Të lënë anash dhe të përbuzur: Rrëfimi për gjendjen e punëtorëve të mirëmbajtjes e sigurimit fizik

Punëtorët në sektorin e pastrimit dhe atij të sigurimit fizik, vazhdojnë të jenë të paguar keq e me kushte të mjera të punës. Rrëfimet e tyre shpërfaqin një realitet të hidhur të pabarazisë dhe neglizhencës nga institucionet që do të duhej t’i mbronin këto dy kategori të punëtorëve.

Agon Sinanaj

Në një zyre të vogël në bodrum të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, Hysni Gashi çdo ditë e kryen punën e sindikalistit dhe mirëmbajtësit në të njëjtën kohë.

Reklama e sponzorizuar

Mbi tavolinën e zyrës ndodhet një grumbull me shkresa, të cilat janë kryesisht kërkesa për rritje të pagave për 120 punëtorët që kujdesen për pastrimin e hapësirave universitare.

Ai është në krye të Sindikatës së Punëtorëve Teknik të Universitetit të Prishtinës (UP), prej kur ekziston kjo sindikatë nga viti 2010.

“Në vitin 2008 jam punësuar si mirëmbajtës në UP, por pas dy vitesh pasi i pashë kushtet e punës inicova krijimin e sindikatës për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve”, thotë ai, teksa numëron shkresat e panumërta me të cilat i është drejtuar Rektoratit ndër vite për përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët teknikë.

Ideja për sindikatën sipas tij, erdhi për shkak se kompania që e kishte fituar tenderin aso kohe, filloi duke i detyruar punëtorët të punojnë edhe jashtë hapësirave universitare me të njëjtën pagë.

“Shkresat për rritje page i dërgoj gati se kot, përgjigjet çdo herë janë të njëjta, negative”, shprehet Gashi.

Në vitin 2008, kur Gashi ishte punësuar si mirëmbajtës në UP, paga e punëtorëve kishte qenë 160 euro. Sot, falë angazhimit të sindikatës, paga ka arritur 258 euro neto. Ky nivel i pagës do të mbetet së paku deri në 2024-tën, atëherë kur përfundon edhe kohëzgjatja e tenderit.

“Kur jemi paguar direkt prej rektoratit, ne si punëtorë i kemi gëzuar edhe disa privilegje që kanë vlejtë për të gjithë stafin e UP-së. Kur erdhi kompania private, përveç rrogës, privilegjet morën fund”, thotë Gashi.

Foto – Buletini Ekonomik

Institucionet publike kryesisht kontraktojnë kompani për pastrim dhe mirëmbajtje të zyreve. Mirëpo, kjo ka bërë që pagat të mbesin të ulëta, meqë institucionet e hedhin fajin tek kompania, kurse kompania tek institucioni përkatës.

Ta zëmë, në UP shërbimi i pastrimit dhe mirëmbajtjes është privatizuar në vitin 2008 dhe prej atëherë nuk ka pasur asnjë stimulim për punëtorët.

“E kujtoj vetëm një rast, u pata shpërblyer me 20 euro si punëtorja më e mirë”, ndërhyn në bisedë njëra nga punëtorët prezente gjatë intervistës.

Në përgjithësi, gjendja ekonomike e 120 punëtorëve që mirëmbajnë ndërtesat e universitetit, është mjaft e rëndë, sikurse e të gjithë punëtorëve të sektorit të pastrimit gjithandej vendit.

Ndërkohë që pabarazia është e dukshme në hapësirat që mirëmbahen nga Hysni Gashi me kolegë. Ndër vite është raportuar se si profesorë në UP me shtesat e tyre arrijnë të kenë mbi 3,000 euro pagë në raste, e mbase edhe më shumë, por mirëmbajtësit vazhdojnë të punojnë me paga që mezi u sigurojnë mbijetesën atyre.

Ky sektor dhe ai i sigurimit fizik për momentin janë dy sektorët me pagat më të ulëta në Kosovë, e konfirmon edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, në një intervistë për Buletinin Ekonomik.

Të paguar keq, në raste të caktuara pa kontrata dhe shumë herë edhe të bullizuar për punën që bëjnë.

Gashi teksa përshkruan gjendjen e punëtorëve, thotë se shpëtimin një pjesë e punëtorëve shpesh e gjejnë tek marrja e kredive në banka.

