Bankat, blerësit kryesorë të obligacioneve të Eurozonës

Bankat po bëhen blerësit kryesorë të shitjes së obligacioneve të disa qeverive të Eurozonës, duke përfituar nga rritja e normave të interesit, ndërsa Banka Qendrore Europiane (European Central Bank, ECB), synon të reduktojë praninë e saj në treg.

Qeveritë e Eurozonës kanë nevojë për blerës privatë, për të marrë rreth 400 miliardë euro shtesë borxhi këtë vit.

Reklama e sponzorizuar

Nevojat për financim mbeten të larta, për shkak të goditjes energjetike që pasoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ndërkohë që ECB, një blerës i madh në vitet e fundit, së shpejti do të fillojë të reduktojë obligacionet dhe bonot në bilancin e saj prej 8 trilion euro, ndërsa shtrëngon politikën monetare për të frenuar inflacionin.

Blerja e madhe e bankës qendrore e kishte ruajtur një nivel të ulët të kostos së huamarrjes dhe paqëndrueshmërisë për vite me radhë, kështu që pyetja kryesore tani është se kush do të jetë blerësi ndërkohë që ECB tërhiqet.

Sipas të dhënave nga agjencitë e borxhit dhe IFR e Refinitiv, shitja e obligacioneve drejtpërsëdrejti tek investitorët nga sindikatat e bankave deri më tani, tregon se thesaret e bankave blejnë një pjesë shumë më të madhe të borxhit të disa vendeve, pasi rritja e normave të interesit i drejton blerësit të obligacionet qeveritare.

“Në shumë transaksione, ata janë blerësit më të mëdhenj,” tha Pierre Blandin, kreu botëror i tregjeve të kapitalit të borxhit sovran dhe të tregjeve të kapitalit në Credit Agricole CIB, i cili ka ndërmjetësuar shumë nga marrëveshjet e këtij viti.

Zyrtarët e financimit thanë se thesaret e bankave zakonisht blejnë obligacione me maturim deri në 10 vjet, por tani, kërkesa është e tillë që ata janë bërë investitorët kryesorë në borxhe edhe më afatgjata.

Ata ishin blerësit kryesorë në shitjen e borxhit të Bashkimit Europian këtë muaj, duke blerë pothuajse 50% të një obligacioni shtatëvjeçar dhe 35% të një obligacioni 20-vjeçar.

Shtatorin e kaluar, ata blenë 26% të një obligacioni pesë-vjeçar dhe 21% të një obligacioni 30-vjeçar, shumë prapa menaxherëve të fondeve, të cilët renditen në vendin e dytë.

Bankat morën gjithashtu 39% të shitjes së borxhit italian 20-vjeçar në janar, ndërsa menaxherët e fondeve morën 25%. Në një shitje borxhi 16-vjeçar vitin e kaluar, bankat blenë 29%.

“Kërkesa nga thesaret e bankave në marrëveshje është në fakt edhe më e fortë se ajo që shihet në statistika, pasi atyre në përgjithësi u jepet ndahet një pjesë më e vogël e sasisë që ato kërkojnë fillimisht, krahasuar me investitorëve të tjerë”, tha drejtori i agjencisë së borxhit të Belgjikës, Maric Post.

Bankat blenë 30% të një obligacioni belg 30-vjeçar në shkurt, kundrejt 10% një vit më parë.

Të dhënat nuk japin një ndarje se cilat banka janë të përfshira, por bankat priren të blejnë borxhin e qeverisë së vendit të tyre.

Grupi i obligacioneve qeveritare të eurozonës me rendiment negativ, i cili qëndronte në pothuajse 50% të tregut në janar 2022, është zhdukur ndërsa normat rriten ndjeshëm.

Në të gjithë Europën, yield-et e obligacioneve janë në nivelet më të larta në vite.

Amortizimi

Bankat duhet të mbajnë një sasi të caktuar të aktiveve likuide të cilësisë së lartë, parave cash dhe obligacioneve qeveritare, si një amortizues likuiditeti, për arsye rregullatore.

Ndërsa yield-et e obligacioneve rriten në raport me normat e kontratave swap, është me interes për to që të blejnë obligacione, në vend që t’i mbajnë paratë të papërdorura, tha Daniel Gilliot, zyrtar i lartë i menaxhimit të aktiveve dhe detyrimeve në BNP Paribas Fortis në Bruksel.

Norma e kontratave swap është norma fikse që investitorët paguajnë për t’u mbrojtur nga rreziku i normës së interesit, duke marrë pagesa me normë të ndryshueshme.

Bankat, shpesh paguajnë normën e swap-it dhe mbrojnë ekspozimin e tyre kur blejnë këto obligacione, kështu që yield-et më të larta të obligacioneve e bëjnë gjithashtu koston mbrojtëse më të pëlqyeshme.

Disa banka kanë stimuj të tjerë për të blerë më shumë obligacione.

Intesa Sanpaolo e Italisë (ISP.MI), bleu rreth 10 miliardë euro obligacione qeveritare në fillim të vitit 2023, për të zëvendësuar aktivet e ponderuara me risk që kishte shkurtuar.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse thesaret e bankave do t’i zgjerojnë blerjet.

Pjesa e obligacioneve që ata blenë në sindikatat qeveritare është rritur rreth 2 pikë përqindjeje në të gjithë bllokun këtë vit, por mbeten ende në vend të dytë, pas menaxherëve të aktiveve, tha Deutsche Bank.

Blerja nga menaxherët e aktiveve është ulur 7 pikë përqindjeje, ndërsa kërkesa nga fondet e pensioneve dhe siguruesit ka qenë përgjithësisht e pandryshuar. /Reuters/