ATK me njoftim të rëndësishëm për tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) përmes një njoftimi publik u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve në vend se mbajtja e tatimit në burim është detyrim ligjor.

Sipas ATK-së, të gjithë personat fizikë afarist dhe personat juridikë janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim për pagesat që i bëjnë për: paga dhe pensione, interes, të drejta pronësore, qira, kategori të veçanta dhe për pagesa të caktuara për jo rezidentë, ashtu siç është përcaktuar në legjislacionin tatimor.

“Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk janë duke përmbushur këtë detyrim ligjor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Reklama e sponzorizuar

Për personat fizikë afarist dhe personat juridikë, të cilët nuk mbajnë tatimin në burim, nga ATK-ja thonë se do të aplikohen ndëshkime administrative, ashtu siç është e përcaktuar me legjislacionin tatimor.

Me këtë rast, ATK u bënë thirrje të gjithë personave që të mbajnë tatimin në burim për pagesat që i bëjnë apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore. Pagesa e tatimit, siguron qëndrueshmëri të ekonomisë në vend”, përfundon njoftimi. /Buletini Ekonomik/