“Veq shpenzimet për rrymë e këto shkojnë 100 euro. Me 180 euro çka me bo, a me i shkollu fëmijet a çka me bo përpara”.

E rritja e fundit e çmimeve e ka rritur shumë paqëndrueshmërinë financiare tek kolegët e Gashit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor në Kosovë aktualisht është mbi 12 për qind, ndërsa një raport i Bankës Botërore e nxjerr Kosovën me normë vjetore të inflacionit në produktet ushqimore prej 17.5 për qind.

Si pasojë, Gashi thotë se edhe shporta e ushqimit në familjen e tij është varfëruar.

“Nuk e kam menduar se do të vije ndonjëherë dita që do të me duhet të zgjedh a të blej sheqer apo vezë. Të dyjat është e pamundur me këtë pagë.”

 

“Punëtorët që ia pastrojnë zyrën Kryeministrit paguhen 180 euro”

Mirëpo, brenda këtij sektori punohet në kushte edhe më të rënda se kaq.

Ndryshe nga Universiteti, punëtorët që mirëmbajnë dhe pastrojnë ndërtesën shumëkatëshe të Qeverisë së Kosovës, nuk e kanë pasur fatin të kenë një sindikatë të tyre që do të bënte presion sindikal për kushte më të mira. Ndoshta për këtë arsye kushtet e punëtorëve këtu janë edhe më të rënda.

Foto – Buletini Ekonomik

Vetëm dymbëdhjetë punëtorë pastrojnë 15 katet e ndërtesës së Qeverisë me një pagë prej vetëm 185 euro neto në muaj, përkundër faktit se bëhet fjalë për të njëjtën kompani që e ka fituar tenderin edhe në Universitet.

“Paga nuk mjafton për asgjë, po s’po kemi qare pa punu diçka”, thotë V.M në kushte anonimiteti për Buletinin Ekonomik.

Ajo thotë se 2 kate komplet janë përgjegjësi e saj çdo ditë për pastrim.

“Është punë shumë e vështirë se jemi pak veta,” ankohet për mbingarkesën në punë.

Jeton Leku, menaxher në Schafberger, kompania që e ka fituar tenderin për mirëmbajten e ndërtesës së Qeverisë e pranon se numri i punëtorëve është tejet i vogël për t’i mbuluar të gjitha hapësirat në ndërtesën e Qeverisë, mirëpo, sipas tij, “këto janë mundësitë”.

E sa i përket pagave, Leku fajin e ka hedhur tek kushtet me të cilat është shpallur tenderi.

“E pranoj është pagë shumë e vogël por problemi është se disa institucione e qesin si kriter në tender pagën e punëtorëve, ndërsa në rastin e Qeverisë kur kam apliku, ky kriter nuk ka qenë,” thotë Leku për Buletinin Ekonomik.

“Dhe të gjithë që kanë aplikuar në tender këqyrin me vendos çmimin sa më të ulët për me e fitu tenderin. Këtë e kam bërë edhe unë. Dhe tash kanë mbetur këto paga”, shton më tutje ai.

Buletini Ekonomik i është drejtuar me pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit për të kuptuar se pse nuk ka qenë paga e punëtorëve njëri nga kriteret në tender. Në përgjigjen e këtij institucioni thuhet se përgjegjësia për shpalljen e tenderit ka qenë e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ndërsa nga kjo e fundit thonë se janë respektuar të gjitha procedurat e prokurimit publik.

Sa i përket vendosjes se kriterit për pagat e punëtorëve, në përgjigjet e MPB-së thuhet se kjo nuk lejohet me legjislacionin në fuqi.

“Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës me rastin e publikimit të tenderit për këtë shërbim, nuk është e lejuar që të caktohet dhe të kërkohet paga e punëtorëve sepse Paga minimale për punëtorë caktohet me ligjet tjera në fuqi në Republikën e Kosovës”, thonë nga MPB.

Edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, konfirmon se ka pasur ankesa në sindikatë nga punëtorët që pastrojnë në Qeveri.

“Vetë fakti që një punëtore e pastrimit zyrën e kryeministrit e pastron për 1 muaj ditë rregullisht dhe në fund i merr 180 euro, do të thotë kjo nuk do koment”, ka thënë Azemi, derisa shton se ka pasur një takim me drejtuesit e kompanisë për këtë çështje.

