të licencojë operatorë bankar të rinj në treg”, ka theksuar ai.
Në vitin e kaluar, bankat në Kosovë kanë treguar fitimin më të madh në histori. Abazi shprehët se kjo është arritur jo për shkak të rritjes së çmimeve të shërbimeve dhe të interesave në kredi, por për shkak se bankat kanë investuar më shumë se bizneset tjera në teknologjinë e punës, duke ndërtuar platforma elektronike dhe mobile për kryerjen e shërbimeve bankare pa pjesëmarrjen direkte të punonjësve të bankave. Me këtë rast kanë zvoglluar numrin e punonjësve dhe kanë ulur shpenzimet operative si dhe kanë përmirësuar cilësinë e portfoliove kreditore. Në përgjithësi, bankat në vitin e kaluar kudo në regjion dhe në Bashkimin Evropian kanë treguar fitime të rritura karshi viteve të mëparme. Bile edhe në Ukrainë dhe në Rusi ku po zhvillohen luftime të ashpra, bankat në vitin 2022 kanë treguar fitime të majme.
Abazi thotë se bankat komerciale duhet të vazhdojnë edhe më fuqishëm të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, të zgjerojnë gamën e produkteve kreditore dhe finaciare, të zgjerojnë llojet e shërbimeve bankare, të zhvillojnë tregun e kapitalit dhe të sillen edhe ma me nikoqirllëk ndaj klientëve. Ndërsa, BQK-, thotë ai, duhet të rrisë edhe më tutje numrin e operatorëve bankarë duke joshur bankat më të fuqishme të BE-së dhe SHBA-ve për të aplikuar për licencë bankare në Kosovë.
Intervistën e plotë me Milazim Abazin, ish-drejtorin e Dardania Bank në Tiranë, mund të lexoni në vazhdim:
Buletini Ekonomik: Si e vlerësoni ju, si njohës i zhvillimeve bankare, ngritjen e normave të interesit nga bankat komerciale të instaluara në Kosovë? A kanë bazë ligjore dhe logjikë afariste këto ngritje, që i bëjnë pa diskutueshëm kamatat më të larta për kredi në rajon dhe përtej?
Milazim Abazi: Normat e interesit në disa kredi në bankat komerciale në Kosovë, kanë filluar të ngriten që nga shtatori i vitit të kaluar. Shkak i rritjes së normave të interest në disa kredi ka qenë rritja e normës mesatare të EURIBORIT. EURIBORI është interesi mesatar që 50 bankat më të mëdha të Bashkimit Evropian përdorin për afatizimet e eurove apo huazimeve në mes vete. Baza ligjore ekziston sepse bankat komerciale në Kosovë kanë zbatuar kontratat e lidhura më herët për secilin klient që kanë pasur interesin e kredisë të lidhur me EURIBOR. Pra, interesi ka lëvizur vetëm tek klientët e bankave që kanë pasë kontrata të tilla.
Buletini Ekonomik: Si është e mundur që klientët e një banke në kryeqytet t’u ngritet brenda 5 muajve 2 herë norma e interest? Më konkretisht, siç raportojnë mediet e Kosovës, një klient më 8 shtator u njoftua që norma e interesit për asetin e financuar me Lizing do t`i ngritet me një përqindje jo të vogël, ose diku te 20 përqindëshi. Ndërkohë, klienti i njëjtë u njoftua po ashtu më 6 shkurt 2023 (saktësisht 5 muaj pas ngritjes së parë të kamatës) se norma e interesit për asetin e financuar me Lizing do t`i ngritet prapë, me arsyetimin e njëjtë?
Milazim Abazi: Kjo ka ndodhur për arsye se shumica e bankave në Kosovë kur interesat e kredive i kanë të kontraktuara me një normë të caktuar të interesit- plus EURIBOR 6 mujor ose 12 mujor. Klientët që kanë patur kredi të lidhura me normën e EURIBOR 6 mujor kanë filluar të paguajnë më tepër interes duke filluar nga muaji shtator 2022. Kjo për arsye se EURIBOR që nga viti 2015 e deri në maj të vitit 2022, ka patur normë negative të interesit, ndërsa nga muaji maj e këtej EURIBOR ka dalë në plus dhe vazhdimisht është rritur. Aktualisht EURIBOR 6 mujor është 2,732%. Klientët e bankave që kanë patur të kontraktuar kredinë ose lizingun me EURIBOR 12 mujor, kanë filluar të paguajnë më tepër duke filluar nga kësti i muajit shkurt 2023. Euribor 12 mujor aktualisht është 3,316%.
