Si do të funksionojë bursa energjetike mes Kosovës e Shqipërisë?

Fotografi ilustruese

ERE vendos për krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Bordi i ERE-së, si pjesë e krijimit të kësaj burse, ka miratuar rregullat e tregtimit të energjisë elektrike, si dhe procedura e klerimit dhe të shlyerjes.

Me fillimin e operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX sh.a.), në fazën go-live, rregullat e përkohshme të tregut shqiptar të energjisë elektrike, shfuqizohen.

Vendimi, i cili tashmë ka marrë formë zyrtare, përcakton se çdo palë e përfshirë në këtë procedurë mund t’i kërkojë ERE-s, brenda 7 ditëve kalendarike nga data e marrjes së vendimit, rishikimin e vendimit të Bordit, në rast se ka siguruar prova të reja që mund ta çojnë Bordin në marrjen e një vendimi të ndryshëm nga i mëparshmi apo për gabime materiale të konstatuara.

Reklama e sponzorizuar

Si u krijua Bursa Shqiptare e Energjisë

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX sh.a.) u krijua si një shoqëri aksionare, në bashkëpronësi të Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit të Shqipërisë (OST) dhe Kosovës (KOSTT).

Në qershor 2018, operatorët e sistemeve të transmetimit OST, KOSTT, enteve rregullatore ERE dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit mbi njohjen reciproke të licencave për veprimtarinë e tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike ndërmjet autoriteteve kombëtare rregullatore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Në linjë me Memorandumin e Mirëkuptimit të ËB6, në datën 21 tetor 2021, Enti Rregullator i Energjisë (ERE), Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), së bashku me operatorët të sistemit, transmetimit të Shqipërisë (OST) dhe të Kosovës (KOSTT), me mbështetjen e USAID-it, kanë nënshkruar “Marrëveshjen kuadër” (kornizë) për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike të Shqipërisë dhe Kosovës, të nevojshme për operimin e bashkimit të tregut të ditës në avancë dhe atë brenda së njëjtës ditë, shkruan rtsh.al.

Ofruesi i Shërbimit për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX sh.a.), i përzgjedhur në fund të vitit 2021 është bashkimi i operatorëve të udhëhequr nga Bursa e Athinës “Hellenic Exchanges – Athens Stock Exchange E s.a.”, grupi i bursës së energjisë elektrike të Greqisë me dy kompanitë e saj “Hellenic Energy Exchange s.a.” dhe “Enex Clearing House s.a.”, subjekte të cilat operojnë në tregun evropian të energjisë.

Modelet

Modelet e tregut në të dyja vendet parashikojnë që nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX sh.a.), të zbatohet modeli i synuar evropian i tregut, për tregjet e ditës në avancë (DAM) dhe brenda ditës (IDM).

Aktualisht operimi i tregut të energjisë elektrike realizohet nëpërmjet Rregullave të Përkohshme të Tregut Shqiptare të Energjisë Elektrike. Këto rregulla në vetvete, që në momentin e miratimit janë konceptuar si të përkohshme dhe nuk paraqesin stadin aktual të zhvillimit të tregut.

Me fillimin e operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX sh.a.) dhe kalimin në go-live, shfuqizohen, gjithashtu, edhe Rregullat e Përkohshme të Tregut Shqiptar të Energjisë Elektrike.

Nëse gjatë periudhës dry-run do të vlerësohet e nevojshme nga ana e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX sh.a.) ose OST sh.a., për të bërë ndryshime apo përshtatje të elementeve që lidhen me vendimin sipërcituar, ato duhet të adresohen në ERE për vlerësimet përkatëse. rtsh.al