“Kompania thotë më është imponuar. Paraprakisht, qeveria ose ministria që ka nënshkruar kontratën me të, i ka thënë për pagën e punëtorit kjo duhet të jetë paga.”

 

Orë shtesë të papaguara e me paga nën pagën minimale 

Aktualisht paga minimale në Kosovë është 170 euro për personat mbi 35 vjeç dhe 130 euro për personat nën moshën 35 vjeçare. Propozimi i qeverisë që paga minimale të rritet në 264 euro bruto, ende nuk ka kaluar në lexim të dytë në Kuvend për të hyrë në fuqi.

Propozimi i qeverisë që paga minimale të rritet në 264 euro bruto, i cili është i përfshirë dhe në Programin e Qeveritar 2021-2025, afekton rreth 30% të tregut të punës apo rreth 105 mijë punonjës kosovarë.

Sipas një raporti të Institutit GAP, mbi një e pesta e të punësuarve në Kosovë aktualisht marrin paga mes 170 dhe 264 euro bruto.

Mirëpo deri atëherë, Azemi thotë se shumë punëtorë në sektorin e sigurimit fizik do të paguhen edhe nën pagën minimale prej 170 euro. Raste të tilla, në zyrën e tij tashmë veç janë lajmëruar.

“Kemi raste të sigurimit fizik, ku një punëtor i sigurimit fizik, i pensionuar, merr 130 euro pagë brenda muajit. Ky punëtor është sigurim në EULEX. Është i njoftuar edhe EULEX-i, e edhe kompania, nga ana jonë”, thotë Azemi.

Foto – Buletini Ekonomik

Te punëtorët e sigurimit fizik, Azemi thotë se një pjesë bukur e madhe e tyre janë të palicencuar dhe po ashtu është një numër shumë i madh i tyre që kanë kaluar në pension dhe punojnë akoma.

Ankesa e tyre kryesore është puna jashtë orarit por që nuk paguhet, ani pse parashihet me Ligjin e Punës.

“Mesatarisht një punëtor i sigurimit fizik punon 250 orë në muaj. Nganjëherë shkon edhe 290 orë në muaj. Dje kam pasur këtu në zyrë një punëtor që ka punu 2 ditë pa ndërprerë. Punëtorët e sigurimit fizik janë duke u keqpërdorur keq”, thotë Azemi.

Mungesa e inspektimeve dhe inspektorëve

Gjatë vitit 2022, Inspektorati i Punës ka zhvilluar 6 mijë e 32 inspektime në gjithë Kosovën, mirëpo Hekuran Nikçi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, nuk ka qenë në gjendje të tregojë nëse janë inspektuar ndonjëherë këto institucione.

Ai ka thënë se mundësitë ende mbesin të vogla, për shkak të numrit tejet të vogël të inspektorëve.

Nikçi është emëruar në këtë pozitë në qershor të vitit 2022, por prej atëherë institucioni që ai drejton, ka arritur të rekrutojë vetëm 6 inspektorë të rinj.

“Arritëm me i rekrutu vetëm 6 inspektorë prej 27 sa deshëm.”

Me legjislacionin aktual, Inspektorati mund të shpallë konkurs vetëm brenda punëtorëve që punojnë në shërbimin civil. Por, interesimi është tejet i vogël.

Ligji i ri për Zyrtarët Publik që përfundoi në Kushtetuese, e lejon që të hapet konkurs për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Për vitin 2023, 100 inspektorë i kemi të paraparë për rekrutim. Por, brenda shërbimit civil është problem”, sqaron Nikçi.

E Qeveria kishte paraparë pesëfishimin e numrit të inspektorëve. E tashmë në gjysmën e mandatit të Qeverisë Kurti, edhe punësimi i gjysmës së premtuar nga Qeveria Kurti duket të jetë një sfidë në vete.

E derisa burokracitë ekzistuese për rekrutimin e inspektorëve vazhdojnë pafund, punëtorët si Gashi do të mbeten të vetëm në luftën e tyre për më shumë të drejta e për kushte më të mira në punën e tyre.

Thirrja e Gashit, e mbushur me mllef gjatë intervistës, më së miri tregon ndjenjën e pabarazisë dhe përbuzjes së shtetit ndaj punëtorëve që punojnë në sektorin e mirëmbajtjes.

“Edhe na jemi njerëz, pse me u nda na nga shoqëria, nga shteti? Pse? A veç pse ta heki bërllogun a?”.

(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)