Buletini Eknomik: Pse duhet të vlejë tek rritja e këtillë e kamatave kreditore në Kosovë -arsyetimi i bankave se “ndyshimi vjen si pasojë e rritjes së normës së Euribor-it në tregun evropian”, kur dihet se “Euribori paraqet kamatat që bankat e aplikojnë kur iu japin kredi njëra-tjetrës, ndërkohë që bankat komerciale të Kosovës jo vetëm që nuk kanë marrë kredi, por kanë para të depozituara me thasë (mbi 5,3 miliardë depozita të kosovarëve?
Milazim Abazi: Rritja vlenë dhe është plotësisht në harmoni me ligjin për arsye se vet disa klientë të bankave, me rastin e lidhjes së kontratave për kredi, kanë lidhur kontratë ku interesin e kredisë, me vullnetin e vet, e kanë lidhur me normën e EURIBOR. Asnjë klienti që nuk e ka pasë kontratën të lidhur me interesat në EURIBOR nuk iu ka rritur interesi. Bankat janë të kujdesshme në zbatimin e kontratave të lidhura me klientët e tyre dhe në asnjë rast nuk mund të ndodhë që banka të bëjë shkelje të qëllimshme të kontratave.
Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, sa është i qëndrueshëm arsyetimi i ri i bankave kosovare për rritje të kamatave si pasojë e “rritjes së normës së EURIBOR-it në tregun evropian”?
Milazim Abazi: Në këtë rast arsyetimi i bankave është plotësisht i qëndrueshëm sepse bankat nuk po bëjnë asgjë, vetëm po i zbatojnë kontratat e lidhura me klientët. Dhe, kur klienti me vullnet të plotë lidhë një kontratë kredie ai s’ka më pse ankohet kur zbatohet kontrata me përpikëri.
Buletini Ekonomik: Sipas njoftimeve që vijnë nga bankat, rritja e kamatave bankare që u përfol nga ana e BQK-së, nuk do të vlejë vetëm për kreditë e reja, por do të vlejë edhe për kreditë ekzistuese, me ç’rast do të preken edhe të gjitha familjet që tashmë kanë marrë kredi në ndonjërën prej bankave komerciale në Kosovë. A është legjitim ky imponim i subjekteve bankare kosovare dhe si e komentoni ju këtë veprim të bankave?
Milazim Abazi: Rritja e interesave në bazë të rritjes së Euriborit, vlenë vetëm për kreditë ekzistuese, të kontraktuara më herët ku është paraparë një kamatë fikse plus Euribor 6 mujor ose 12 mujor. Lidhur me kreditë e reja, është çështje e kredimarrësve a do të kontraktojnë kredi me interesa fikse apo të lidhura me EURIBOR 6 mujor apo 12 mujor. Nese lidhin kontrata kreditore me një interes të caktuar plus EURIBOR, interesi në kredi mund të ulet ose rritet varësisht nga lëvizja e EURIBOR. Insistimi i bankave komerciale për zbatim të kontratave kreditore, është plotësisht i ligjshëm.
Buletini Ekonomik: Po, çmimet e shërbimeve bankare pse vazhdojnë të jenë ndër më të shtrenjtat në rajon? Pse bankat komerciale më gjithë këtë fitim neto (2022-tën e përmbyllën me 140 milionë neto fitim) në Kosovën me popullsi dominuese të varfër, aplikojnë në vazhdimësi këto çmime me tendenca të vazhdueshme të ngritjes së tyre?
Milazim Abazi: Çmimet e shërbimeve bankare dhe interesat secila bankë i cakton vet. Nëse i analizojmë këto çmime sipas bankave, pothuajse asnjëra nuk i ka 100% të njëjta. Ato dallojnë nga banka në bankë dhe klientët kanë mundësi t’i zgjedhin bankat me shërbime më të lira. Çmimet e shërbimeve caktohen nëpërmes konkurencës. Nëse dëshirojmë çmime më të lira, duhet të rritet konkurenca bankare, që do të thotë BQK duhet të licencojë operatorë bankarë të rinj në treg. Në vitin e kaluar bankat në Kosovë kanë treguar fitimin më të madh në histori. Kjo ka ardhur jo për shkak të rritjes së çmimeve të shërbimeve dhe të interesave në kredi, por për shkak se bankat kanë investuar më shumë se bizneset tjera në teknologjinë e punës, duke ndërtuar platforma elektronike dhe mobile për kryerjen e shërbimeve bankare pa pjesëmarrjen direkte të punonjësve të bankave. Me këtë rast kanë zvogëluar numrin e punonjësve dhe kanë ulur shpenzimet operative si dhe kanë përmirësuar cilësinë e portfoliove kreditore. Bankat në vitin e kaluar kudo në regjion dhe në Bashkimin Evropian kanë treguar fitime të rritura karshi viteve të mëparme. Bile edhe në Ukrainë dhe në Rusi ku po zhvillohen luftime të ashpra, bankat në vitin 2022 kanë treguar fitime të majme.
