Çmimet e ngritura përditë, zhvlerësojnë parashikimet optimiste për ulje të inflacionit në këtë vit

Edhe këtyre ditëve ka vazhduar të ketë ngritje të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës, pra të produkteve elementare ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Sipas të dhënave më të fundit të ASK-së, ka pasur rritje të çmimit të orizit, kafes dhe qumështit e ajkës. Me këto ngritje çmimesh po zhvlerësohen padyshim edhe parashikimet optimiste nga persona kompetentë dhe profesionistë se gjatë 2023-tës do të ketë goxha ulje të shkallës së inflacionit në vendin tonë.

Buletini Ekonomik

Çmimet në Kosovë nuk po ndalen së ngrituri, përkundrazi ato po rriten për çdo ditë edhe në këtë fillimvit. Qëkur ka nis 2023-ta, që në ditët e para të këtij viti, praktikisht për ditë kanë ndodhur çmime të reja të ngritura. Që nga e hëna, 2 janar 2023, qytetarët e Kosovës u përballen me çmime të reja të ngritura befasisht në ditën e parë pas festës, të një numri produktesh elementare ushqimore, e sidomos të disa produkteve që lëndë të parë kanë qumështin. Dhe ky trend i shpërthimit të egër të çmimeve ka vazhduar deri më sot, kur temperaturat ekstreme të ftohta për sivjet përfshinë edhe vendin tonë dhe kur ky i ftohtë, sa çel e mbyllë sytë, u mor si pretekst për të ngritur çmimin edhe të shumë produkteve bujqësore, duke çuar kostot e tyre, deri këtyre ditëve goxha stabile, në nivele stratosferike.

Reklama e sponzorizuar

Edhe këtyre ditëve ka vazhduar të ketë ngritje të çmimeve të shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës, pra të produkteve elementare ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Sipas të dhënave më të fundit të ASK-së, gjatë këtyre ditëve ka pasur rritje të çmimit të orizit, kafes dhe qumështit e ajkës. Para dy ditësh çmimi i orizit ishte 1 euro e 24 centë, ndërsa sipas ASK-së, dje ai është tregtuar për 1 euro e 33 centë. Në këtë listë të rritjes është ngritur edhe çmimi i qumështit nga 1 euro e 19 centë, në 1 euro e 24 centë, ndërsa çmimi i ajkës ka shkuar në 1 euro e 55 centë, nga 1 euro e 49 centë sa ishte para dy ditësh.

Ndërkohë që çmimi i kafes është histori në vete, meqenëse nuk kalon ditë pa u ngritur. Më të larta po shënohen këtyre ditëve edhe çmimet e higjienës. Çmimi i detergjentit për enë, bie fjala, është rritur në 2 euro e 31 centë nga 2 euro e 14 centë. Edhe çmimet e të të gjitha llojeve të sapunit janë dukshëm më të larta. Trafiku urban i Prishtinës ka ngritur ditë më parë çmimin e biletës nga 40 në 50 centë. Dhe këtë ngritje, që i bie të jetë rreth 25 për qind, sado që dëgjohen arsytetimet se është ngritur vetëm 10 centë bileta, Trafiku Urban e bëri në kohën kur nuk kishte asnjë pretekst për ta bërë këtë. Nuk kishte ngritje çmimi të karburanteve ato ditë që u ngrit çmimi i biletës në Urbanin e kryeqytetit.

Ecuritë e çmimeve në Kosovë po i karakterizon edhe këtyre ditëve anarkia dhe kaosi. Tregtarët e pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm të Kosovës, po ngarendin të shfrytëzojnë situatën, përqendrimin shtetëror në gjendjen politike dhe mosangazhimin total të autoriteteve në krye të shumë dikastereve kompetente, si pasojë e moskontrollit fare të tyre, për të parandaluar, ose së paku për të kontrolluar shfrenimin e egër të çmimeve të të gjitha produkteve.

Në Kosovë, pra po ndodhë edhe e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nisë trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit. Po ndodhë edhe e kundërta e pritjeve të shumë ekonomistëve ndërkombëtarë, të cituar nga media ndërkombëtare, e që pritnin që inflacioni në botë, e sidomos në Eurozonë të bjerë në vitin 2023.

