Kompania energjetike KEDS po kërkon rishqyrtim të tarifave të energjisë elektrike. Kjo pasi thonë të jenë plotësuar parakushtet ligjore për proces.
Margarita Rashiti, zëdhënëse e KEDS-s i ka thënë Gazetës Express që kanë dorëzuar kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE).
“Janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor. Ne e kemi bërë kërkesën në ZRrE, por per detaje drejtojuni kësaj të fundit“.
Gazeta Express ka kontaktuar me zyrën për media të ZrrE-së të cilët e konfirmuan se deri më 3 mars mund të dorëzohen komente për këtë çështje.
E pas kësaj date fillon shqyrtimi i jashtëzakonshëm i ndryshimit tarifor.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është në procesin e Shqyrtimit Periodik për Periudhën e Tretë Rregullative, e cila përfshinë përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) nga data 1 prill 2023 deri 31 mars 2028. Shqyrtimi Periodik do të përcaktojë të Hyrat e Lejuara Maksimale për Operatorin e Sistemit, të Transmisionit dhe Tregut (OST/OT-KOSTT sh.a) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH-KEDS sh.a). Po ashtu ZRRE është në procesin e Përshtatjes së Rregullt të të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU). Gjatë këtij shqyrtimi ZRRE ka trajtuar edhe kërkesat nga palët për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm, ndikimi i të cilave do të merret për bazë gjatë këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.
Ndryshimi i tarifave mund të rezultojë në rritje të çmimeve të energjisë elektrike, rast konkret ishte fillimi i vitit 2022.
Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, ka deklaruar se ndryshimi i tarifave nuk nënkupton edhe domosdoshmërisht ngritjen e çmimit të rrymës.
“Mesazhi që doli është se paralajmërohet shtrenjtimi i energjisë elektrike. Nga perspektiva juaj, në këtë fazë çka ju po shqyrtoni është rritja e kostos operative, e cila jodomosdoshmërisht mund të përkthehet në shtrenjtim të energjisë në rast se ka subvencione”, ka deklaruar Armend Muja, më 7 shkurt.
Kosova gjatë viteve të fundit është përballuar me krizë energjetike, ajo është zgjeruar duke e pasur për bazë edhe gjendjen energjetike në nivel global.
Dimrit e vitit 2022 kishte mungesë të theksuar të energjisë rrjedhimisht edhe reduktime, ZRrE i kishte ndryshuar tarifat duke i shtrenjtuar faturat për ata që shpenzojnë mbi 800 kËh.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte ankuar në instanca gjyqësore për ta anuluar atë vendim.
Opozita kishte kundërshtuar ashpër edhe në Kuvend, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thoshte se kjo është çështje e tregjeve ndërkombëtare.
Kosova mund të jetë e varur nga tregjet ndërkombëtare, megjithatë energjia është siguri kombëtare – kjo siguri herë pas here luhatet.