Buletini Ekonomik: Z. Abazi, si njohës i dëshmuar i zhvillimeve bankare në vend dhe më gjerë, a keni ndonjë shpjegim pse institucionet mikrofinanciare edhe sot 20 e sa vjet pas ardhjes së tyre në Kosovë, aplikojnë norma të interesit përtej fajdes që dënohet edhe ligjërisht edhe moralisht ndër ne? Pse dhe me çfarë të drejte e lejon këtë “fajde legjitime” BQK-ja?
Milazim Abazi: Mikrofinancat apo institucionet jo bankare në Kosovë nuk kanë të drejtë të pranojnë depozita si burimi më i lirë i parave për të dhënë kredi. Ato duhet të marrin kredi apo hua dikund tjetër me interesa më të larta se kursimet e qytetarëve dhe kreditë që marrin bankat. Kjo është arsye e parë. Arsye e dytë është se institucionet mikrofinanciare japin kredi me procedura të shpejta dhe pa i plotësuar të gjitha kushtet që i kërkojnë bankat komerciale. Dhe, arsye e tretë është se kreditë që japin mikrofinancat janë kredi të vogla që si të tilla edhe shpenzimet e përpunimit dhe administrimit të tyre janë më të mëdha. Sidoqoftë, kur interesat e tyre shkojnë më lartë se e pranueshmja, BQK ka të drejtë të intervenojë dhe ka intervenuar në së paku dy raste.
Buletini Ekonomik: Në gjithë këto tendenca të bankave komerciale që afarojnë në Kosovë, për t’u pasuruar edhe tani, në këto rrethana krizash, pa zgjedhur mjetet dhe pa “fer-play-in” e domosdoshëm edhe në “lojërat” afariste dhe biznesore, pse nuk ndihet thuaja fare BQK-ja? Dhe në këtë rast, heshtja e BQK-së a përkthehet si përkahje ndaj bankave, që me çdo kusht duan të fitojnë para më shumë, duke mbajtur nivele të larta interesash mbi çdo parashikim dhe duke ngritur çmimin e shërbimeve në stratosferë, përtej çdo parashikimi dhe krahasimi me të tjerët?
Milazim Abazi: BQK ka kompetenca tejet të kufizuara në përcaktimin e çmimeve të shërbimeve dhe interesave në kredi të bankave komerciale. Ajo mund të veprojë kundër një ankese të klientëve të bankave, kur ndonjë bankë komerciale shkel kontratën apo shkel licencën, por jo të intervenojë për një çmim shërbimi apo një interesi të kontraktuar. BQK ka të drejtën e rregullimit të parimeve të përgjithshme të bankingut komercial dhe të parimeve të politikës monetare dhe kreditore. Këto fusha i rregullon me disa çelësa siç janë: mjaftueshmëria e kapitalit kundrejt kredive dhe kundrejt aktives totale, depozitave të obligueshme pranë saj si dhe përqindjen e shfrytëzimit të depozitave totale në kredi si dhe në ruajtjen e likuiditetit dhe sigurimit të depozitave.
Buletini Ekonomik: Ose, pse vazhdon të mungojë prore ndërhyrja e BQK-së, si rregullator, për të mos lejuar keqpërdorime të situatatave nga bankat komerciale në Kosovë, kur dihet se çfarë favoresh u ka ofruar Kosova këtyre bankave që nga themelimi dhe instalimi në këtë vend?
Milazim Abazi: BQK vepron konform Ligjit mbi BQK-në dhe Ligjit mbi bankat. Ndërhyrjet e saj janë vetëm parimore dhe në rastet e ankesave të qytetarëve, mund t’i thërras bankat në përgjegjësi.
Buletini Ekonomik: Në fund fare, çka do të sugjeronit ju, duke u mbështetur në eksperiencën e juaj të gjatë bankare, ndaj këtyre zhvillimeve bankare te ne? Cili do të ishte mesazhi juaj për bankat komerciale dhe institucionet mikrofinanciare që veprojnë aktualisht në Kosovë me shumë favore, por edhe për BQK-në, që ka “futur veshët në lesh” dhe as që dëgjon për ankesat e shumta të klientelës së panumërt bankare në Kosovë?
Milazim Abazi: Mesazhi im për bankat komerciale është që të vazhdojnë edhe më fuqishëm të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, të zgjerojnë gamën e produkteve kreditore dhe finaciare, të zgjerojnë llojet e shërbimeve bankare, të zhvillojnë tregun e kapitalit dhe të sillen edhe ma me nikoqirllëk ndaj klientëve. Për BQK-në do ta këshilloja që të rrisë edhe më tutje numrin e operatorëve bankarë duke joshur bankat më të fuqishme të BE-së dhe SHBA-ve për të aplikuar për licencë bankare në Kosovë. /Buletini Ekonomik/