Bursat europiane i janë rikthyer fitimeve në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin takimin e Rezervës Federale, në mbrëmjen e sotme. Gjithashtu, të enjten do të marrin vendimet e tyre mbi politikat monetare edhe Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Anglisë.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 0.25%, ndërsa gjatë janarit ky indeks fitoi rreth 6.7% të vlerës. Investitorët presin gjerësisht se Rezerva Federale do të rrisë normën bazë të interesit me 25 pikë bazë, por do të monitorojnë komentet e shefit të bankës qendrore, Jerome Powell mbi gjendjen e ekonomisë.
Edhe shumica e tregjeve aziatike patën një tendencë në rritje. Muaji i parë i vitit 2023 ka qenë pozitiv për tregjet e aksioneve, për shkak të largimit të shqetësimeve se ekonomia mund të shkojë drejt recesionit. Investitorët do të jenë të fokusuar edhe te fitimet tremujore të korporatave./Scan tv/