Të dhënat e Komisionit Europian treguan këto ditë se kishte pasur më shumë optimizëm në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe një rënie të mprehtë të pritjeve për inflacionin në dhjetor, shkruan The Guardian. Indeksi mujor i sentimentit ekonomik të Komisionit u rrit në 95.8 në dhjetor nga 94.0 në nëntor, lëvizja e parë në rritje pas një rrëshqitjeje nga niveli rekord prej 114.0 në shkurt, muaji kur Rusia pushtoi Ukrainën. Konsumatorët, shitësit me pakicë dhe industria e ndërtimit në disa vende të Eurozonës, siç transmetojnë mediet botërore, ishin gjithashtu më optimistë, duke sinjalizuar se ngadalësimi i pritshëm ekonomik në tre muajt e fundit të 2022-ës dhe tre muajt e parë të 2023-ës ka të ngjarë të jetë i ulët.

Gjithsesi me këtë ngarendje për ngritje çmimesh po zhvlerësohen padyshim edhe parashikimet trimëruese nga persona kompetentë dhe profesionistë se gjatë 2023-tës do të ketë goxha ulje të shkallës së inflacionit në vendin tonë.

Siç dihet, ndër të parët që bëri parashikimin për rënie të inflacionit në këtë vit ishte Banka Qendrore e Kosovës, nëpërmjet prononcimeve të kreut të saj.

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor të rritjes ekonomike në vend”, kishte thënë guvernatori i këtij institucioni, Fehmi Mehmeti, në dy tre raste, qoftë në intervista për medie, qoftë në takime të ndryshme profesionistësh.

Mirëpo, në kontradiktë të madhe me këto parashikime optimiste, vazhdon të bëhet në lëvizjet e çmimeve të shumë mallrave në Kosovë, e sidomos të produkteve elementrae ushqimore, të shportës pra, të cilat edhe të pangritura tashmë ishin të larta dhe përtej fuqisë blerëse të kosovarëve të varfër. Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale.

Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë masat e qeverisë të bëra publike gjatë tërë vitit 2022 dhe fillimvitit të sivjetshëm për frenimin e shpërthimit të egër të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Ndërsa, nëse është fakt se në inflacionin e ngritur në shifra dyshifrore, ose ndër më të lartit deri tani në vitet e pasluftës në Kosovë (sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vendi e përmbylli vitin me normë mesatare të inflacionit afro 12 për qind), ndikimin kryesor e ka ngritja e vazhdueshme e çmimeve të shumë mallrave, siç është rasti te ne, dhe nëse vazhdon kjo ngritje çmimesh me vrullin e nisur që në ditët e para të janarit të 2023, del të jenë të diskutueshme dhe të pa realizueshme parashikimet optimiste të sipërshënuara. Dhe, nëse vazhdon kështu si ka nisur në janar dhe shkurt ngritja anarkike, pa asnjë logjikë të tregut e çmimeve, që nga tani shtrohet dilema e madhe se si do të ketë ulje të inflacionit në këtë vit. Nuk ka asnjë mundësi që të bëhet ulja e inflacionit duke u ngritur çmimet e shumë produkteve të përditshme dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejtë te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumicës së kosovarëve të varfër.

Por, edhe në këta maujt e parë të 2023-tës, kur u pa dhe u prek lëvizja e madhe e çmimeve në tregun kosovar, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht u treguan të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme për çmime të rritura, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore e as morale. Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara, e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike tash e sa kohë dhe shumë herë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.

Tani po del të jetë vetëm një tekst pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra edhe Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, i miratuar në muajt e fundit të 2022-tës. Siç dihet, në këtë dokument thuhej se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Përveç kësaj, Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues.

Mirëpo, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore, asnjë kërkesë dhe synim i dokumenteve zyrtare nuk është përmbushur. Thjesht, si me to si pa to, tregtarët, ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve ngritën çmimet jo pak, duke e ngritur goxha shumë edhe marzhën e fitimit. Në këtë mënyrë, çmimet vetëm sa vazhduan të ngriten me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura nga tregtarët manipulues dhe kepërdorues të situatave. Ndërkohë me këtë luhatje çmimesh vështirë se do të përmbushën parashikimet për ulje inflacioni sivjet, por as për objektivat e zhvillimit ekonomik të Kosovës, të parapara të jenë ndërmjet 3 dhe 4 për qind./Buletini Ekonomik/